Poezi nga Adem Zaplluzha

Posted on March 21, 2017

0


Poezi nga Adem Zaplluzha

 

KËTU NJERËZIT NUK E NJOHIN VDEKJEN

Mbrëmja veç paska zbritur
Heshtja e mermertë
I mpreh dhëmbët artificial
Nëpër lagjet e braktisura
S’pushojnë të lehurat e natës

Këtu lehin edhe shirat
Tërmal kujtesës rrokullisen gurtë
Në shpirtin e përroit të djajve
Sërish zgjohet urrejtja e fjetur

Përtej drynave të bronzta
Mallkimet nuk pushojnë
Këtu njerëzit nuk e njohin vdekjen
Por vdesin si luaj për të jetuar

Pas një porte të mbyllur
Dëgjoj si në ankth
Një thirrmë të ndryshktë njeriu
Dëgjohen edhe britmat e pemëve

Nga secili trung i plagosur
Buron ofshama e tokës
Buron një dhembje e përmotshme
Nga lëkura e drurit të njomë

Më duket se sonte këtu
Veç paskan vdekur zërat
Asnjë njeri Nuk duket te lisat
Vetëm drurët
Parakalojnë rrugicave të ngushta
Parakalojnë
Si ushtarë dezertorë me trasta të zbrazëta;

 

YSHTEN LUKUNI LANGONJSH

Më duket se çdo gjë sonte
Po e përjeton të mbrapshtën
Në secilin hap
Po më përcjellin hijet
Ky shurdhim i verbët po më sëmbon
Si mushkonjat e verdha

Sado pak që i hapa sytë
Pas meje si përherë
Yshten lukuni langonjsh
Yshten dhe nuk ndalen së lehuri
Kah do që sillem e lëvizi
Ushejzat ma thithin gjakun e njomë

Nuk paskam shpëtim nga kjo ndjekje
Këmishën e vara në degët e thanës
Këpucët më mbetën te çezma
S’pata kohë për një gllënjkë ujë
S’pata kohë
T’i kreh flokët e shprishura të dhembjes.

 

GJITHMONË PRANVERË NË SHTATOR

Shumë pak kohë ka mbetur që të hapen dyert
Stina veç po zbret nga majat e mjegullave
Është ajo kohë e përshtatshme
Kur dëgjohen zërat e ahengjeve

Gjithmonë pranverë në shtator
Këtu bëhen dasmat
Mu atëherë kur vijnë
Po ashtu edhe shkojnë lejlekët shtegtarë

Vjeshta vjen me të gjitha pekulet e saj
Hijerëndë si kurdoherë
Zbret si një mbretëreshë e përjetshme
Shpalos jorganin nëpër fushat tona

Dasmat veç kanë filluar
Na vijnë miqtë me ogiçe të ngjyrosur
Edhe djemtë kthehen nga kurbeti
Kthehen për tu kthyer sërish në pranverë;

 

NUK PASKA MBETUR ASNJË NJERI

Sërish e pamë shtratin e zbrazët
Edhe engjëjt paskan abdikuar sonte
Ku t’i kërkoj ëndrrat e mija
Kur asnjëherë nuk më lënë të ëndërroj

Kur i pyeta njerëzit për rrugën
Deri te portat e mbyllura
Heshtën si përmendoret e bronzta
Athua vallë këtë e bënë nga frika

Vetëm ana lindore i ngjante njeriut
Kurse anët e tjera të metalta
S’kishin asnjë formë
Që mund të krahasohej me drurët

Sërish shtrati i shterur i Lumëbardhit
Asnjë zambak i bardhë
Nuk paska mbirë në këtë mëngjes
Çfarë ngjau me Drinin që u dëgjua një gjëmë

Këtu në këtë Fushë të Mëllenjave
Nuk paska mbetur asnjë njeri
Kush do të më tregoj se ku është burimi
Ky lumë i pritjes mbase qenka shterur.

 

Posted in: POEZI