Poezi nga Zhaneta Barxhaj / Shkëputur nga vëllimi poetik “Valltari pa këmbë”

Poezi nga Zhaneta Barxhaj
 
Shkëputur nga vëllimi poetik “Valltari pa këmbë”
 
 
GJETHËNAJ
 
Ka filluar të nxehet qielli,
të lëshojë fllad të acartë.
Shoh te zverdhet dhe e fundit gjethe e gjakosur,
të plandoset përdhe pa pikë fuqie.
Gjethet… këto spaleta të arta,
të pagoja, dinë të dëgjojnë,
aty tek kuvendojnë këto plakëlashta.
Vallëzonim një vals epshor.
Duke thithur të fundit ujë brenda zgavrës gjigante,
që na strehonte teksa ia kriste shiu…
Ah! ai ishte çasti im… ti e dije me siguri.
Ndryshe nuk shpjegohet çlirimi i ngadaltë,
që më afroi hënën si abazhur te koka.
E unë hidhja rreshta mbi fletët e thara.
Aq shumë shkarravisja,
sa gjithë gjethet ti i zbrite për mua.
Dhe një mëngjes maji për çudi,
u habita sa shpejt kishte ardhur vjeshta…
 
 
 
PËR…MBYTJE
 
Llahtarshëm… si asnjëherë.
Zemërimi hapi mushkrit e veta mbi ne.
Buna e qetë, krenare,
shekuj të tërë duke kërkuar shpirtin e saj.
Çmendurisht, u fry, u drodh, u spërdrodh,
mbushur me zemërim padurimi dhe pritjeje.
Ënjtur nga fryrja nuk duroi më, e shfryu mbi në dhimbjen e saj.
U ngrit nga shtrati, u zgjua nga letargjia, doli në rrugë.
Shpupuritur, me robëdishanin e mbrëmjes krahëve,
për të pritur dashurinë e saj…
Ai afrohet turpshëm dhe nuk e pushton dot.
I pëshpërit së largu jehonën e luginës së tij, e bën të dridhet.
Më në fund, u takuan aty në mes të udhëve.
Shkrinë në një ëndrrat e tyre të përjetshme.
Derdhen afshin e lotëve pambarim,
shkarkuan emocionet që kishin mbajtur kaq kohë të ndarë.
Moskokëçarës se çfarë thanë ata që i panë.
I dhuruan njëri-tjetrit… atë… puthjen e lagësht magjike.
 
 
 
Shega
 
Sakrifica e madhe e bën anonime dhimbjen.
Nëse më doni dhe unë me fuqinë e shpirtit do t’ju dua.
Me dhimbjen e gjakut që më pikon,
nga shega e çarë e marrëzisë.
 
 
 
KËNETË
 
Qetësi….
Një boshësi sillet si hiena rreth aromës së kërmave,
që qelben atje tej.
Kënetë..
Zhytur ëmbëlsisht në dritëhijen e horizontit të vrarë,
sheh mes cipëçarjeve qelbin e plagës së mahisur.
E mjekon me alga e shushunja te futura në rrjeta molusqesh.
Fryhen, dehen, shpërthejnë dhe…
 
 
 
AVATAR
 
Në gjendje kllapie palëvizur shoh,
tek endemi mjegullishtave të kibernetikës.
Makina sociale të përsosura enden rrugësh përkrah meje.
I shoh të buhavitur nga pija e një nate më parë,
me rrathët e syve të nxirë.
Kryelartë kundërveprojnë ndaj shtysave të jashtme,
pothuaj avatar…
Dhe nëse ky ishte qëllimi jonë…
Dhe nëse… mjerë ne.
 
 
 
Çlirim
 
Ditët dhe muajt bëjnë punë të rëndomtë.
Numërojnë pafund stinë e ditë që ngatërrohen.
Do të vijë dita kur të çlirohemi nga vitet ,
Do të vijë dita kur e ardhmja të ngazëllejë.
Priremi të ecim rrëmujë!
Të kalojmë nëpër kohë fluid.
Ta fshijmë ditën e pushimit,
të ndërtojmë tjetër formë çlirimi.
Rrugëve ku ecim t’u ndryshojmë dekorin,
si në pajiset digjitale…
Të shkojmë në të nesërmen,
me çantën e ideve mbi supe.
Ndoshta do t’i zgjojmë paganët
dhe zotat e tyre gjakpirës.
E prapë – a duhet sërisht një kurban?
E kemi… mes mijëra faqesh historie.
 
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s