LETRA E PARË / Poezi nga Petrit Ruka

Posted on March 21, 2017

0


Poezi nga Petrit Ruka

 

LETRA E PARË

U çmenda së fundi dhe thashë ta provoj,
Ky malli për ty, baba, po më çmënd,
S’ka gjë në botë që nuk do ta jepja,
Prej vdekjes ku je, ta sjell zërin tënd…

U çmenda dhe pikë,…po të nis një e-mail;
Shkruaj: varr’ i tim-@-i* hotmail pi com.
Pa emër të fshehtë, pa kode, pa dreq,
U futa për ty piratë në telekom..

Baba, s’ta fsheh,… me ligj kjo është shkelje,
Shqip, siç do ti,…unë quhem kusar,
Po s’di si t’ia bëj, jam enjtur prej mallit.
Dhe fshehur pas shpinës tënde kam qarë…

Po ti mos u ngrys! Ky mëkat i vogël,
E di sa kushton?! Një minutë e më lirë…
Ne vetëm dy impulse na duhen, të shkretën:
– Më dëgjon, o ba? – Të dëgjoj, o bir!..

Me gishtin që djeg po shtyp një “send”
Ky send-i në shqip….si ta them është një shpend,
Po të erdhi, baba, ky zogu plot fjalë,
Çukite mbi zemër, mbase kthehet i gjallë….

* varr i tim-@-i – varr i tim eti,

PËRGJIGJE E BABAIT

-përgjigjja e parë

Çudia ka ndodhur, babai u përgjigj,…
Mbi xham të kompjuterit një zarf po flatron,
O Zot, më ruaj mendjen pëshpëris me vete,
Kam frikë mos ëndrra vetveten kopjon…

O bir, të paça, që letrën ma prure,
Të mbushur me lotë si mjegull vjeshtake,
Zemra m’u ç’mend, filloj të punoj
Si ato orët e prishura, shtrak-shtruk, shtrak- shtrake

O bir, më merr malli, këndej,… nga kjo botë,
Dhe Kartën ua lexova komshinjve me radhë,
T’i shihje, o djalë, si qanin, si mburreshin,
“Si ia doli të vijë, ku s’vjen një i gjallë?!”

“E dija, e dija,” – u mburresh jot ëmë,
Plakave të mëhallës që e vunë në mes,
“Që në bark e ndjeva se diç do të bëhej,”
Dhe lotët vuuu… i shkonin kallogresë…

…Pastaj babai më bën një mijë pyetje,
(Ca pyetje të thjeshta që të lënë si guak,)
Sa vuaj, mor baba, të kuptoj ç’kërkon,
Vërtet më flet shqip, po është shqipe me gjak…

 

Posted in: POEZI