A ban me m’lshue pak rrugë?” – Ariola Zadrima / Nga: Jozef Radi

Çast… nga Ariola Zadrima
 
Lumturinë ua kam lanë atyne që u rrin për shtat,
unë di me e mbajtë mend,
at grimcë universi,
që shemb qenie t’tana njerzore,
n’pikë të lotit…
Mendoj se m’ka kalu nën hundë sa e sa herë,
tuj më lanë nostalgji n’shpirt,
sot kam kujtime,
lot,
sot jam njeri!
 
 
 
Kurrë mos e vono kohën tande!
Në hapje të librit të Ariola Zadrimës
“A ban me m’lshue pak rrugë?”
 
 
 
E dashtun Jolë,
Kur ndesha ma s’pari n’vargjet e tua
(tash e dy vjet të shkueme) ia ndala pak hovin leximit
e disa herë iu ktheva mbrapsh…
Nji emën i panjoftun, n’shpalosje t’nji bote të panjoftun!
E kështu, ma s’pari m’u desht ba mik i vargjeve tua,
mik i do vargjeve pa fort sivllazën n’letrat shqipe,
mandej erdhe ti, njashtu virtuale, virtuale siç je ende sot,
po krejt ndryshe, pse poezia t’ban mik edhe me të vdekun,
e t’shtyn me dashtë edhe shumçka kohnash të ikuna.
Edhe pse kurrë të njoftun, kurrë të takuem,
e kurrë së ndrruemi nji kafe,
kjo s’desh me thanë asgja, pse leximi i vargjeve tua,
m’dha ma shumë se kafet, ma shumë se “njatjetat”
ma shumë se bisedat e ma shumë se tjerë t’njoftun,
prandej ti sot, për mue e shumkend je poezia jote,
e kjo s’asht pos zotsi e rrallë e dhuruem hyjnish,
e unë aq lehtë mbrrij me të dallue prej vargun tand,
mbrrij me t’i lexue shpërthimet tua
ma mirë se shpërthimet e ndoj vullkani,
e kjo s’asht pak, po vlera jote Jolë, e s’mundet me ta cenue kush!
Edhe pse duket sikur ti ma s’shumti
shkruen thjesht për vedi, kjo s’asht e vërtetë,
ti futesh ndër shpirtna me lehtsinë e shiut ndër flokë
ti mbetesh ndër mendje më lehtsinë e pluhunit ndër gjethe…
veç kjo s’asht ma zotsi e jotja, por asht fati jonë,
kjo s’asht ma nji lëvdatë që t’përket ty,
po nji emocion që jeton ndër shumë ne,
si nji velierë, që i merr detet prej frymës tande…
Mandej Jolë,
t’kam lexue, e m’dukeshe se kishe shkrue shumë libra,
e jo vetëm kaq, po shumë libra e t’mirë fort,
e s’kam mujtë kurrë me e besue se vargjet tua,
i kishe lanë me jetue njashtu eterike për qiell e për erë
e i shetitshe mbramjve piacash virtuale me u falë flatra…
Jo, s’e kam besue, se ti s’mund t’shfletoseshe,
se ti s’mund vendoseshe netve vonë n’nënkrejsë,
e ne s’mund zgjoheshim pa ta hjedhë nji sy tinza,
e me t’marrë me vedi n’rrugë t’mundimeve tona
m’ka mbetë e pabesueshme kjo përmasë e jotja, Jolë,
po ja…, çka ma ba, e vërteta jote, asht armikja jote!
Ti që ishe me vargje aq t’shetituna, ishe pa nji libër tandin?!
E dhimbshme fort, po çka me ba… durim për t’tanë!
Kushedi sa herë m’asht dashtë me përsritë t’njajtën fjali,
e kushedi se herë m’je gjegjë: “Shpejt ka me ndodhë!”
E njajo “shpejt” asht shty e asht shty deri n’ditë të sodit!
S’e kisha besue Jolë,
se nji guximtare si ti, vonon kohën tande,
s’e kisha besue se nji tabùthyese si ti,
rrin e pret nji autobus që s’vjen kurrë
s’e kisha besue se nji kangtare “majekrahu”
e tremb shiu i qytetit ku ajo asht lindë e lagun…
Tash gjithçka asht e marrë fund Jolë, asht e marrë fund
tash, s’ka çajre kush veç “me t’lshue at’ pak rrugë”
me vëmendjen, se pakujdesisht na shkelë t’tanve!
Mirardhsh Jolë, jo veç për ata që t’presin!
 
 
Jozef Radi
4 maj 2016

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s