Poezi nga Zhaneta Barxhaj
***
Ndonjëherë t’i doja përkëdheljet.
Ndonjëherë të flisja,
kur përrenjt’ e dëshirës
vërshonin mbi mua.
Po ti ku ishe?
Kur jargavanët luanin
me qerpikët e mi?
Kur krokëllima e shpirtit
ma shqeu, ma goditi,
ma vodhi këtë dashuri?
Ti ku ishe? Ku je ti?
***
Sonte paskam frikë
të fik dritën dhe të fle.
Një ndjesi shiu,
më lumëzohet në brendí
dhe më lag gjumin…
A mund të përqafohet
një gjumë i lagur?!
Rrënqethem,
mbledh këmbët si fetus,
në pritje të përshtatjes
me lëngun amiotik.
Sërish shi…
Diell,
thaje gjumin tim të lagur!