Poezi nga Sinan Vaka
IMAZH
Ecën në rrugë e shpërqëndruar
dhe mijëra sy e mijëra veshë
të imagjinojnë ashtu siç duan,
por unë vetëm perëndeshë.
ËSHTË VONË TANI…
Është vonë tani, pas pak afron nata,
zemra e zogjve tundohet nga gjumi,
nga era me tinguj mbi degët e thata
dhe një shuuuu e stërmadhe nga lumi.
Është vonë tani, po mbretëron heshtja
me dritat e lbyrta në këtë qytet skajor,
vetëm gjethe të ngjyrta që i rrëzon vjeshta
dhe një shuuuu… nga shkumbimi lumor .
Është vonë tani dhe projektorët përballë
përplasen monumenteve në piedestale,
duket kërshëri në këtë qytet të rrallë
edhe të vdekurit marrin pjesë heshtjes totale.
Ështe vonë tani, por mbi ritmin e këngës
një sirenë thyen mitin si në përrallë,
poeti rikthehet nga rruga e ëndrrës,
nënqesh dhe mermerit “qenkam gjallë“ .