Poezi nga Vullnet Mato

Poezi nga Vullnet Mato

 

NETËT E METROPOLIT

Metropoli zhurmon, si koshere gjigante, 
me hoje lokalesh, mbushur plot e përplot,
ku gëlojnë të rinjtë, në mijëra klube nate,
mes dritash farfuritëse, si në tjetër botë.

Netëve të metropolit, në tryeza lokalesh,
mijëra çifte përkulur mbi filxhana e gota,
luajnë role në drama e filma, nga jeta reale,
me metrazhe të shkurtër e seriale të plota.

Falen puthje ashiqare, dikur aq të shenjta,
sa në filma, bëheshin truke me nënkuptim.
Tani thithen, sikur do shkulen buzët nga rrënja,
ose u jepen për bamirësi, personave qesim.

Por e keqja e puthjes së kotë, nuk ka fund,
ashtu si nuk ka fund edhe puthja e mirë.
U pyet vajza: “Pse puthe atë surrat majmun?”
Tha: “S’e pranon asnjëra, e putha për mëshirë!”

Të rinjtë kanë shkruar në mure: “Jeta osh qejf!”
por ky është shtrembërim i kuptimit që ka jeta.
Nuk mund të thuhet, ka erë të mirë një qenef,
kur dihet se eromë, kanë dashuritë e vërteta.

Puthjet e pakursyera, në dashuriçka të klubeve,
shpesh janë pa ndjenja, me fshirje të shpejta.
ashtu si në gotat e qelqit, ku shenjat e buzëve,
zhduken në lavamanët, ku rrjedhin çezmat.

Ndodh premtimet, nuk arrijnë funde gazmore,
ndonëse personazhet betohen te altari me gota.
Shumica marrin role të reja, në komedi jetësore,
duke fshirë puthjet, si të ishin dublime të kota;

Kur disa zhvlerësohen, luajnë nëpër filma horror,
se regjisorët prindër, s’i pranojnë në seri familjare.
Seri të plota, luanë në filma me krushq e dasmorë,
ata që aksidentalisht, arrijnë shtatzëni aktoriale…

Dhe s’kanë nga i bëjnë bisht lojës, në asnjë anë,
se trashëgimtari në bark, kërkon nënën e babanë.
Por vonimi martesave, nga shpërdorimi i dashurisë,
është një arsye më tepër, në plakjen e popullsisë.

 

FUQIA MAGJIKE E KËNGËS SHQIPE

Jemi vend me male të lartë, 
me shqiponja në fluturim.
Kënga shqipe na jehon në gjak,
na ndez zemrat me ngazëllim.

Na pasuron jetën e varfër,
me copa jete, nga jeta e këngës.
Kur jemi larg, ndjehemi afër,
kemi Shqipërinë në ëndërr.

Duke u endur në çdo shtet,
si emigrant pune ndër vite,
vetmia na bëhet e lehtë,
na shoqëron kënga shqipe.

Kënga shqipe është graviteti,
që na mban fort në një orbitë,
me trojet, ku na lindën etërit,
na ngroh ndjenjat thellë në shpirt.

Kënga shqipe, na ngjall emocion,
na mallëngjen gjuha e kënduar.
Nostalgjia për vatanin, na kujton,
se i përkasim një toke të bekuar.

Na kujton vitet, shtëpinë, hallin,
njerëzit e dashur, që lamë pas.
Kënga bën të qajmë, nga malli,
ndonjëherë, të qeshim me gaz.

Kënga shqipe, në vargje poetike,
ka vajzën, djalin dasmën, ngjyrën,
ka fuqinë tërheqëse magnetike,
që na bashkon në një iso frymën.

Isot e Jugut dhe ritmet Veriore,
janë këngët e zogjve të dheut,
janë fijet tona në skaje botërore,
të lidhura në trungun e atdheut…

 

KUJTOJ LIDHJEN JASHTË MARTESE

U detyrova të shes “Fordin”njëzetvjeçar, 
më pak se taksat me siguracionin vjetor.
Flaka patentën përgjithmonë në sirtar,
dy qeska lot prej syve, fshiva me dorë!…

Qava ndarjen me të dashurën lozonjare,
që më çoi në Prizren e në Prishtinë,
disa herë në vendlindjen bregdetare,
në Manastir, Shkup, deri në Athinë.

Dashnores së zjarrtë, i bleva shpesh,
veshjet më të shtrenjta, se mundësia,
pjesë këmbimi e benzinë të shtrenjtë,
duke u kursyer çdo lëng, buzëve të mia.

E desha e më deshi, si burrin babush,
pa më lënë në rrugë, asnjë ditë viti.
Në timon e frena, u ruajta si askush,
pa lënë shkak, për asnjë gjobë polici.

Pasionin, për atë dashuri të zjarrtë
dhe bredhjet me të, njësoj si pusht,
gruaja i pranonte, fare pa merak,
se ishte bërë me të, shoqe e ngushtë.

Por për njëzet vjet, i pagova shtetit,
tetë milionë, nga pensioni i racionuar,
duke shlyer taksat, si bosët e biznesit,
pa asnjë favor, si shtresë e moshuar.

Kjo bëri të prish lidhjen jashtë martese,
më të ëmbël, që pata gjatë jetës sime.
E qava e do e qaj përherë, me lot vese,
atë dashuri me flatra, për fluturime…

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s