Këpucët e përbaltura nga Odiseu i Homerit tek Uliksi i Xhojsit i autores Natasha Lako / Nga: Zhuljeta Grabocka Çina

Këpucët e përbaltura nga Odiseu i Homerit tek Uliksi i Xhojsit i autores Natasha Lako
 
Tregim për këpucët e përbaltura
 
Nga këpucët e përbaltura, trupi niste përpjetë, atje lëkura jote e bardhë, përkundte si në djep një copë lëkurë të vrarë, të zezë.
 
Ti heshtje, unë zhvishja baltën shpejt e shpejt, nuk shihja më këpucë, por dy kafshë të vogla, të therura. që nuk flisnin më.
 
O, i kam dashur më shumë se ty, ato dy kafshëza të vrara, që të ndjekin pas.
 
Nga një kalë i vjetër dhe i lodhur, ose nga hamshor i zi, ka mbetur diçka te ti prej të gjithë centaurve.
 
Tani më kanë mbetur prej teje vetëm ata dy këlyshë të heshtur, të vegjël.
 
Narracioni lirik ka qënë e mbetet pjesë e përjetimeve jo vetëm të rrëfimtarit epik, por edhe i përjetimeve të unit lirik. Detaji përgjithësues që objektohet në këto raste i ngjan një trupi shumëplanësh demostrues universial. Nuk ishte një rastësi që një titull poezie i Natasha Lakos “Tregim për këpucët e përbaltura” do të më grishte në reflektimin e pasurisë së labirinteve të teknikave narative. Pasuria e tyre janë djepi ku përkundet materia letrare që nga “Odiseu” i Homerit deri tek “Uliksi i Xhojsit”, poezi e prozë. Së bashku me këto teknika dhe koncepti i pasqyrimit të lëvizjes në kohë e hapësirë ka evoluar në raport me rrjedhën e saj natyrale. Imazhet tona të lëvizjeve në fantazinë fëminore janë hapëruar nëpërmjet të tashmes tregimtare të prozodisë sonë popullore e asaj botërore. Formulat e tyre hyrëse të ndërtuara me foljen e përsëritur të së tashmes tregimtare të tipit “ec e ec / ose /shko e shko…” etj. përveç konçizitetit të shprehjes realizojnë mjeshtërisht, jo vetëm lokalizimin e veprimit, por të përfshijnë në magjinë e aventurës me cilat heronjtë tregimtarë kanë mbetur në agun e formimit letrar të çdo individi. Formula hyrëse ka rolin e sinjaleve të veçanta të kalimit nga rrëfimi i zakonshëm në një rrëfim të organizuar artistik. Ato janë të pasura e sendërsojnë segmente të caktuara kohe, hapësire e personazhe përgjithësuese.
 
Në ecjen e tij letrare njeriu i rikthehet herë pas here këtij pragmalli fëminor. Atëhere kur i rënduar në vite e përvoja me një kthjelltësi të mahnitshme i nënshtrohet dëshirës për të medituar në mënyrë filozofike. Kjo nuk është vetëm një dëshmi ekzistence i realizimit jetësor të tij, por është dëshmia e një naracioni epik që nuk mund të ketë as fillim e as fund. I cili sa herë që vjen do të na imponohet instiktivisht, herë dhunshëm e herë plot delikatesë e brishtësi pafajësie ekzistenciale. Poezia e Natashës me “narativitetin” e saj të moderuar të përfshin në konkretësi e ndjesi poetike.
 
Në strofën e parë të poezisë së saj pranëvënia e këpucës prej lëkure e të përbaltura, me lëkurën e bardhë të trupit fillon trolljen e një pete brumi pasi e ka gjetur aperativin e tij poetik: /përkundte si në djep/ .
 
Epiteti “të vrarë” i bashkon dhimbshëm të dyja lëkurat, të dyja pamjet e gjasat. Lexuesi tejkohor e ndjen nëntekstin socialestetik në të cilin e përkund djepi i jetës dhe e nënkupton më shumë se sa një dhimbje fizike këtë konstatim. Në jetë s’mbetet njeri pa e vrarë këpuca. Epiteti i dytë përforcues që përshkallëzohet në atributin e mbiemrit “të zezë” të kujton dhjetra vargje popullore përgjithësuese të rrugëtimit njerëzor të tipit: /O jetë e zezë, qëndro qëndro/ o zemër zezë, mos u dorëzo!
 
…ku më shumë se disfata ndihet trimfi e qëndresa gjithë shpirtërore, lartësohet stoicizmi historik i mbijetesës së qënies njerëzore që prej gjeneze.
 
Nën veshjen e këtij tisi bardhë e zi pas metaforave foljore të së kryerës së thjeshtë / trupi niste përpjetë/, dhe…/unë zhvishja baltën/, foljet niste, zhvishja që tregojnë një veprim të plotë të së shkuarës, por që bëjnë aktualizimin e përjetimit të ligjërimit poetik tek lexuesi. Me lehtësinë e natyrshmërisë përshkruese në strofën e dytë vijnë menjëherë, përballë dy botë dhe dy gjendje meditative psikologjike:
Ti heshtje…dhe… dy kafshë të vogla…nuk flisnin më/. Një heshtje dyplanshe nënshtruese e përvuajtëse!
 
Në zinxhirin biologjik të jetës njeriu është i justifikuar në veprimin therorizues mbi botën shtazore në emër të instikteve të ekzistencës. Pa harruar flijimin njerëzor me qetësi sublime në botën e miteve olimpike. Por kursesi njeriu në përgjithësi e lexuesi në veçanti në epitetin “të therura” nuk mund të jetë indiferent ndaj lidhjes shpirtërore midis këtyrë dy botëve që dashurohen dhe nuk urrehen a përjashtohen edhe pse rrezikohen prej njëri – tjetrit.
/O, i kam dashur më shumë se ty, ato dy kafshëza të vrara, që të ndjekin pas. “Këpucët” detaj realizojnë vetërrëfimin në planin individual e konkretizues por dhe në planin universial historik e estetik legjendarizues.
 
Pasthirma ”O” e pasuar me shkallën sipërore ndajfoljore, “më shumë se ty”, e tejkalon momentin relaksues raskapitës. Ky çast epifanik godet e zbulon domethëniet e fshehura brenda ndjenjave të cilat e ndryshojnë plotësisht mënyrën e të menduarit të unit. Kjo formë shprehje është një lloj arratisje e Natashës, për të shpëtuar nga jeta e vjetër e skllavëruese me dëshirën për të ndërtuar një jetë të re. Ajo është në kërkim, brenda unit për të shtjelluar ide të reja duke kapërxyer ylberin e të gjitha ngjyrave të jetës, që lidhen me shkallët e rritjes së njeriut, nga fëmijëria, adoleshenca e deri tek pjekuria e plakja. Është pikërisht kjo që “Odiseja” vazhdon të lexohet në greqishten homerike dhe të përkthehet në gjuhët moderne në mbarë botën. Pavarësisht se ajo u shkrua apo u mblodh prej aedëve më shumë për t’u dëgjuar se sa për t’u lexuar! … dhe përmban 12.110 rreshta heksametri daktilik. Natasha këtë arratisje në kohë e shpreh nëpërmjet dy vargjeve befasuese me imazhin e tre pranëvënieve :
 
/Nga një kalë i vjetër dhe i lodhur, ose nga një hamëshor i zi/ ka mbetur diçka te ti prej të gjithëve centaurve/.
 
Ky këndvështrim, pra ecja metonimike e këpucëve kulmon në dualizmin mitik të centuarve kuajve – njerëz. Poezia ka priviligjin e përgjithësimeve të mëdha. Fjala e ngarkesa figurative e saj luan bukur dhe nënteksti flet. Nga një kalë i vjetër e i lodhur tek një hamshor të zi, i ushqyer e i fortë, i papërmbajtur për ballë dy këlyshve të heshtur e të vegjël. Përdorimi i nënvetëdijes në një naracion poetik të tillë është cilësi themelore e modernitetit të letërsisë botërore. “Uliksi”i Xhejms Xhojsit është një sprovë e sukseshme e saj. Edhe tek poezia e Natashës realiteti, objekti, veprimi, reflektimi vjen prej ndjesive të fshehura në psikikë. Fijet e fjalëve, imazheve dhe nocioneve, të cilat duken kaotike dhe kontradiktore kanë vlerë nominale, e përshkruajnë botën si qenie njerëzore, dhe e perceptojnë dhe interpretojnë atë, jo si të ishte një e “vërtetë jetësore”,por një e “vërtetë poetike” që shërben për të shprehur tjetërsimin e njeriut modern, pas humbjes së iluminizmit dhe sigurisë në progresin njerëzor. Këto karaktere të pikëlluara, Xhojsi dihet se i ka shkëputur jo vetëm nga jeta fizike, por edhe nga jeta shoqërore. Edhe përshkrimi i poetes në këtë plan të duket asocial por është civilizues. Koha e brendshme e përjetimit tek “tregim për këpucët e përbaltura” shuan hendekun mes kohës kronologjike dhe kohës së brendshme. Në vend që të ndjekë rrjedhën lineare të ndodhive në mënyrë tradicionale ajo lëshohet në krahët dhe impresionin e unit. Mbyllja me imazhin e një prej rasteve më të mistershme të miteve të vjetra, siç është ajo e Centaurëve, njerëz-kuajve, që besohet se banonin shumë pranë nesh në malet e Arkadisë a Pindit, a thua se janë në kërkim të këpucës së Hirushes së bukur të ndëshkuar nga njerka!
Pse jo, poezia e proza janë të zgjedhura prej princeshave!
 
 
 
Nga: Zhuljeta Grabocka Çina
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s