KULTURA ANDROCENTRISTE DHE KRITIKA FEMINISTE / Nga: Kadrush Radogoshi

KULTURA ANDROCENTRISTE DHE KRITIKA FEMINISTE

 

Nga: Kadrush Radogoshi

Kultura shqiptare ka rrënjë të lashta, që zënë fill qysh në antikitetin e hershëm dhe, pa marrë parasysh goditjeve të njëpasnjëshme gjatë periodave të gjata të pushtimit, ka arritur të mbijetojë. Megjithatë ajo ka arritur në kohën tonë me shumë plagë. Njëra nga plagët e saj është karakteri i saj androcentrist dhe mos konsolidimi i mjaftueshëm i kritikës feministe.
Para disa ditësh në Gjakovë ndodhi një vrasje e dyfishtë: një burrë vrau gruan së bashku me vajzën nëntëvjeçare. Kjo ngjarje makabre tronditi opinionin publik në tërë Kosovën e sidomos botën femërore në mënyrë të veçantë. Shoqatat për mbrojtjen e të drejtave të grave të Gjakovës dhe Prishtinës organizuan një protestë masive në shenjë pakënaqësie me policinë e Gjakovës, e cila nuk ka reaguar sa e si duhet, kur viktima kishte kërkuar ndihmë para se të vritej. Megjithatë, ky reagim joadekuat i policisë (kuptohet sipas opinionit publik) nuk është objekt i trajtimit në këtë shkrim. Akuzat e ashpra kundër “burrave primitivë” ishin frontale dhe krijonin një ndjenjë të keqe te pjesa më e madhe e burrave, të cilët esencialisht e distancojnë veten nga makabritete të tilla. Përfundimisht duhet kuptuar se shkaku kryesor i këtij krimi dhe shumë të tjerëve si ky është kulturor. Kultura jonë është kulturë androcentriste.
Fenomeni i vënies së mashkullit në qendër të vëmendjes në familje dhe shoqëri dhe margjinalizimi i femrës quhet androcentrizëm. Aspekti paradoksal i këtij fenomeni shoqëror është fakti se një pjesë e grave shqiptare ende i edukojnë djemtë e tyre për të qenë androcentristë.
Shoqëritë e zhvilluara i kanë zbuluar shumë më parë se ne përmasat diskriminuese të këtij fenomeni, prandaj edhe kanë punuar për ta zhdukur diskriminimin gjinor dhe të gjitha format tjera të diskriminimit të njeriut. Për një mision të tillë janë vënë në funksion mekanizma shoqëror institucionalë, të cilët nuk nënkuptojnë vetëm policinë dhe gjykatat. Fenomeni, në radhë të parë, është kulturor dhe është i vjetër për shumë shekuj sepse ka filluar, që nga fillimi i patriarkatit.
Kultura, e cila gjininë femërore e ka shikuar dhe e shikon me lentat mashkullore apo nga pikëvështrimi mashkullor quhet kulturë androcentrike, e cila në qendër e ka mashkullin, ndërsa femra qëndron në margjina dhe në skenën e kulturës së tillë nuk luan rol kryesor. Ky fenomen haset në të gjitha kulturat e botës, por prezenca e tij në disa prej tyre është më e madhe, ndërsa në disa të tjera është më e vogël. Zakonisht prezenca më e madhe dhe me rrënjë më të thella e këtij fenomeni është në kulturat e mbyllura, në të cilat edhe ligjërisht është i legalizuar. Në shtetet me demokraci të zhvilluar dhe kuptohet me nivel të lartë të zhvillimit kulturor kritika feministe është më e shtrirë në aspektin horizontal dhe më e thellë në atë vertikal.
Në këtë kontekst vetvetiu lind pyetja: ku qëndron kultura shqiptare në aspektin e shtrirjes së androcentrizmit brenda hapësirës së saj? Përgjigjja për ata që sadopak e njohin kulturën shqiptare mund të jetë e thjeshtë: kultura shqiptare për shkaqe të njohura historike ka rrënjë të forta androcentrike siç ka edhe kultura perëndimore, por ndryshimi qëndron në faktin se vendet perëndimore kanë arritur ta vënë nën kontroll për të mos thënë se e kanë zhdukur tërësisht. Shqiptarët e sidomos pjesa e tyre e mbetur jashtë kufijve të shtetit shqiptar, të gjendur përpara politikave shtypëse të shteteve në të cilat u gjenden përkundër dëshirës së tyre, qenë të penguar në shumëçka. Një fakt i tillë nënkupton mundësi më të vogla të zhvillimit politik, ekonomik, arsimor e kulturor të shqiptarëve dhe pikërisht këtu i ka rrënjët pamundësia jonë, që në mënyrë institucionale ta zhdukim androcentrizmin nga kultura jonë dhe t’i zbusim pasojat e tij.
Në Perëndim ka kohë, që kultivohet kritika feministë në të gjitha sferat e jetës dhe kuptohet edhe në gjuhë dhe në letërsi. Në gjuhën angleze i kushtohet kujdes i veçantë baraspeshës gjinore. Në këtë kontekst mund të sjellë një shembull të thjeshtë: gjatë studimeve në Kanada (English as a Second Language) çdoherë, kur e kam ndërtuar kryefjalën e fjalisë të tipit “Unë dhe gruaja ime…”, më ka ardhur e nënvizuar me ngjyrë të kuqe. Arsyeja shpjegohej thjeshtë: “Është në kundërshtim me traditën kulturore kanadeze, duhet “Gruaja ime dhe unë…”. I vështruar në këtë aspekt të shprehurit e shqiptarëve me gojë apo me shkrim duhet të reformohet.
Kritika letrare feministe në Perëndim u sugjeron lexuesve, që të lexojnë shkrimtarët e mëdhenj dhe të mendojnë për ta nga perspektiva apo nga pikëvështrimi femëror dhe të kuptojnë me saktësi se çka do të thotë të jesh mashkull apo femër e krijuar kulturalisht nga letërsia androcentriste. Sulmeve të kësaj kritike nuk i kanë shpëtuar as kritikët letrarë, as studiuesit e letërsisë e as një pjesë e shkrimtarëve të mëdhenj. Në mesin e tyre është edhe Franc Kafka. Sipas kritikës feministe duhet vënë pikëpyetje para vlerësimit për karakterin universal të veprës letrare të Kafkës, të vënë në pah nga kritika letrare mashkullore. Kritika letrare feministe ka vërejtur se në temat universale të veprave të Kafkës nuk flitet domosdoshmërisht për femrën dhe, edhe në rastet kur nuk është mohuar prezenca e saj, ajo më shumë është shikuar si “një instrument i varfër” në luftën e meshkujve për pushtet e pasuri. Kritikja letrare Evelyn Torton Beck në esenë e saj “Gjinia dhe pushteti te Kafka” ndër të tjera konstaton: “Mendimet e karaktereve apo personazheve meshkuj të Kafkës shprehen me një gjuhë, që shpreh raporte pronësie” (“Kafka’s Traffic in Women: Gender, Power and Sexuality”).
Kritika letrare feministë shqiptare ka dhënë sprova të aty këtushme, të cilat duhet t’i respektojmë, por mendoj se ende nuk ka arritur të konsolidohet as në sasi e as në cilësi. Edhe letërsia shqipe ka nevojë të vështrohet dhe studiohet nga pikëvështrimi femëror. Në këtë kontekst mendoj se, për fat të mirë, disa prej shkrimtarëve tonë më të mirë nuk e kanë neglizhuar këtë aspekt, duke i ikur qoftë edhe pjesërisht androcentrizmit. Të tillë janë Naim Frashëri me vizionaritetin e tij gjenial në këtë aspekt, Fishta me figurën e Motrës së Avdi Hysës dhe Tringën, Migjeni me “Historia e njenës nga ato”, A do çymyr, zotni”, “Baladë qyteze”, “Qershijat” etj.
Si përfundim mund të themi se shqiptarët duhet të vetëdijesohen se gjuha e kultura e tyre duhen të reformohen dhe ky reformim nënkupton zhdukjen e androcentrizmit në të gjitha format e prezencës së tij. Paramendoni se sa tragjike është prezenca e androcentrizmit te një shtresë e grave shqiptare. Por, edhe më tragjike është prezenca e androcentrizmit në institucione. Do të meritonte dënim të ashpër ligjor e moral, po të ketë qenë prezente edhe forma më e lehtë e androcentrizmit në policinë e Gjakovës me rastin e mos parandalimit të vrasjes së gruas dhe vajzës së mitur nga dora e burrit dhe babait androcentrist.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s