Poezi nga Dijana N. Toska

Poezi nga Dijana N. Toska
 
 
Ka ardhë koha
 
Vet e ke kuptue tashmë se ka ardhë ajo ditë
kur duhesh përsëri me u nis shtigjeve të jetës
andej dielli kah rrezaton flakrueshëm, përpara se me perëndue
nuk ka më re të zeza që munden diellin me ta nxi
përtej tyre mundesh me pa, pa u përvlue
tash ka ardhë koha me u ba grua që gjithmonë ke dashtë me qenë.
 
Ka ardhë ajo ditë kur edhe tregimit të mallkuem
duhet me ja gjetë fundin që i bjen taman për sojin e vet
e kur të arrish daljen me e gjetë tej rrethit të mbyllun
ka me tu dokë sikur ke dalë prej labirinthit më të ngatrruem.
 
Ti që u bane e verbër krejt spontanisht
kur imazhet e saj u shfaqen në sytë e tij mëkatare
e ti duhesh me e varrose atë rrëfim mes kopertinash të larme
dhe ik nga kuptimi i tyre pa e pëshpëritë asnjë pendim.
 
Tashmë e ke pa se mbi krejt humnerat
një ëndërr, prap ka me u gjallnue
ka me vallzue vallen e jetës edhe atje ku jetë nuk ka
veç mbi varr të huaj frenoje vallen e urrejtjes
kur t”i afrohesh, për qetësinë e shpirtit të tij, ndize një qirri.
 
Mos u ngushëllo as kur thua se shpirti vështirë prehje ka me i gjetë
vendos një buqetë trëndafilash të egra, të blera në ndonjë stendë të vjetër tregu.
 
Në fund fare lidhja vetes një shirit mëndafshi
të kuq si gjaku dhe ec tutje vijës së bardhë
dhe banu vet dhurata më e bukur, për tjerë mos mendo
veç për të që është i gatshëm me i kalue malet për ty, për të jeto
që do me e përfshi krejt blerimin e fushave të gjana brenda një vështrimit tand
e me ta falë ty, hanën bashkë me qiell
me të ba gruan më të lumtur.
 
Jepju
jeto veç për atë që të do ty, për atë që e do edhe ti
shtrëngoni jetën përsëri për ushkurët e kësaj dite të përdalë
thuaja atë që të fle në shpirt, nga e para fillo
lulet për ty hala kanë me lulzue
e trëndafilat e egra, mbi varr do të vyshken një ditë.
 
© Dijana Toska ( Shkup, 2017)
 
 
 
Qetësi
 
Dola me lyp pak qetësi
e paskam humbë diku në vete e nuk po e gjej
shetis nëpër hije rrugësh që vizatohen nëpër re
e marr thua në tehet e kujtimeve të mprehta
veç frymën time po e ndëgjoj kah më ban shoqni
këmbët po më dërgojnë dikah larg prej vetes
hija ime po mbetet një pikë në horziont, larg prapa meje
derisa shuhet krejt një ditë.
 
Dhe krejt e njëjtë paska mbetë rruga, pikërisht ashtu qysh e lash
po ai kryqëzim që lidh dy fusha në blerim
edhe zemra ime e hirtë, do me u blerue
niset në ikje prej zhurmës urbane
tek kërkon qetësinë e munguar.
 
E kërkova vet këtë ditë pa zhurma rrotash, frena makinash, pa bori
dhe u mundova me pëllëmbë me i nxënë krejt rrezet e diellit
dikur më vonë kërkova shiun me i shpërla mendimet
dhe erën me i fërfëllu pëshpëritjet
me i fërfëllu dikah larg në majë të malit
e unë me shku pas tynve e me i gjetë të vetmueme
se s’ka tjetër kush i kupton ato, më mirë se unë.
 
Në këtë qetësi të rrejshme kërkova zogjtë për një ninullë
kërkova petalet për të më ledhatu aroma e tyre
me ankthin e pritjes shpirti veç po e merr formën time
po e di që qetësi askund nuk ka pa ty.
 
Dola për me gjetë pak qetësi!
 
© Dijana Toska ( Shkup, 2017)
 
 
 
AJO
 
Seç ju shkrep
deshti me u ba pronare e dashnisë
pikërisht asaj që nuk i takoi kurrë
përpjekje e kotë
me u ngi me buzët e tij
me i zotërue.
 
Egoizëm,
me e marrë veç për vete
krejt ëmbëlsinë e nektarit të shenjtë nga buzët e tij.
 
Në botën e vogël të dashnisë, i thanë s’janë buzët për ty
u çmend dhe emrin e ndrroi
e quejti vehten dëshirë
aso e madhe, e flaktë, si krejt dashunitë e pamunduna
hirin që la pas, krejt ai zjarr, u shenjue me vulën e sajë
mbet veç hi, gacat u shuan vetvetiu duke psherëtirë.
 
U harrua,
nuk ja kujtuan emrin kurrë
namin ia mbuluan me hi
s’ja thanë kurrë, e harruan fjalën me të cilën në imagjinatë
e kishte pagëzue veten.
 
Nuk la rrugë pa shkelë, e send pa provue
të pushtojë me bukuri, me aromë femre
si asnjë tjetër, me puthje
e panë me përbuzje, e kafshuan në ego deri në dhembje.
 
Pra, u nisë të sjell veç lumturi e solli veç pikëllim
u lajthit pa dashje
shkeli në dërrasën e gabuar.
 
Deshti me u humbë, me u avullue si kujtim, me u shndrrue në poezi
fjalët e sajë, po grindeshin mes vete
shpejt e shpejt u kapën flokësh
e u hoqën zvarrë nëpër vargjet e Sizifit
i thanë: je veç një kopje e zbehtë e romantikëve të kohës
e gjykuan krejt padrejtësisht
secila romansë është origjinale
ajo këtë fort mirë e dinte.
 
Dhe në fund krejt, ajo, u tërhoq e mundur
kërkoi azil në pyllin e heshtjes
i mori për vete sekretet të cilat nuk ia kuptoi askush
si një ushtare, e hekurt, e ashpër duke klithur nëpër univers
u kthye në hanë
askush asnjëherë nuk arriti të shohë anën tjetër të saj.
 
© Dijana Toska ( Shkup, 2017)
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s