Dashuria në udhëkryq të kohëve moderne / Nga: Kujtim Mateli

Dashuria në udhëkryq të kohëve moderne

 

Nga: Kujtim Mateli

Dashnor Selimi pas disa vëllimve poetike, ku krijoi një profil te spikatur, del para lexuesit me ramanin e tij të parë “Pasioni”. Ngjarjet e romanit vendosen në një nga fshatrat e Shqipërisë jugore, në krahun e majtë të lumit Vjosë, ku një degë lumore që përshkon dy krahina  përplas dallgët e veta me lumin e madh që rrjedh që nga malet e Pindit. Koha e veprimeve i përket para viteve 90-të dhe ka në epiqendër familjen Kola. Autori ka arritur që mjeshtërisht t`na e përshkruaj bukurinë e kësaj krahine që ndodhet mes malesh, por aq mjeshtërisht na paraqet dhe pjesëtarët e familjes Kola. Gjyshja e kësaj familjeje mëshiron mentalitetit e gjysheve shqiptare që janë mbrojtëse të rrepta të nipërve apo mbesave të tyre, kur këta ndëshkohen padrejtësisht nga prindërit. Si karaktere të veçanta na jepen dhe Janua me Natashën, por vajza e tyre, Margarita do të marrë gjithë vëmendjen e autorit dhe do të bëhet personazhi kryesor i këtij romani.
Margarita kërkon të eksplorojë botën që e rrethon. Krahina e ngushtë ku ajo jetonte nuk e mban dot brenda vetes karakterin e saj tepër impulsive. Ndaj ajo gjen rastin dhe viziton dhe fshatrat e krahinës tjetër që ndodhen në të njëjtën rrjedhë lumore. Kërkon të njohë, jo vetëm vende, por edhe njerëz dhe të ndajë me ta dhe jetën e saj seksuale. Të detyruar nga këto rrethana, prindërit vendosin që e vetmja zgjidhje do të ishte martesa e saj. Në skenë hyn Zoica, një kushërirë e Natashës që banonte në qytet, e cila e merr vajzën disa ditë me vete dhe arrijnë ta njohin me taksistin e atij qyteti që ishte njëkohësisht dhe mik i familjes së tyre, me Adriatik Bunën.
Autori na jep strukturën e familjes tradicionale të para vteve 90-të, e përfaqësuar nga ajo e  Natashës dhe Janos. Një çift që kërkonte të plotësonte normat morale, një familje që e krijonte unitetin familjar nën trysninë e mentalitetit të kohës.

Dashnor Selimi

Familja e kësaj periudhe ka qenë e hapur ndaj njerëzve të afërt të saj. Në konfliktet e çiftit merrnin pjesë prindërit e vajzës dhe të djalit dhe gjërat sheshoheshin sipas disa rregullave të pa shkruara në kodin civil të familjes, por që ekzistonin sipas një tradite të hershme. Në vitet e socializmit bëhet pjesë edhe politika e cila ndikoi negativisht në familjet shqiptare duke i shtuar asaj dhe elementin klasor. Familja ndihet e trazuar, kur vëllai i Natashës arratiset nga Shqipëria dhe nëpërmjet shtetit fqinj mbërrin në Kanada.
Margarita përfaqëson familjet e reja të krijuara pas viteve 90-të me ndryshimet demokratike që u krijuan në vendin tonë. Po martesa e saj ishte një shartesë e krijuar sipas mentalitetit të vjetër dhe kushteve të reja që u krijuan me rrëzimin e sistemit komunist. Kështu që familja shqiptare e atyre viteve do të mbartëte elementët e të dy sistemeve shoqërore. Po në rrjedhë të kohës, elementi demokratik i një familjeje të mbyllur ndaj shoqërisë dhe i hapur në marrëdhëniet midis çifttit, sa vinte e po bëhej mbizotërues. Marrëdhënia në çift ishte e hapur ndaj ndryshimeve të reja ekonomike të cilat reflektoheshin fort në familje. Sektori privat mbi të cilën ishte ndërtuar sistemi i ri kapitalist, krijonte kushte të favorshme jo vetëm për burrat, por edhe për gratë.

 

Pasioni

Adriatik Buna, kishte mundur që në saje të punës së tij të krijonte një sasi të konsiderueshme parash. I zhytur pas një pune të tejskajshme që sillte fitime të majme, e kishte lënë disi pas dore familjen, e cila përbëhej nga bashkëshortja e tij dhe djali. Po dhe Margarita nuk jetonte e mbyllur ndaj dukurive të reja që prodhonte sistemi kapitalist. Ideja për të krijuar një biznes të sajën, sa vinte dhe përforcohej çdo ditë. Pas shumë peripecish, me ndihmën e parave që kishte arritur të grumbullonte burri i saj, arriti të ngrinte biznesin e saj: një kafene buzë detit të këtij qyteti në jug të Shqipërisë. I ndihmuar nga pozicioni favorizues që ishte buzë detit, por dhe nga pozicioni gjeografik i vetë qytetit që ishte në udhëkryq të lëvizjeve tokësore dhe atyre detare, biznesi i Margaritës arriti të ketë sukses dhe të lulëzojë. Po ndërsa burrë dhe grua po shënonin arritje në bisneset e veta; pikërisht në këtë kohë, familja e tyre hyn në krizë. Margarita i kërkon divorc të shoqit. Familja ka ligjësitë e veta që janë të ndryshme nga ato që rregullojnë shoqërinë njerëzore. Shoqëria ka si element bazë respektimin midis njëri-tjetrit, familja ka si element bazë dashurinë. Anëtarët e një shoqërie mjafton të respektojnë njëri-tjetrin dhe shoqëria funksionon normalisht, kurse familja funksionin mbi bazën e dashurisë. Nëse një çift bashkëjeton vetëm mbi bazën e respektit për njëri-tjetrin, faktikisht ajo familje ka pushuar së ekzistuari. Ndaj familja është më komplekse se dhe vetë shoqëria në të cilën bëjnë pjesë. Personazhet e romanit “Pasioni”, Margarita dhe Adriatiku e kishin ngritur familjen e tyre mbi bazën e një njohje të shpejtë dhe të përciptë. Në rrjedhë të viteve familjes së tyre iu shtua dhe djali, por në këtë familje nuk u arrit që midis çiftit të lindëte dashuria. Ndaj dhe veprimi i Margaritës duket i motivuar. Ata ishin vetëm dy njerëz që e respektonin njëri-tjetrin.

Në të vërtetë, familja mbetet e mbështjellë me një tis misterioz. Vetë fakti pse dy njerëz e dashurojnë njëri-tjetrin mbetet i pashpjegueshëm, jo vetëm për psikologët që e shohin atë në rrafshin përgjithësues, por edhe për vetë individët që përbëjnë çiftin. Nisur nga rastet konkrete shumë mendojnë se dashuria e ndjek njeriun gjatë gjithë jetës së tij dhe kemi një numër të konsiderueshëm çiftesh që shkojnë deri në vdekjen e tyre të dashuruar me njëri-tjetrin, ashtu siç gjejmë çifte kur dashuria u është ndërprerë në një segment të caktuar të jetës së tyre, por ata e kanë vazhduar bashkëjetësën mbi bazën e respektetit për njëri-tjetrin për kohën e kaluar. Gjejmë gjithashtu raste të shumtë të ndarjes së çiftit kur ndërmjet tyre nuk ka ekzistuar dashuria, nuk ka qenë e formësuar siç duhet apo ka mbaruar në një segment të jetës së tyre.

Në njërën nga këto forma kalon çdo çift, ndaj dhe romani “Pasioni” prek çdo individ që ndodhet para martese apo familjet në bashkëjetesën e tyre. Ky fakt e bën romanin që të lexohet me kërshëri deri në fund duke ndjekur faqe pas faqejeje dramën që provoi kjo familje deri në shkatërrimin e saj. Autori e ka ndjerë se lexuesin do ta mundonte fakti se cili do të ketë qenë fati i këtyre personazheve në vitet në vijim, ndaj i shton këtij romani një kapitull-epilog. Dashnor Selimi me romanin e tij të parë që shënon një tjetër sukses në udhëtimin e tij artistik, ka mundur që të sjellë karaktere të spikatura,  ku mund të veçojmë ata të Margaritës dhe Adriatikut. Po edhe personazhet e tjerë e kanë marrë në masën e duhur individualitetin e tyre, çfarë bën që ngjarjet e romanit të vendosen në kontekste jetësore, të besueshme.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s