Cecilia MEIRELES
Kalendari poetik: Cecília Meireles (1901-1964)
Cecília Meireles de Carvalho Benevides, poete, mësuese dhe gazetare braziliane, u lind më 7 nëntor 1901 në Rio de Zhaneiro. Ishte 18 vjeç kur botoi librin e parë me poezi. Shkroi edhe shumë poezi për fëmijë. Në vitin 1939 fitoi Çmimin e Poezisë nga Akademia Braziliane e Letërsisë. Në këtë përvjetor të poetes së shquar braziliane ja përzgjedhja ime:
ZHURMA E HAPAVE TË TU
Më lehtë të mbështetësh veshin tek retë
dhe të dëgjosh si kalojnë yjet
se sa ngjitur pas tokës të mbash vesh hapat e tu të vinë.
Dhe më e lehtë është, sytë oqeanit t’ia ngulësh
e të ndjekësh si trajta të reja jete lindin në fund të tij,
se të çfaqesh ti, duke bërë një gjest të thjeshtë,
shenjë e shpresës së përjetshme.
Nuk dua t’ia di më as për yjet, as për trajtat e jetës në det,
as për ty.
Brenda kohës kam shpalosur këngën time;
gjinkallat nuk i kam zili; do të vdes dhe vetë duke kënduar.
© shqipëroi Maksim Rakipaj