Poezi nga Petraq Risto

Poezi nga Petraq Risto

 

Somnambul

Çdo mesnatë qyteti lëngues mban në kurriz mollën kafkiane të Zamzës
Mbi të mrekullisht ecën një somnambul.
Engjëll dhe demon pa veshje perëndish
Duket në një kullë sahati, merr akrepin bën duel me Hronosin mitologjik
Hyn në kabinet të Presidentit hedh një firmë të vonuar
përkëdhel Hënën e bardhë: gropë gëlqereje ku të vrarët ka varrosur diktatura.
Çdo mesnatë në qytetin lëngues që mban në kurriz mollën kafkiane të Zamzës
lëviz i shekspirizuari Somnabul.
Ai nuk gabon, absolutisht nuk gabon
Hedh hapin e sigurt mbi një hark violine – dashurinë zgjon
Pastaj befasisht hyn në dhomën e poetit i verbër si Homeri e Borhesi:
“vrasësit i ndodh fati i viktimës”…
Kapeni somnambulin kapeni somnambulin para se të ecë dhe në tehun e thikës!
Po somnambuli ecën qetësisht nëpër rrugën që e njeh mrekullisht
kështu nga e hëna tek e diela
nga kulla e sahatit te maja e akacies së brishtë…
Vallë pambarimisht?…

Tiranë, 1991 (Botuar te vëllimi “Zgjohu, princesha ime!”, 1994)

 

MBRETI I HIJEVE

Era s’ka hije: ia ka falur reve dhe pemëve
Hijet s’kanë ngjyra: e shikojnë botën me sytë e ujqve
Shpirti s’ka hije: ia ka falur trupit 
Dhe hija e trupit s’ka ngjyra si fundi i një pusi.
Hijet heshtin dhe kur qiejt bubullijnë
Dhe kur pemët kërkojnë duel me dorashka gjethesh
Hijet heshtin dhe kur trupat mërmërijnë
Hijet: harta jonë memece.

Ç’po thotë Mbreti i Hijeve nën një pemë të zhveshur:
Dallëndyshet i ngrenë nën strehë foletë – janë hije me zemër.
Lumi me hije të lëvizshme mbi supet ujore
Gjarpri në krah lëviz me një hije rrëshqitëse që s’bëhet dot lumë
Hijet e pranverës janë lozonjare ngaqë dashurohen
Hije ëndrrash gabojnë rrugën në gjumë.
Era s’ka hije, hijet s’kanë ngjyra
Gabojnë udhën hijet në ëndrra
Dhe shpirti s’ka hije jashtë
Ngaqë lëviz brenda…

Tiranë, 2 janar 2014

 

Më mungon, u them…

Kur ti mungon trëndafili më tërheq për mënge
Kështu ndihmojnë të verbërin nga rrëzimi. Më mungon, i them.
Zemra jehon si bastuni në rrugicat e brinjëve: më mungon, i them.

Mungesa ka qiell të zymtë me re mëllenjash
Horizonti është bletë balsamosur në dyll
Qyteti më duket absurd: libër rrëfenjash
Ku përpëlitet e digjet një yll. Më mungon, i them.

Dal në breg, albatrosët e hirtë me kamat e krahëve
Presin ca koka te padukshme mungese
Oqeani me dallgë si gjuhët e kambanave
Në kulmin e një meshe… Më mungon, u them.

Po si mund t’i mungoj oqeanit – bregu
Drerit – shtegu, mëllenjave – qielli …
Eja dhe horizonti do gjallërohet si një bletë
S’do më tërheq për mënge trëndafili…

Eja dhe në qytetin e madh do hepohen rrëfenjat
Si velat kur anija merr nga bregu
Eja… gjer tek unë do të shoqërojnë zgalemat
Dhe dreri për dy orë s’do kaloj te shtegu…

Manhattan, 20 dhjetor 2013

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s