Poezi nga Zamira Agalliu
Dëgjoje
Dëgjoje muzikën e shpirtit tim
Ajo nuk zgjat përgjithmonë
Dëgjoje muzikën e shpirtit tim
Përpara se të përfundojë
Dëgjoje …
Liria ime
Liria ime i kapërceu anë e mbanë
Barrierat e kalbura të njerëzisë
Pastaj, me hapësirën e paanë
Ngriti kangjëllat rreth vetmisë!
Brenda kësaj lirie të madhe
Ndërtova një park paqësor
Pastaj, do e mos livadhe
Dhe murin më të lart në oborr!
Jemi të lashtë
Jemi krenuar dhe krenohemi me historinë
“Jemi të lashtë” dhe gjoksin e bëmë gropë
Na e grisën hartën copa-copa gjeografinë
Dhe copën që na mbeti nuk e bëmë dot!
Azilkërkues endemi ende nëpër Botë!
Dhe Bota qesh e qan edhe sot “për ne”
I çamë detet me këmbë edhe me kokë
Si të ishim pa shtëpi e pa atdhe!
Jemi më të lashtët e të lashtëve edhe në mërgim
Pjesë e hartës evropiane me sytë përtej oqeanit
Vlerat nëpër torba i ngrejmë mbi shpinë
I mbjellim atje ku nuk i shërbejnë vatanit!
Malli im
Malli im, ortek që rrokulliset venave
Dhe bie greminave të melankolisë.
Malli im, jehonë që përplaset shpateve të mendjes
Dhe përshkon shtrateve të artereve
Malli im, udhëtim me busull drejtë galaktikave
Gjen forcën e arsyes dhe peshën e pasionit
Malli im, udhëton netëve pa yje me sytë e shpirtit
E merr udhën e qumështit për tek ylli polar.
Malli im, përkundet si velë magjie
Dhe mbulohet nga eklipsi i jetës.
Malli im…
……………..