Poezi nga Myrteza Mara

Poezi nga Myrteza Mara

 

POETËT

Poetët e duan botën
të jet e gjitha bashkë,
si një ishull,
rrethuar me dallgë e pulëbardha.
Të mos ketë semaforë të prishur,
as rrugë që kanë vetëm ikje
dhe nuk njohin riardhjen!

Poetët duan që fjalët “dashuri” dhe “lot”
të shkruhen kudo me gërma të arta.
Janë themelet e vërteta,
ku mbështetet kjo botë,
janë krahët e dashurisë,
janë flatrat!

Poetët besojnë më shumë
tek gjysmëndrrat që i thurin vetë,
jeta është e tëra një ëndërr.
Pa këto ëndrra
kjo botë do të vdes,
por poetët e mbajnë gjallë
me dashuri nëpër vargjet këngës!

 

ASKUSH VEÇ TEJE S’E DI…

Në ëndërr, mbrëmë, kam parë një varr
Pllaka e mermerit kishte emrin tim.
Çudi-thashë me vete, ndihem i gjallë
Ndoshta, ndoshta e lexova gabim.

Dhe fshiva syzet e u largova pak,
Gabimi uli kokën i turpëruar
Emër e mbiemër mbi atë pllakë
S’ishte nevoja për ta rilexuar.

U hoqa mënjanë, doja të shihja
Kush do të afrohej me përmallim
Prita gjatë ku bënte hijen selvia
Kënga e një zogu erdhi në ndihmë.

Tek buza e varrit u afrove në heshtje
Një karafil të verdhë në dorë mbaje
Fotos së mermerit i fale buzëqeshje
Por unë e dija që nuk do të qaje.

Pasi u binde që vërtet kisha vdekur,
U përkule të hedhësh një dorë dhe’
Siç e hodhe ashtu edhe ka mbetur
Askush, veç teje, s’e di që jam atje.

Dorës së fatit kurrë s’i kam besuar
Sepse edhe fati-thonë-është i verbër
Kur mendova se kam për të jetuar
Atëhere m’i rrëzuan gjithë urat e jetës.

Ike e qetë, hija të ndiqte pas
Kokën nuk e ktheve më kurrë
Ndenjta tek pema sa u bë natë
Hapa sytë…Kisha qenë në gjumë!

 

KAM FTOHTË

Nga ajo që më ka mbetur
po të nis një copë hije në vend të poezisë.
Nuk është mitike,
pjesë e gjallë e kufomës time,
por ti zbardhe dhe ngrohe
me diell shprese që të androj pezmin e trishtimit.
Më parë nuk djersitja,
kur hapja shtigje në të përpjetat e fjalëve,
tani s’më binden gjymtyrët,
pres gjysmën e hënës pas kangjellave të durimit.

Me vargje, vizatoj fytyrën e ditëve,
si pema hijen mbi tokë,
por sado që e nder këmishën e lagur të mallkimit
në litarin e erës,
kam ftohtë, mikja ime, kam ftohtë!

Në qiellin e shurdhër,
ku klithin të varura gjëmimet mashtruese,
bjen orteqe ngricash
mbi supet tanë që s’dinë të krrusen.
Mungesat e gjata ia kanë nxejrrë sytë dritës,
por unë s’dua t’më perëndoj dielli im
mbi ditarët e tragjedive të thyera,
duke u vetëmburrur me të shkuarën e harruar.

Ditët shtrëngohen të pjellin pak buzëqeshje,
por nuk kam kohë të ndalem;
duhet të shkoj në udhën e Besës
më pret kali i Kostandinit…

Ah, mikja ime,
vetëm pranë teje rritet e ngrohet hija
dhe, nëse koha s’më jep vite me jetë,
të paktën s’më ndalon kush të vdes.

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s