Poezi nga Thomaidha Tanuçi Cullufe

Poezi nga Thomaidha Tanuçi Cullufe

 

Ndjesi

Ndonjëherë kam ndjesinë sikur ti vjen
me oshëtimat e detit në guacka
dhe lehtë më lëshon mbi veshë
tingujt e shpirtit.

Asnjëherë nuk ia gjeta fjalën ndjesisë
që me jep aroma e barit dhe e tokës
ti më thua: “Është ndjesia ime!”,
pastaj më drejton nga qielli
mbushur me luleqershi;
kur kokrra të bëhen të jemi bashkë
duke i ngrënë me symbyllur.

Gjithmonë vështrimet e tua ngjajnë me kundrimin e hënës,
dhe ti me dashje ndërpret reflektimin e saj mbi mua
duke më mbështjellë me krahë;
nga palodhja kërkojmë shtratin e pyllit,
që nuk e gjen dot ndjesinë që i japin aromat e trupave tanë.
të heshtur mos prishim palëvishmërinë e ajrit që ka ngrirë.

Ndonjëherë të gjitha ndjesitë më sjellin ty,
kështu i jetoj në një çast
të gjitha ditënatatat tona të përjetshme.

 

***

Si një shkrepje rrufeje, në qiellin e syrit,
luajnë vështrimet e mia,
mbi filxhanin e çajit ku ngjitur rrinë buzët e tua;

në një shami të bardhë i mbledh hijet e tyre
dhe i ruaj nga errësira e mosardhjes.

Nga dritarja e hapur hyjnë tinguj e radios
dhe më sjell ndërmend një vals,
valsin që kërcyem bashkë mbi akujt
që shkrinin poshtë këmbëve.

Gjithë natën nuk vura gjumë në sy,
se mos trokiste dera e vije ti
me një përqafim nga thellësitë e krahëve të tu;
të më gjeje zgjuar.

 

***

Takimin me natën e kam mezipritje,
më pëlqen zhveshja;
një nga një i zbuloj pjesët e trupit
vishem me ëndrra
dhe bëhem gati për gjumë.

Iki larg çdo gjëje të kotë që dita ma la në duar,
në takimin me liqenin jam e përpiktë,
valët e vogla presin sytë e mi për të lëvizur
dhe bëj dashuri me të gjithë zambakët e ujit.

Sot kam vendosur të mos mendoj më,
mblodha gjithë lulet që të kujtojnë ty,
letrat i futa nën lëkurë,
dhe atë valsin pranveror e hoqa nga kujtesa.

Unë udhëtoj nëpër ëndrra, këmbëzbathur,
nga guralec i shkelur një “ah”
më flet me zërin tënd:
“Më ndjeve e dashur?!”

 

***

Nuk mbaj vath, as lule, as kordele
që të dukem femër,
e vesh vjeshtën mbrapsh;
gjethet rinohen nga graviteti i lëkurës në çdo prekje,
kurse ti harton trupin tim qelizë më qelizë
dhe më fton si në një lojë…

Femër bëhem kur futem në shtrat,
– Më bëj pak vend të rri me ty, – them,
hyj si fëmijë në krahë,
pranverë e lulëzuar mbi buzë, dal.

Krahët të lodhen nga pesha e dritës që bie mbi mua
dhe pesha ime nuk është pak.

Ti nis ditën si një gjë e mpirë,
je kalimtari më me fat,
që si rastësisht takon të njëjtën grua çdo herë.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s