MËZI / Tregim nga Edmond Llaçi

MËZI

 

Tregim nga Edmond Llaçi

     E ndjente përbrenda shpirtit ritmin e ecjes të asaj krijese të fuqishme. Hingëllima, troku i rregullt dhe elegant i saj e kishte joshur vazhdimish. Pas shumë përpjekjesh, lodhjesh e sfilitjesh  e kalëroi dhe të dy e kuptuan  se do të ishin të pandarë. Shpesh i mbërthyer fortë pas krifës të asaj kafshe katërkëmbëshe,  mëzit që rritej për ditë, të bërë njësh me njeri tjetrin, duke çarë me tërbim ajrin, i kapte çmenduria e të rendurit. Aty, tek dëgjoje përplasjen e hapave, nuk arrije t’i shihje. I gëzoheshin forcës që u kishte falë mosha. Kishin lindur për të qenë të lirë. Të dy, të përhumbur në çmendurinë e arratisë, kapërcenin brigje, përrenj, monopate të vështira ku vetëm ata i dinin, duke u shkëputur nga jeta e përditëshme e vendlindjes.
      Instikti i riktheu në çastin e duhur pranë njerëzve të tyre në fshat. Armiku, pabesisht i kishte sulmuar dhe po vriste e priste. E shqetësuar nga tringëllima e shpatave dhe të bërtiturave ajo kafshë luftarake u sul, duke çarë mes për mes trupat armike. Bashkëfshatarët i shkuan pas luftëtarit të panjohur. Pas tij, të gjithë  nisën  të qëllonin e të shponin me tehun e shpatës këdo që u dilte përpara. Armiku i çoroditur, pa e pritur atë sulm, u tërhoq duke ikur nga sytë këmbët.
Ndërkohë, ajo krijesë, e eksituar nga kërcitja e shpatave, ulërimave ngjethëse dhe gjakut të derdhur kudo, duke shkelur mbi trupat armike, me të zotin e saj në shpinë, e ngriti trupin  muskuloz, duke u mbështetur në të dyja këmbët e pasme. Hingëlliti fuqishëm dhe sulmoi ushtarët e fundit të asaj ushtrie vrastare, duke humbur brenda rrezeve të diellit të përflakur tek perëndonte.
      Kishte luftëtarë që nuk e çanë kokën fare se kush i udhëhoqi, por nisën t’u faleshin zotave të tyre që u dhanë mundësinë të vazhdonin jetën. Ata që luftuan në krahë të tij, do ta kishin për krenari të njiheshin me të, por asnjërit nuk i kujtohej se kush qe ai. Ndërkohë, djaloshi në të njëzetat, fill pas betejës, i gjakosur dhe tepër i ngarkuar nga ana psikologjike nga veprimi i kryer, u drejtua nga shtëpia ku jetonte jashtë fshatit, vetëm me nënën e tij. Nuk i tregoi asgjë së ëmës se ç’ka kishte bërë në atë luftim të përgjakshëm. Në ditët në vazhdim mëzi, ajo krijesë fisnike, e lidhur pranë ullirit  në anë të shtëpisë të trimit, zotit të tij, e thërriste vazhdimisht duke hingëllitur për të rendur, për të qenë të lirë.       Hingëllimat dhe silueta e shfaqur në dritën e pastërt të mëngjeseve tek ngrihej e mbështetej në këmbët e pasme duke valëvitur në ajër krifën e tij madhështore i shqetësoi fshatarët. ”Ç’ka ndodhur?”,- pyesnin ata pa e ditur se kush mund të ishte. “Mos vallë ka pësuar gjë i zoti tij”. E pa  mësuar me shumë njerëz, duke i parë ata t’i afroheshin, me sytë gati në të shqyer, duke shfryrë nga flegat e hundëve, filloi të rrëmonte me thundrat e këmbëve të para tokën. U çua, dhe duke i tundur ato në ajër, filloi të hingëllinte fuqishëm. Ndërkohë djaloshi doli vrullshëm nga shtëpia me flokë të shpurpurisur në ngjyrë gështenjë, tek i rrethonin kokën e bukur, të vendosur midis shpatullave dhe trupit vigan. Të magjepsur nuk po kuptonin se çfarë po shihnin. I u afruan.  Duke e prekur lehtë si për të mos prishur vegimin e shfaqur brenda tyre, njohën trimin me kalin e tij të fuqishëm që i udhëhoqi në luftë. Lajmi u përhap menjëherë. Ashtu siç ishin mbledhur, tek shtohej ajo turmë e madhe, e rrethu-an duke brohoritur. Ato brohoritje s’ishin gjë tjetër veçse thirrjet e tyre karakteristike, tek hidheshin në sulm kundër armikut
     Vazhdonin ta thërrisnin. Mes vrapit dhe atyre sokëllimave rrënqethëse, ku çdo gjë e gjallë që mund t’i dëgjonte do të ikte e tmerruar, turma e njerëzve e rrethoi  Nën efektin e asaj thirrje, e cila sa e sa herë e mbushte me entusiazmin e luftëtarit hyri mes tyre. Turma e sugjestionuar nga ideja e përballimit me heroin, e mori në krahë dhe, duke përsëritur thirrjet luftarake shkuan drejt tempullit për të marrë bekimin e priftërinjve. Në zemrat e tyre figura e udhëheqësit, komandatit qëndronte madhështore.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s