Poezi nga Mihallaq Qilleri

Poezi nga Mihallaq Qilleri

 

MË ZGJAT NJË DORË…

Ndihem i ajërt tashmë midis marrëzisë sime dhe Tokës,
Poshtë meje dheu i trazuar me lypsarë, miliardierë, vullkane,
Mes krimeve politike të sajuar përditë, përnatë, evazive
Jo për të mbrojtur botën, por thjesht për ekselencë primitive.

Sa herë kam menduar se nuk ia vlen më jeta në këtë rruzull,
Të ndotur, të plagosur, të vrarë, hakmarrës si anti-perënditë,
Sa herë kam menduar se po të mos ishe ti që mendon aq ndryshe,
Nuk do t’i dërgoja ankthet me postën e ajërt të askundit përditë.

Sa herë kam menduar se kjo jetë, kjo tokë, ky rruzull i molepsur,
Me dete, gremina, qiej të sëmurë, tragjedi avjonësh prej marrëzish,
Nuk do t’ia vlente të jetonte as për kumar lëtyre e ekzistence,
Në se nuk do mbijetoje ti, o qelizë e hatashme mrekullish.

Ndihem i ajërt tani mes marrëzisë sime dhe Tokës ku mbështetem,
Pa ty o jetë e vërtetë, o pjellë e marrë dashurie nuk do tretem..
Më zgjat një dorë në humnerën e së përjetshmes, pa dyshim.
Dhe unë thjesht do të ngazëllehem , do buzëqesh, do gënjehem!

 

VETËM NJË ORË…

Vetëm një orë dhe ti u bëre i gjithë globi im,
Me tokë, diell, lule, liqene të kaltër e dete,
Vetëm një orë për ta ndjerë, mjerisht,
Se jeta ka shumë vite të plogëta, të mpira,
Muaj të zbrazët si kosha të përmbysur,
Mijëra orë të zbehta pa formë, pa kuptim,
Miliona minuta të ftohta-brymë pa frymë.

Vetëm një orë dhe ti solle atë që mungonte
Përtej dritareve të thyera të shpirtit,
Deri atë kohë të mbyllura me perde të errëta
Si në vitet e panikut prej bombardimeve kozmike..
Akaciet buisën, tulipanët shpërthyen,
Një orë, një zjarr, një yll, një qiell
Ja përse ia vlen të jetosh ndonjëherë,
Vetëm, vetëm për një orë me ty.

 

NJË QESHJE FËSHFËRITËSE

Në konturet e mbrëmjes enden hijet e një kohe
Aq shumë të njohur, aq shumë të bukur…
Sa ngjethem, kthjellohem, mallohem
Në çastin më absurd të ekzistencës.
Te Parku i Liqenit ngarkuar me muzg,
Ku fryn një puhizë e ëmbël agonie,
Përmes trungjeve të drejtë e të pagjethë,
Mërmërojnë ca xixëllona dritash të verdha,
Dhe vetvetja absurde si fantazmë vjen e ikën.

Shtanga, siç ndodh me hijen e ftohtë, të huaj
Që më erdhi pas shpine e më përndjek kushedi se kur..
Një qeshje fëshfëritëse endet pyllit të heshtur,
Tokës së pjerrët vrapon e kapur pas gjetheve,
Deri në buzën e lagur të Liqenit të Tiranës.

Ishte rinia ime e varfër, shumë e bukur,
Që përqesh mbrëmjen e sotme të stisur,
Kur lëviz për t’i shpëtuar mpirjes, thinjave!
E ndala, e ndala të hutuar,
Si një xixëllonjë që kapim në fluturim,
Duke pritur të dëgjoja gurgullimën e dikurshme
Të buzëve që nuk i putha kurrë.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s