Poezi nga Petraq Risto

Poezi nga Petraq Risto

 

SYTË…

Është një lojë sysh në këtë botë të vogël sa një sy, lojë e vjetër e botës sa një sy.
Sytë përballen me të vërteta (të mëdha e të vogla): herë dritëdyshim, herë dritëdashuri
E vjetër Loja. Miliona e miliarda sy të rinj. Sy. Sy. Sy.
Është një lojë e thjeshtë sysh: dashuri e re, sy të rinj. Një lojë e vjetër sa urrejtja.

Sy të lodhur, sy me rrathë (mikropranga), sy të trishtë.
Sy ulëritës si bishë. Lojë sysh.
Sy të verbërish me dritë tek ëndrrat migruar
Sy të lodhur: livadhe që presin korrjen e vonuar
Sy të ftohtë të vdekurish: testamente të pafirmuara
Sy të lagësht: vjeshta të lodhura nga vetja… Sy. Sy. Sy….

(Arratisem ndonjëherë te një kantinë: vetëm
Rrotull më vërtiten sy gjithë neps: shishe të sapohapura
Pi e dehem vetëm në Kantinën e Syve ku mungon E kaltërta…)

Sy plot jetë: salla vallëzimi. Sy me pafajësi të bardhë dorëzonje
Sy të ftohtë, mprehtësi karamanjolle.
Sy të uritur: këlyshë dimri në gjinj ujkonje
Sy: bajame e sapokthyer në frut. Sy brohoritës.
Sy cikloni në pabesi. Sy lutës me retinat-qirinj.

Sy të heshtur me hire vejushe hirnosur
Sy të kthyer në sy-the. Sy shigjetatendosur
Sy të varur në trekëndësh (Syri i dollarit vallë?)
O Zot, me zinxhirin e syve më kthe në të burgosur!…
Veç sytë më mbajnë gjallë.

Sy të ngathët ngjyrë foke.
Sy ziliqarë talent thërmuar, tharë bashkë me gjendrrat e lotëve.
Sy që shkëndijojnë nga gjetjet e tjetrit dhe ndezin me të eshkën e tharë…
Sy që kthejnë në bebëz planetin (skuqur nga pagjumësia: ushtri e vrarë).

Sy: proverba që bashkojnë gjithë popujt e botës.
Sy me sklepa ari shfarosës. Sy magnetikë me dhunti të rralla
(Perdet e dramave s’do qenë shpikur nëse s’do të ishin qepallat).

Nëse syri yt është një galaksi dhe retina: Vrimë e Zezë
Koha, Hapësira dhe Dashuria e rreme a ngrijnë në të njëjtën zemër?…

 

MJEGULL

Nëse një këmishë mjegulle të mbulon trupin prej kujtese
S’do të thotë që mjegullën s’e zhvesh
Kam një garderobë me të tilla veshje:
Të shkojnë vetëm ty.

Një pyll në mjegull i bënë zogjtë të ngjishen me njëri-tjetrin
Qyteti në mjegull ndihet si somnambul: lëviz pa ndërgjegje
Dritat pa dëshirë pranojnë t’ia shuajnë epshin
Llavës qiellore që mistershëm derdhet.

Pres të shfaqesh ti gëzim i këtij qyteti të vogël
Mes mjegullës së zakonshme të mesnatës
Mes zjarreve drithëruese: plagë në trupin e një ëndrre
Si magji pres të shfaqesh.

Ti vonon, mjegulla diku t’i ka marrë llërët
Të ka rrëmbyer flokët, sytë, buzët dhe fjalët
Mjegulla si asnjëherë të ka rrëmbyer të tërën
Dhe përpiqet si ty përpara të më dalë.

Natyrshëm do ta pres e do t’ia zhvesh trupin prej kujtese
Po nëse s’je ti do trishtohen zogjtë e ngjeshur të foleve
Somnambuli do të zgjohet e do thotë me ngulçe dënese:
Xixëllonjat shfaqen pasi mjegulla tretet.

 

Në muzeun e fenerëve të detit

Fenerë të të gjitha kohërave: veteranë me sy ciklopikë
të heshtur nga kujtimet e shumta në forma anijesh
u dukemi detarë të humbur, timonierë të pashpresë
dhe kapitenë që s’dinë të marrin vendimin e duhur.
Janë të lodhur dhe prapë na shkelin syrin prej Luciferi
duke na joshur të luajmë anijen me detin:
Për t’u bërë qejfin gratë bëhen dete e burrat-anije
një shpirt dashurie bëhet furtunë
dhe Fenerët me ritimin e regëtimit të zemrave magjike
Thërrasin: ejani tek unë
tek unë
tek unë.
Dhe ne vrapojmë në drejtime të ndryshme
herë Kolombë, herë Magelanë, herë Piratë, herë Odise, herë Mobi Dik
kudo na presin brigje të buta e brigje të rrezikshme
direkëthyer me velat e grisura të shpresës
me spirancën e pabindur, pa busull e pa timon
gratë me dallgë dhe burrat-anije që s’dinë ku lundrojnë
dhe mes mjegullës së çoroditur të zhgënjimeve
Fenerët me një dritë të perëndishme
joshjen e jetës afrojnë.
Ejani tek unë
tek unë
tek unë.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s