Poezi nga Marjeta Shatro – Rrapaj

168231013_4379384762101446_4440633147180401271_n

Poezi nga Marjeta Shatro – Rrapaj

Kumbim

E pabesueshme ardhja jote
dhe Unë nuk afrohem dot…,
je prej drite, prej ajri.
mbështjellje që syve përhumb.
Të ndjek kudo
atij fluturimi magjik
si vjen shpirtit tim
e trupin sërish më rilind.
Të kam me vete kudo
rrugëtimit tim nëpër qytet,
kur ti shfaqesh e largohesh papritur
e unë kumbim në tënden memorie.

Dashuri

Ti dhe unë
fëshfërimë e erës në pranverë
endur botës tonë të përbashkët.
çdo çast të përkundjeve blerim.

Mbushur shpirtrat
si sythat në shpërthim
filiza të gjelbër
që veshin natyrën prarim.

E përditshmja jonë
dëshirë e zjarrtë
të prekim një yll më shumë
e tretemi ëndrrës së bardhë.

***

Lëndina e shpirtit
mbuluar me lule.
Pranvera e stis begati.
Trëndafilat shpërthejnë të kuqen ngjyrë
shikimi yt po ashtu.
I zjarrtë vjen si yjet nëpër qiell
dhe ti ndihesh kaq pranë.
Herë si dritë feks ëndrrën time
e më kërkon të fluturojmë të dy shumë larg…

Pa mëkate

Mëkatarë, pa mëkate,
lidhur me rrënjët e atdheut,
prej tërheqjes njerëzore,
Dimë çfarë jemi!
Shkëmbejmë dëlirësi.
shpesh kalojmë kufijtë e vetes,
rrëmbehemi prej ndjenjave
tundohemi prej dritës,
së asaj që shkon
dhe asaj që nuk e njohim.
Betimet i shkruajmë në ajër
për ndërtimin e së ardhmes,
herë të bindur, herë të pasigurt.
Durojmë trysninë e kohës,
simbolet e pakuptueshmërisë,
të vetëdijshëm për atë që vjen
në gjysmë lirie
ikjes së çasteve të jetës.
Kërkojmë dashurinë eterne,
përgjërohemi si fëmijë,
në pritje të të pafajshmes ditë!

Ëndrrave të paqta

Tretet dita në sytë e tu,
të zgjojë universin e fjetur,
ku të rrezatojë vetëm dashuria.

Vjen,
që të harrosh shqetësimet e djeshme,
e hyn në shpirtin tënd,
ashtu siç është,
me grimca ngjyrash e zërash
krahëve fluturim
në ëndrra të paqta…!

Fjalët…!

Ditëve me diell,
kur rrezja prek me syrin e ndriçimit
kërkoj fjalët
që nuk i kam thënë.
Takoj “Eurekën”
muzën që shpirtin përndrit
e në një fjongo të bardhë
të dëlirat gërma qëndis.

Flas edhe me mbrëmjen
sa herë që pas perëndimeve shfaqet
e në atë tis të hirtë ende rrëmoj
kuptimet e ëndrrave që mëngjeset më zgjojnë.

***

Jeta, luftë e errët, e heshtur!
Lodhemi,plagosemi,
rrëzohemi,ringrihemi,
përsëri e përsëri!

Zemra robëruar nga dhimbjet
Pikon gjak,
Zjarri I revoltës përpin në heshtje,
Djeg, kthen në hi dhimbjet memece,
kurse në sy ndrin buzëqeshja franceze!

Në diell shkëlqen gjithçka
e dhimbja mbetet veç një emër i zakonshëm !

Malli…!

Në kornizë kristali,
ca të kaltra mendime si qielli,
ca të bardha thinja si re,
ca të arta fjalë si dielli.
Vizionit ylber,
që del pas lotëve mall, vetëm për ty.
Sa shumë dashuri ngjyrave të jetës!

***

O puthje e ngrohtë e ëndrrave të mia!
Eja tek unë këtë mbrëmje me yje.
Më sill aromë paqeje prej zymbylave,
një copë peizazh prej vendlindjes sime!

Fëmijëria

Fëmijëria,
një përrallë në sytë e mi,
dashuri që kalon përmes kujtimeve
në rrugën e avionëve,
gjurmë e shtëllungave të bardha mbetur pas,
ku vetë jam ai krah
që ndjek përjetë fluturimin
jehonës që kapërcen largësitë,
perëndeshë me sy prushi
e në çdo pikë gjaku
jetojnë kodet e lashta sa toka,
endur ardhmërisë
si një e nesërme që do të vijë
pragut të lutjeve besim
ku kryqëzohen ëndrrat me dritat!

One thought on “Poezi nga Marjeta Shatro – Rrapaj

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s