LULJA E FUNDIT (Kushtuar piktores Sofia Zengo Papadhimitri) / Shkëputur nga novela V e librit “Zhgënjimi” të autorit Kristaq Turtulli

LULJA E FUNDIT
Kushtuar piktores Sofia Zengo Papadhimitri

Kur po kthehej në krah dëgjoi infermieren gjoksmadhe, me nishanin e zi që i tha:
-Sofi, shkëlqen dielli përjashta.
-Përjashta..! mërmëriti Sofia dhe u përpoq të shtynte disa shirita të trasha, të dallgëzuara errësire që i qëndronin të ndera në qerpikët e qullur.
-Po, jeshillëku është harlisur.
– Jeshillëku!- pëshpëriti Sofia dhe pësoi drithërimë në trup. Iu bë sikur shiritat e errëta nisën të holloheshin, u bënë të përhime, lëvizi kryet t’i largonte.
-Thuaj shyqyr, uh, na kalbi shiu.
Përjashta?! Jeshillëku! Përsëriti Sofia me vete. Iu bë sikur tisi i përhimët u largua e mbi qerpikë iu ndeh një perde e gjelbër, me ngjyra fosforeshente. Shelgje të vjetra, lotues pranë një lumi të turbullt dhe ca re të mëdha si gjirafa, qafëgjata, me kokat e vogla, në të verdhë të fortë, iknin me vrap drejt një shtegu të ngushtë, si humbëtirë, lumi u shndërrua në ujëvarë pastaj zhduk në honin e thellë…
Ajo shtrëngoi sytë të ndalonte ikjen e harbuar të gjirafave, të lihej jeshillëku të prehej dhe lumi të mos zhdukej në gropën e vet. I donte muajt prill, maj dhe qershor, shpërthimin e mrekullueshëm të luleve, jeshillëkun harbuar mahnitshëm, flladin e ëmbël, cicërimën e gëzuar të zogjve. Sigurisht e donte jetën, marrëzisht e donte, të jepet si dhuratë vetëm njëherë.
Oh! Si i doli nga mendja! Ndoshta ngaqë u mbërthye prej kthetrave të sëmundjes. Hapi sytë ngadalë, iu duk sikur përpara syve iu ndeh një perde transparente që lëkundej prej erës dhe një ishull magjik lundrues mes shelgjeve të thyera. Paska erë dhe, s’ dua që ishulli magjik të ketë shelgje të thyera, të sakatuara, të shkaktuara nga rëndesa e shiut të akullt, mërmëriti dhe bëri të kthehej në brinjë. Menjëherë e preu një dhembje e padurueshme në shpatullën e majtë. Kafshoi buzën mos bërtiste dhe i mbajti sytë një copë herë mbyllur sa të merrte veten.
Ishte vetëm në dhomë. Mund të shprehej hapur; të ankohej, të rënkonte prej dhembjeve të trupit dhe vuajtjeve që ndjente, pse jo, edhe të bërtiste. Ta marrë dreqi. Ngandonjëherë kur s’mundesh të përballosh më dhembjet, e ndjen të nevojshme të bërtasësh në kupë të qiellit. Jo për tu ankuar, ta dëgjojnë të tjerët, të qajnë hallin, por vetëm të çlirohesh si të shkundësh mendjen e trupin. E njëherësh, për të bërë përpjekje të mundimshme, për të shkulur, flakur tutje, kthetrën e keqe, gjënë e ligë që i mban të mbërthyer trupin. Por vetëm asaj i duhej të përballojë të gjitha. Ose ta lëshojë veten, të ligështohet, të qullet, të bërtasë. Infermierja do rrudhë vetullat, do mbledhë buzët pas shpine dhe do i ngulë fët e fët në këllk, një morfinë për ta qetësuar…
Mori frymë thellë, përsëri e shpoi dhimbja e fortë në gjoks dhe iu përgjigj në shpatullën e majtë, aq sa u përlot. Është vërtet e mrekullueshme të mos kesh dhimbje në trup. Tuboja e oksigjenit e ndihmonte mjaft të mbushej me frymë. Shyqyr që është dhe oksigjeni!
S’i durohej të hapte sytë dhe të bridhte shikimin përtej dritares, paçka se i digjnin. Jashtë, shkëlqente dielli dhe kish shpërthyer jeshillëku. E adhuronte natyrën plot dritë dhe kolor. Mrekullohej prej madhështisë së magjisë së papërsëritshme të Nënës natyrë dhe thoshte gjithnjë: nuk ka gjë më të përkryer se natyra. Sa herë ulej pranë telajos së bardhë, të pikturonte, mbyllte një çast sytë, riprodhonte vetëtimthi në mendje, pamjen që kishte përpara. Mbushej me frymë dhe pëshpëriste me vete:
Sa do mund të mësoj, të marr, të hedh në telajo, bukuritë e kësaj mjeshtre të madhe. Nëna natyrë të dhuron pa u kursyer të gjitha; ngjyrat, format, linjat dhe intonacionet. Mua më duhet ta bëj timen, të pamundurën, tu lë përherë njerëzve, të dashurve, një vepër, një inicial të vogël, një kujtim…

 

Shkëputur nga novela V e librit “Zhgënjimi” të autorit Kristaq Turtulli

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s