UNIVERSI LETRAR NË DRITËN E NJOHJES SË ADEM ZAPLLUZHËS ( Vështrim për librin poetik të Adem Zaplluzhës “Telat e shirave” Botoi TREND Prishtinë – 2017 ) / Nga: Mr. Vilson Culaj

UNIVERSI LETRAR NË DRITËN E NJOHJES SË ADEM ZAPLLUZHËS 

Vështrim për librin poetik të Adem Zaplluzhës “Telat e shirave” Botoi  TREND Prishtinë  – 2017

 

Nga: Mr. Vilson Culaj

Poeti dhe krijuesi i mirënjohur në opinionin letrar  dhe atë mbarëshqiptar, Zotëri Adem Zaplluzha, i prezantohet lexuesve tanë me librin e tij të 151 – të me radhë, jo vetëm si një masë renditëse , por masë kualitative e një bote të pasur letrare për ta shpërfaqur edhe njëherë Erudicionin e tij letrar krejt natyral, esencial dhe ekzistencial të një shpirti gjallues i cili shpirt e mendje di të përceptojë, rezonojë, dhe krijojë vlera të mirëfillta poetiko – letrare .Ato lidhen direkt me gjeo – përceptimet e tij metafizike dhe dialektike të vlerave të gjithëmbarshme të etnosit tonë, por edhe të përvojave të tij personale që shpeshherë dinë edhe të mahnitin për vlerat e tyre ideo – artistike. I të njëjtës përmasë na ofrohet edhe ky libër poetik ,, Telat e shirave ,, metaforë e kryetemë e ligjërimit poetik e cila mban në bërthamën e saj një jetë gjakim e reminishencë për dashurinë ideale ,zhytur thellë në kohë diku në kataraktet e shpirtit të poetit…

Diskursi letrar e poetik i Adem Zaplluzhës është sa universal,po aq personal dhe nacional të cilat kur të ngërthehen e zbërthehen në art të mirëfilltë letrar, krijojnë një origjinalitet krijues krejtësisht unik, për dallim nga mëtuesit tjerë për të qenë poet cilësor. Ja si shprehet poeti falë dimensionalitetit të tij krijues : “Unë nuk jam Krishti, ama as ti Juda, por sot disa herë me radhë, mashtruam njëri-tjetrin…Autori synon dhe arrin që çdoherë të jetë sa më objektiv dhe origjinal, korrekt, human, shumëdimensional,edhe qortues, por jo i tipit shtiracak veshur me një petk mistik Altruizmi sa herë që trajton temat e mëdha dhe të përbotshme ‘’Dashuria dhe Dhimbja’’, të cilat i fokuson në dritën e frymëzimit poetik. Ai njëherit nuk lë pa u futur edhe në trajtime të natyrës sociologjike, filozofike, teologjike, psikologjike, etnike, duke i shkrirë të gjitha në një terezi unike poetike dhe letrare, falë edhe përvojës së tij të begatë jetësore. Ky shtegtim magjik dhe marrjet nga jeta e etnosi e logosi, e bëjnë autorin  Zaplluzha njërin ndër zbërthyesit më të veçantë të herezive e hipokrizive tona, destruktiviteteve e molisjeve artistike e kulturore, por edhe të maskave letrare e shoqërore. Pra, letërsia e Adem Zaplluzhës është përvojë e tërësisë shoqërore e personale e cila merr kuptim gjatë procesit të ballafaqimit dhe zgjidhjes së problemeve përmes ,, armës ,, ideo – poetike, falë aftësimit të tij letrar në dekada dhe ngritjes së tij racionale dhe shpirtërore. Poezitë e z. Zaplluzhës shquhen për  disidencën, konceptine e lartë letrar, metrikën, metaforën, antitezën,krahasimin, personifikimin,simbolikënë sarkazmën,ironinë dhe mesazhet e qarta metakohore , falë përvojës së tij të madhe letrare e jetësore që e kanë shtyrë autorin t’i kapë  e përceptojë esencat gjatë shtegtimit e ballafaqimit të tij me Bizantinimat e Simonizmin tonë letrar e sociologjik, ku në këtë rast na del edhe si një model letrar që di t’i vlerësojë hapat e tij të vetëdijshëm jetësorë, vlerat universale, por edhe kohën të cilën di ta shfrytëzojë në mënyrë produktive. Autori përmes reflektimeve letrare nuk do ta ngufatë, instalojë , as kushtëzojë jetën,artin e tij,e as të të tjerëve, nëpërmes kontrollit e ndikimit të epërsisë, por zëri i tij kritik e artistik është i veshur me petkun e parimit, të gjykimit të shëndoshë logjik dhe mesazheve ideo-artistike e letrare për një botë ,, që di e duhet të ecë në këmbë të shëndosha,, . Autori ligjëron e alarmon përmes vargut të konsoliduar dhe plot vlera për : heshtjet e kukuvajkave, zërin e nëntokës, mëkatin e lindur, hapësirat e boshatisura, orën e vjetër, detyrat e çmendura,  mbufatjen e lumenjve dhe qiejt e zi në detin pa diell.

Telat e shirave

Reflektimet në këtë libër, por edhe te librat tjerë pararendës, autorin e rendisin si mjeshtër të metaforës, simbolit, e figuracioneve meta – ideore si : koha kur vdiste dielli, u thyen si kashta, Juda mohonte diellin, stinët mbetën pa formë, varkat u fundosën, zvarranikët parahistorikë, mallkimet po u ngjajnë perëndive, çatitë e skamnorëve, pemët delikate, shurdhimi i ajrit, gjumi i vdekjes,etj; metafora jo të rëndomta, por as të lehta e të arritshme, që vetëm mendja universale e autorit di t’i ndërtojë, ideojë, e jetësojë, por edhe t’i plasojë në gjeografinë letrare mbarëshqiptare. Autori përmes brumosjeve të shprehive kontemplative poetike ngreh zërin e revoltës që : misionin tonë personal, shoqëror e  atë nacional ,, mos ta zë gjumi i injorancës, miopisë, përçarjes, destruktivitetit e regresit, por përmes dritës së njohjes të njohjeve personale e kolektive të shtegtojmë drejt shtigjeve të iluminizmit e progresit kombëtar. Kërkesa e uni i tij letrar është aq human dhe i natyrshëm; vetëm kërkohet vesh shpirti për t’u dëgjuar. Autori shquhet për zbërthimin e esencave dhe detajeve jetësore ku përmes vargjeve poetike shpreh etjet e gjakimet e tij personale për barkën e jetës, bukën e dashurisë, amën e bërthamën shpirtërore, arratisjen e gëzimeve, dhe lumenjtë e kujtimeve që çdo ditë e grishin përpara pasqyrës reminishente dhe thinjave fisnike në kokë. Pra, poeti përvojën e tij Empirike di ta shndërrojë në art të mirëfilltë letrar dhe me mjete artistike zbërthen figurën mitike të Sizifit modern. Arti letrar i Adem Zaplluzhës rrjedh e buron nga shpirti që është i mbushur me shpirt e dije, dhe atë margaritar shpirtëror e dije artistike,ai di ta plasojë e shpërndajë tek lexuesi ku këto tri rruzullime vlerash në mënyrë ciklike vezullojnë përballë frymëzimeve poetike të autorit.

Në ciklin e dytë të librit ,, Vdiqën edhe mrekullitë që quheshin ëndrra ,, autori përmes mjeteve letrare shqyrton për fenomenologjinë e kohës, hapat jetësorë, reminishencat personale, e këngët pa këndime, ligjet e gjakosura të hakmarrjes, varret pa kryqe, plagët pelin, e kohërat e liga të cilat autorin e ,, vrasin ,, në brendi ,mu si pritja e tij. Këtu shpërfaqet edhe një cilësi ekstra e autorit: njohuria historiko – poetike, sepse autori ndjen një parandjenjë se i takon të kaluarës , të tanishmes dhe së ardhmes historike e letrare, por edhe asaj etnike. Kjo situatë refleksive e letrare na mbërthen e dërgon tek thënia e njohur e Nobelistit Rus Solezhnic ,, Ai që e harron të kaluarën ju thafshin të dy sytë ,,. Ja si shprehet poeti Zaplluzha lidhur me këtë fenomenologji historike dhe harresën tonë kolektive:

Nëpër qytete vdisnin meshat…

Ua kthyem shpinën gjyshërve..

Na varrosnin pa Kryq e nishan…

Këtë kryq e vuajtje si duket e ka përjetuar  edhe autori përgjatë jetës së tij, por në heshtje, andaj shkëndijat e përcëllimet e tij letrare, ideo–mesazhet, vlimi shpirtëror, struktura e vargut dhe ekuacionet poetike e logjike si dhe refleksionet trumbetuese e pa pardon, vetvetiu tek autori shndërrohen në moral dhe arsye njerëzore. Me këtë petk të vlerave, s’duket ka dëshirë autori ta shoh kombin e tij të përndritur, human, punëtor, të integruar e vizionar e jo të mbërthyer në ,, kryqin e kohës ,,.

Adem Zaplluzha

Pra, autori nuk ka rrugë tjetër përveç se të klithë në ,, shkretëtirë’’ sepse bota e tij ekspresive e poetike nuk e do hipokrizinë; përkundrazi, ato e tundojnë. Ai ka dëshirë që eksperiencat e gjakimet e tij për një jetë më të  dinjitetshme kolektive si dhe vizionet e qarta, t’i tërheqin drejt këtij shtegu të përndritur. Poezitë e lirikës atdhetare të krijuesit Zaplluzha janë aq të përthelluara, fine, artistike, shqyrtuese, meditative, deiluzive, përmbajtësore dhe të zhveshura nga ,, petku i kultit ,, por njëherit të mbështjellura edhe me margaritarin e ndjesisë e empatisë bujare- si një lloj vetëdije poetike, nacionale. ,, Unë di nga rrjedh dhe cilit popull i takoj’’- shprehet poeti vizionar në këtë rast. Prekja e realitetit objektiv e real e jo ushqyerja e iluzionit, janë veti e cilësi e poetit në këtë rast. Ai nuk i do flijimet as dhuratat në tempuj përpara mëshirës e humanizmit. Dhe përpara se t’i dhurohet botës e poezisë, së pari kërkon pajtimin shpirtëror me vëllanë njeri. Dhe nëse mitikja lindi si rezultat i harresës, poeti Zaplluzha vepron në të kundërtën e erërave pa adresë. Ai di të mendojë, të shkruajë, rezonojë, të japë mesazh letrar, por edhe të njësohet me artin dhe pikëpamjet e tij të shëndosha. Lufta për autorin është absurdi më primitiv i racës njerëzore, edhe pse ai di t’i çmojë dhe thurë lavde vetëm luftëtarëve të lirisë sonë. Atdheu i tij poetik dhe territorial jeton brenda tij, dhe as kryqëzimet e as ngritjet në Olimp, por as miti i Gjergj Elez Alisë e as kanunet, nuk e zmbrapsin nga misioni i tij fisnik:- poezia. Më një fjalë, poeti Zaplluzha nuk di ta ,, tradhtojë atdheun e tij ,, që buron nga dija e frymëzimi fisnik. Falë stoicizmit të tij letrar në dekada, poeti arrin edhe në stadin e tretë të ekzistencës…pra pjesën e tretë të librit dhe ngreh kumtin human ,, ju thashë se vdekja nuk ekziston në mua,, Këtu në fakt qëndron edhe lajtmotivi i poetit. Ai nuk do që të mbetet ,, druri lakuriq i botës ,, por do që të shndërrohet në pemën frytdhënëse që i zotëron kohërat. Siç duket, krijuesi Adem Zaplluzha si kush më mirë ka ditur ta perceptojë maksimën e artë se : ,, Koha është përgjegjësia ime,, dhe rrallë si ai kanë ditur që për kaq dekada t’i shërbejë jetës, progresit, kulturizimit, artit e poezisë dhe kulturës poetike shqiptare në përgjithësi.

Autori ka përjetuar paqen, luftën e lirinë njëkohësisht dhe aq bukur ka ditur ta kuptojë realitetin e jetës e botës, ku prapë është i gatshëm çdoherë të ballafaqohet prapë me këto të tria dhe t’u shërbejë njëkohësisht prapë atyre…

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s