AGULIÇET / Nga libri me prozë poetike”Fluturimet e korbave në netët pa hënë” të autorit Adem Zaplluzha

AGULIÇET

 


Nga libri me prozë poetike”Fluturimet e korbave në netët pa hënë” të autorit Adem Zaplluzha

Prej një fije kashte në tjetrën fije kërkonim kokrrat e humbura të thekrës. Atë vit na mungonte edhe ajri e lëre më buka. Sa ishte larg ajo kore e mykur e bukës e sa afër uria.
Ku të kërkojmë shpëtimin e shpirtit?. Librat e shenjtë na harruan, thua se as që kemi ekzistuar ndonjëherë. Ishim apo nuk ishim ne në skamjen tonë.
Shpeshherë më kujtohet kur nëna e njomte kashtën me uthull, thoshte se zihet më mirë kështu, besa edhe zbuten koret më mirë nëse përdorim uthullën e dëllinjës .
Në fijet e kashtës ose të fierit,kërkonim rrugën e milingonave, shkelnim njomësin bardhësisë dhe sërish ktheheshim në atë mashtrim famëmadh të lojës mes dy zjarreve,e zjarret kurrë nuk na ngrohën si duhet.
Në mes të kashtës së zier dhe urisë, dhe kashtës së thartë, që akoma nuk ishte zbutur, pritnim si zogjtë e shqiponjës nëpër shkrepat e Alpeve Shqiptare fluturimin e një fije pende në gjumin e skamjes.
Unë di që skamja nuk fle,por kësaj radhe e paska lodhur gjumi gjumin, kurse mua po më gërryen uria më gërryen skamja e skamjes.
Shpesh herë loznim me një top prej lecke, më kujtohet kur m’i dha nëna çorapet e saja të reja për lojën tonë, m’i dha sepse e dinte që në lojë, deri sa lozim ne do ta harrojmë urinë, uthullën dhe kashtën e grirë që nuk zbutej edhe me ditë të tëra.
Grumbulloheshin edhe fëmijët e lagjeve të tjera,përcillnin lojën tonë me kureshtje, habiteshin që nuk zhurmonin si viteve të kaluara, ndoshta pritnin se do të grindemi si zakonisht, por jo, sot nuk do grindemi, jo që i harruam shejtanllëqet tona, por ishim të uritur, s’kishim as zë të lëshojmë e lëre më të grindemi si zakonisht.
Ju nuk mund të kuptoni se si i thyenim thonjtë nëpër kalldrëmet e bardhë, dhe asnjeri nuk e dëgjonte vajin tonë, nuk ishim fëmijë që qajnë, pse s’ishim të tillë e duronim edhe urinë pa na ndie askush zërin…
Më kujtohet kur na u shqye topi, ja nisëm lojës me sumbulla,nuk linim asnjë këmishë në tela, pa i këputur komçat, besa i ngacmonim edhe pulat nëpër kotece.
Të kujtohet miku im i fëmijërisë kur e theva dorën e djathtë duke mbledhur nëpër lisa vezët me pikla të pëllumbave të egër, atë ditë ti më barte në shpinë deri te shtëpia e plakës së vetmuar, e vetmja ishte ajo që na i shëronte kur ne i thyenim eshtrat .
Nuk i linim të qeta as lulet, gratë e mëhallës na ndiqnin kurse ne iknim, me nga një tufë lule në dorë , ikjet ishin të gjata, iknim deri te ëndrra
Me siguri të gjithëve ju kujtohet kur më pat zënë një grua s’po më kujtohet emri i saj, nuk ma lëshonte dorën deri sa nuk i tregova se pse i shkula aguliçet e saja me rrënjë.
Si guxon me m’i prek lulet?,Ato kur shkulen vdesin, lërmi rehat këto lule në kopsht, ti nuk je çuni i keq., Po nuk më tregove, do të të çoj te nëna e jote, ajo t’i drejton veshët!?.
Kur i tregove se pse dhe kujt i dedikoheshin lulet që i mbaja në dorë, ju nuk mund të më besoni se çka bëri ajo grua… Qeshi si mund të qesh vetëm një nënë, kur e kupton se i kisha këputur lulet për…
U çudita. Ajo nuk e ndalte qeshjen. Gurgullonte si barku im i uritur. Ma lëshoi dorën. M’i ledhatoi flokët e mia të gështenjta dhe duke qeshur më tha: Edhe mua një çun njëherë moti, kur jetonim me bollëk më ka sjellë një tufë aguliçesh kështu me rrënjë mu si aguliçet e tua,të cilat ende nuk janë tharë në kujtesën time, hajt të pastë lokja, çoja shoqes tënde aguliçet të mos vdesin në këtë vapë.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s