Poezi nga Iliriana Sulkuqi
PËRGJATË SHKUMBINIT, PRANË MALIT TË VASHËS…
(…Loti im i ka ca teka…
Shkon aty ku i pëlqeka…)
Lama në ujërat e tu
mëkatin e Lamtumirës,
Shkumbin,
siç lan për çdo agim
mëkatin prej legjende
të Malit të Vashës…
Fshihmi fjalët,
zbutmi psherëtimat
gjer në derdhjen tënde,
ku bashkohen ujërat
me detet
dhe detet me Oqeanet e ngrira
prej mallit të tkurrur nga dhimbja…
……….
Nga buzë Atlantiku
I kontintentit të largët,
në mbërrittë një grusht ujë
si valëz perçeshkumë
që më sheh drejt në sy –
Të betohem,
për dritën e Zotit,
brenda saj
do ta njoh LOTIN tim
që rrodhi mbi ujërat e tu
dhe TI
ma risjell përsëri ,
Shkumbini im.
Iliriana – Prag Ikjeje
Tiranë, 18 shtator, 2018