Poezi nga Marjeta Shatro- Rrapaj
Lojë malli
Gjethet e vyshkura në udhë,
pafajësinë e tyre
përcjellin zërave të vjeshtës
mbuluar trishtim,
që pikon me shirat e gjatë
zgjatim i lëngut të kohës
bulëzime e ëndrra të grisura në dritare.
Drithërohet jeta këtë prag mbrëmje
e dhemb harrimi.
Në buzët e saj,
lodron liria e kufizuar
nga mjegulla malli,
tretur në agim
e rilindur një tjetër mbrëmje
që feks në horizont një yll.
***
Mbi mallin tënd
derdhet trishtimi im.
Mbi fjalën time derdhet meditimi yt.
Midis nesh një mozaik i bukur kujtimesh!
Me drita mendimi,pëshpërima muzgjesh,
dhimbje kohe,rendje lirie,ëndrra paqeje!
Dashuritë e mëdha
Dashuritë e vërteta,
nuk i gërryen ankthi,
nuk i tret as koha,
janë eterne,
fluiditet ajri
përthithur shpirtit.
Dashuritë e mëdha
nuk kanë nevojë për betime,
janë të pavdekshme,
lindin vetëm një herë
rriten shenjtësisë jetë
e vdesin bashkë me dhimbjen.
Nuk njohin dënesje,
as klithma verbimi.
Përjetësisht mbeten dritëza të bardha
që ndriçojnë errësirën,
në nanurimë dehëse.
përgjithmonë përndritje.