Hyri në shtypin e Shtëpisë Botuese  “EMAL”  vëllimi poetik i autores Lumturi  FORTUZI, me redaktim dhe kopertinë nga shkrimtari Vullnet MATO 

Hyri në shtypin e Shtëpisë Botuese “EMAL” vëllimi poetik i autores Lumturi FORTUZI, me redaktim dhe kopertinë nga shkrimtari Vullnet MATO

 

NJË PENË ME TALENT TË SPIKATUR NË VJESHTËN E MOSHËS

Si kundër e thotë edhe në jetëshkrimin e saj, autorja Lumturie Fortuzi, ka trashëguar talentin në poezi dhe pikturë, qysh në vegjëlinë e saj, por rënduar dhe e penguar nga jeta, nuk ka mundur t’u kushtohet këtyre gjinive të artit. Tani, në vjeshtën e moshës së saj, ajo ka vendosur dhe nxiton të publikojë një pjesë të meditimeve të veta poetike. Këtë e shpreh edhe në këta vargje:

“Nxitoj, se më ikën koha çdo ditë,
Nxitoj, se vonë i nisa poezitë,
Nxitoj, se grisa shumë fletë,
Nxitoj, se dua t’i lë kujtim në jetë!”.

Poetesha Lumturie, bën disa përshkrime të spikatura natyre, shpesh duke na nxjerrë në pah ndonjë ide interesante, për problemet që ka njeriu në marrëdhëniet e tij me natyrën.

“Ky livadh i bukur, si det i pa anë,
fëshfërin mbytur, duket sikur qan.
E kanë prerë pyllin, që qarkonte anët,
mbeten veç gurët, si kujtim nga të parët.
Bashkë me pemët, ikën dhe kafshët,
kështu ngeli pa miq, livadhi i varfër.”

Trishtueshëm, por me mjaft realizëm artistik e përshkruan ajo gjendjen e fshatit shqiptar në vitin 1966, kur kishte shkruar atje vullnetare me të rinjtë.

“Nuk pashë një pulë a një gjel të këndonte,
veç rigonte shiu e balta gjithandej mbretëronte.
Dukej sikur qielli qante me ngjyrën e zezë,
për fatkeqin dhe të varfrin fshat Çalabërzez.”

Në shumë vëllime poetësh, ndeshemi me poezi për vetë poetët, ku ata e përshkruajnë veten si specie e rrallë, me një talent mbi të tjerët. Autorj Lumturije na jep një portret krejt origjinal, se si e shohin vetë njerëzit poetin:

“Është pak i çuditshëm, thonë për të qyteti,
fluturon në vargje mendja e këtij poeti.
E çmend vasha e bukur, e huton një flutur,
flet me zë të ëmbël, zogun për ta zbutur.
Vrapon mes fushës, si një çamarrok,
luan me fëmijët, sikur i ka shokë.
Duket sikur ëndërron syhapur, ditë e natë,
por poezitë e tij shpirtin ta ngrenë lart…”

Një përshkrim vajtimtar, i ka bërë kjo poeteshë, pamjes së shtëpisë të braktisur nga familja e ikur në emigrim:

“Dhe ja, një ditë e braktisën të gjithë,
e mbyllën me kyç, mbeti si kujtim.
Nga jashtë tregonte njollat dhe dangat,
brenda e grinë mola dhe merimangat.
Filloi të pikonte, iu prish oxhaku, çatia,
aq shpejt u shkatërrua, sa u çudit njerëzia.
Si duket, shtëpinë e mbante gjallë gëzimi,
britmat e fëmijëve, hidhërimet, pastrimi. “

E shqetësuar, si do të pritet nga lexuesit libri i saj me poezi të thjeshta, të sinqerta dhe me tema të zakonshme jetësore, autorja Lumturie Fortuzi ka derdhur këto vargje mbresëlënëse me dëlirësinë e moshës së saj:

“Ose që nga lindja, je gjeni,
ose me forcën tënde, fjala nuk ndrit.
Nga dora e poetit, vargjet si në mulli,
rrjedhin miell të bukur, të bluar flori.
Por ka disa lloje mielli në mulli,
siç ka poetë të mirë dhe të mjerë.
Ca janë grurë i pastër, ca misra kalli,
ca hime për pula e të pa vlerë.
Pres me kënaqësi dhe me durim,
Si do u duket lexuesve mielli im!”

Si redaktor dhe inspirues për botimin e këtij libri, të zonjës së nderuar Lumturie Fortuzi, ikur prej kohësh në mërgim, i them asaj dhe lexuesve që do ta marrin në dorë librin e saj: Kur njeriu ka brenda shpirtit një ngarkesë të hershme, me vuajtje, trishtime, emocione të pazbrazura, me vite meditimesh dhe dyshimesh për vlerat artistike, pa pretenduar lartësitë konkurruese, gjëja më e mirë që mund të bëjë, është ta shkruaj e ta botojë, produktin e mendimit të tij, për t’ua lënë trashëgim pasardhësve të vet, që e imagjinojnë jetën e tjetrit vetëm një mister.
Duke i uruar jetëgjatësi, i uroj shpirtërisht kësaj zonje të nderuar, të mos e ndalë oshtimën e penës se saj, derisa zemra t’i oshtijë në kraharor, në harmoni të përbashkët me të.

 

Vullnet Mato- shkrimtar, “Personalitet i shquar”

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s