Poezi nga Enertin Dheskali

Poezi nga Enertin Dheskali
 
 
Unë do të jem aty
 
Kur treni i jetës të heshtë në rrugë
Një ditë të së ardhmes,
Kur zhurma e orëve plot gjallëri
Të ngrijë në pjatën e gjithësisë,
Unë do të jem aty,
Duke numëruar atomet
Që vrapojnë për të rigjetur vetveten,
Në barkun shtatëzan të një tjetër Big-Bengu.
 
Unë do të jem aty,
Duke kënduar melodinë e kujtimeve,
Që mijëvjeçarët njerëzorë shkruan
Me eshtrat e thyera
Nëpër përplasjet për të mbijetuar.
 
Unë do të jem aty,
Ku pasqyra e hënës të thyhet,
Në miliarda copëza reflektuese
Për klithmat agonike dhe dhimbjet,
Kur buka e diellit të tretet,
Kur zemra e ëndrrës të vdesë.
 
Unë do të jem aty,
Do të endem
Si pikëz gjaku në univers…
 
 
 
Tirana
 
Një ushtri semaforësh që më shumë heshtin
Nëpër udhëkryqet e mugëllyera,
Pllaka të thyera që të pengojnë,
Pellgaçë që pasqyrojnë të pista
Fytyrat tona,
Dhe lagin gjithmonë
Këmbëzat e pantallonave.
 
Studentë, gjimnazistë, liceistë…
Kalamaj që vrapojnë me çanta në shpinë
Drejt një tjetër mijëvjeçari,
Veteranë
Me kostume të vjetëruara
Që kujtojnë plagët e një kohe që shkoi.
 
Në çdo cep rruge një lypës,
Lypësat kanë filluar të konkurojnë
Me epokën.
Zhurmë, smog,
Më së fundi e arritëm Europën
Me të gjitha versionet e saj…
Përqafuar me ëndrrat që vrapojnë,
Vrapon Tirana drejt shekullit tjetër,
Tiranë e re,
Tiranë e vjetër.
 
 
 
Minuta djaloshare
 
Det kapricoz që vargje mendimesh përplas
Nëpër brigjet e thyera të kujtesës së kaltër,
Ajrit lundrojnë si yje copëza ndjenjash,
Vështrime rrebele mbi sy të heshtur.
 
Nëpër takat që përplasen në trotuare,
Pikojnë sy të etur, stuhi djaloshare,
Mbi malet e epshit, në planetin e jetës,
Aty ku ku gjaku pulson dallgët e mëkateve…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s