Poezi nga Rudina Muharremi Beja

Poezi nga Rudina Muharremi Beja

 

DITË E FTOHTË

Hëna e bardhë nuk ia hap udhën mëngjesit sot
as sa yje ranë sonte askush s’i pa,
sa dëshira në anije të ëndrrave lundruan, sa u mbytën, sa mbijetuan…
sa filozofi u gdhinë në spazma të kota, mureve të ftohta,
udhëtuan t’ lavdive karroca…

Agut të parë, dy dallendyshe stërpikur shiut,
fluturojnë hukatur tërfilit të reve që rend maleve.
Tre lisa më tej krahët kanë shtrirë,
bërrylat thyer,
kurrusur prej erëva me dheun flasin
grimca të akullta shkrihen dredhave të kohës, rrjedhin
bebëzën e syrit më vjedhin.

Një re luan me bishtin e furtutunës…

Vesh një pelerinë të vjetër,
këmbëkryq ulem, pres ditën tjetër.

Asgjë nuk zgjat përgjithmonë
As shiu i ftohtë nëntorit…!

 

UDHËN HUMBUR ATDHEU IM

Si trupi pa kokë,
si vesa nën rreze tretet
braktisur nga dashuritë
udhën humbur, vendi im!

Piedestale altarit të tradhëtisë, brendia zbrazur,
shashtisur në një mijë mërmërima,
midis pyetjeve, përgjigjeve,
alkimitë,
mbuluar, zarfe heshtjeje
zhurma tronditëse,
buzëqeshje zemër plasur.

Digjesh si pishtar, ndarë e përçarë
Zhubrosur fjalët, shprishur thinjat
Shkëlqejnë fasadat …

U zhbënë vyrtytet, i vranë fatzijtë
toka zhuritur kahut tjetër.
Ku vajtën dashuritë…?
A thua Zoti u lodh me lutjet tona, e na braktisi,
tek numëron mëkatet e panumërta…!

 

KURORËN TËNDE

Kurora mbaj kudo që shkoj,
dritë- ylberi, për ty vendi im
Kraharori yt strukur mes kodrash
lagur nga valë dashurish.

N’ hije t’ kalasë të një kryezoti,
që besë i zuri veç shpatës vet
Zëshëm psherëtin dallga, e lut,
T’ vdesin burrat, si vdiqën që moti!

Dheu im,
të gjithë i dëbon, pa një të ardhme
m’ thërret tharmi i brumit të bukës.
Rrugë gazmore,
o djep i burrave të përkorë:
krenare të mbaj tënden kurorë!

Mos lëngon këmbëve t’ Rodonit,
shtatin drobitur
ta ndjej rënkimin, që lëshon dhimbje kur të kafshojnë.

Lidhi fort fijet e shpirtit e zër besë.
Lute shpatën e Skënderbeut,
kthetrrat e zeza sërish ti presë..

 

MBOLLA NJË LOT

Vështrimi im ka kohë që hapësirës ia ka vjedhur pafundësinë,
buzëqeshja, fëshfërin boshllëkut,
endem si tren që nuk lë gjurmë,
me krahë letre, më kot,
muzgjeve gjithë tym,
caqeve të ditës,
kaheve të botës.

Netëve mbuluar me kapakë të lodhur.

Venerojmë ngrehina, që heshtur vrasin shpirtra,
stinëve të shterura në gji të pasthirrmave
zemrër drithëruar,  pëshpërima…

Si qerpikë të trishtë
pikojnë strehët e kujtimeve,
shirave,
që ndjellin memories
stërkala të shpresës,
tek shfaqet dritë jeshile,
shëmbëlltyrë e etërve.

Balli i djersitur,
hiçin lëmon me smeraldet e lima
arna plot,
një copë ngjyrë i shkëput qiellit,
përgjysmë me ne ta ndajë;
Syrit mbjell një lot…!

 

SHTIGJEVE TË VJETRA

Era shkund gjethet,
degëve më të fshehta,
orëve të vdekura…
E unë prej vetes shkund mëritë.

Zgjaten qiejve hije të zeza,
frymojnë dhimbjet,
shkel shtigje t’ vjetra.
Shikimi përposh thyer
Buzëve…,
stërkala pështyme të helmëta.

Lodhur nga mjegulla e mendimeve që regëtijnë,
marr udhën drejt cakut tjetër, vetmisë,

Ulur në teh…, gjej veten.

Shkundte hirin e një ëndrre
në një rrasë guri…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s