Poezi nga Marsela Neni (Haxhimusai)

Poezi nga Marsela Neni (Haxhimusai)

 

Aromë gruaje

(Mes dhjetra shishesh ekspozuar në vitrinë përzier me erë nëntori që zhvesh natyrën)

Aroma* agrume, të freskëta, të lëngëta,
gjethe të kuqerremta vjeshte, pak krokante,
pak erë bukë thekre e ngrohtësi shtëpie,
erë buzëqeshjeje fëmije e qerpikësh të paqtë
para puthjes së ëmbël të natës së mirë,
erë dheu pasi me shiun ka bërë dashuri,
Oh…erë pritjesh pa gjumë nďër sy…
erë dhimbjeje, erë rrobesh të zeza ngjethur për trup,
erë humbjesh të pazëvendësueshme,
erë kujtimesh dashurish që s’ vdesin kurrë*,
erë çajëmali kur vetëmbështillem
për ta dashur pakëz veten, sensualisht,
provokueshëm nën lëkurëdrithërimash.
(Vetëm atëherë kuptova pse zgjidhja atë parfum, për ta mbajtur mes gjinjve…)
Njerëzit mund të mos jenë të ngjashëm,
por … shpirtrat po,
Se dhe shpirti ka parfumin e tij!
Shumë gra të bukura
e kanë veshur hireve parfum t’ atillë.
Erë engjejsh mbi tokë!
S’e di ç’më lidh me to?!
… mbase, diçka pangjashmërisht e ngjashme!
… mbase, se thellësisht nën lëkurë të njëjtën aromë mbajmë: Aromë gruaje

Parfum që mban emrin G R U A,
duhet pak nga ty për ta dashur botën!

*aroma- si folje ( jo si emër);
*referuar historisë së krijimit të parfumit Coco Channel 5, i cili u krijua më 1921 nga vetë stilistja, si një dhuratë për veten, pas humbjes së dashurisë më të madhe të jetës së saj.

 

Shënime poetike

Nevojitet të vdesë poeti
Që të lindet vargu!
Ja…,përse s’i besoj as unit
Kur, edhe pse më do
Nuk kultivon natyrën time.

 

Engjëll
( Për gruan-mrekulli Kaliroi Papa)

Gruaja është një qenie e mrekullueshme.
Ndër të gjitha më e mrekullueshmja ishe ti!

***

Si një ëndërr më shfaqesh ndër sy,
Ndër kujtime t’gjalla t’fëmijërisë time
Në Tiranën e trazueme t’pas viteve ’90.
Ah…dashuri! Nënë e dytë!
Veç ta dije, sa më ka marrë malli!
Mall që djeg për një tëndin përqafim
Tënden dorë mbi të artët flokë të mi.
Eja përsëri si atë natë, prej parajse fluturim!
Si engjëll ulu pranë shtratit tim!
Më jep një puthje sërish mbi ballë!
Të mos e harroj sa të jem gjallë!

 

Motiv i një stine të humbur

Ulur në prehrin e vjeshtës
së jetës sime,
Si një piktore e hipnotizuar
prej një bukurie të pakuptuar,
kujtimet mpreh, si maja lapsi.
E bashkë me telajon përziej
ngjyrat e aromat e ndjenjës.
Ti, i huaj je për profile vjeshte!
I fshihesh dritëhijeve të vargut tim!
E di! S’ke dash’ kurrë t’pozosh
për çaste që vdesin!
Ndërsa unë…, unë e panginjur jam për vdekje t’atillë!
Ti, shpirt! Ngjyrë boheme
që përvidhesh ndër penelata!
Ti, Rembo këpucëgrisur!
Që fle nën velenxë yjesh që s’feksin
të pranverës sime!
Një stinë humba, duke të pritur ty!
Mjaft!
Mjaft më me dredhi prej Uliksi!
Kuptomë, i dashur!
Janë rrokullisur kohët, mijëvjeçarët!
Penelopat kanë vdekur!
Circet janë shtuar!
Mirëkuptomë!
Vjeshta vjen, por moti prap’ndron,
Po pranvera, rinia ime, ikën pa kthim!
Po ashtu si unë dhe ti
nuk je më pranverë! Kujtohu!
Herat flokëverdha nuk t’i pakësojnë dot
thinjat mbi krye!
Ti vazhdon endesh si banor i kurrëkundit!
Me besimin egoist se gjithnjë do ta gjesh
një shteg, për të ankoruar në mua.
Por dije se koha s’fle! Lumenjtë rrjedhin!
Portet nuk do të jenë gjithnjë aty për ty,
të mirëpresin me ëndërrime boshe!
Kuptomë! Tash’ është vonë!
Është vjeshtë!
Mbi telajo përgjumen ngjyrat!
Pas çdo gjetheje që shkërmoq nën këmbë,
zhduket një pjesë nga imazhi yt i zverdhur;
Si një letër që digjet e ngel veç hi keqardhjeje
stinësh të humbura.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s