Poezi nga Vaso Papaj

Poezi nga Vaso Papaj

 

Narkozë

Për herë të parë të pashë, Bedrie,
Ku vdekja e gjallja më rrinin aq pranë.
Serumi më rridhte pa ngjyrë e pa shije,
Narkoza më ngjitej ngadalë në tavan.

Sesi më ngjave, një shuk rrobash zie,
Me kovën e madhe dhe fshesën në dorë.
E vogël, e vogël, me pamje fëmije,
Ndonëse gjyshe e nënë me flokët dëborë.

Me drojë u avite, me sy të hutuar,
Folëm ngadalë, shpesh heshtur mbetëm.
Bashkëshortin të humbur vite të shkuar,
E muaj më parë edhe djalin e vetëm.

Më fole për nusen e re me jetima
Dhe trupi im që dilte nga varri,
Fjalët e tua i mori shkrepëtima.
M’u drodh i tëri, si të kish zbritur acari.

Po kisha një shpirt e vetëm një zemër,
Ç’ t’i bëja mizerjes dhe zgjyrës së zezë!?
Veshur së prapthi pizhamet pa emër,
Ç’ t’i bëja un’ ditëve që shtyje pa shpresë!?

Pa punë ish nusja dhe kishe dy nipa.
O zot, si nuk paska njeri të t’ndihmojë.
Qenka zor të kaloka qoftë nata, qoftë dita,
Kur brenda shtëpisë të presin tri gojë.

Tërë botën të kisha, në çast, do ta falja,
Në sytë e tu t’mos rëndonte trishtimi.
Ëndrra vogëlushësh kurrë mos të ndalja,
Pse atin papunë, e kish mbytur dëshpërimi.

Kish lidhur litarin, një copë, një mëngjes.
Në degë të ullirit kish shtrënguar një lak.
Penduli i sahatit ish thyer në mes
Dhe ti kishe marrë më të madhin farmak.

Kjo ëndërr narkozë, atë natë nuk u lodh,
Por zbriti agimi, në krahë e mbështolli.
Sa shpesh së fundi kjo gjë më kish ndodhë.
S’e pashë më Bedrien, më humbi te holli.

 

Koncert nën narkozë

Paksa hapa dritaren, që ajri të më nginjte,
Po fshihej ngadalë nata, narkoza tretej krejt.
Do të desha mugëtira me yjet ta thëthinte.
Nën dritën e mëngjesit të hapja një koncert.

E zura të këndoj kur bulkthi kish pushuar.
Atë mëngjes të vakët kur s’pipëtinte kush.
Një botë aq të padrejtë s’e doja nëpër duar,
Ku qeshje të sinqerta nuk të dhuron askush.

Me shpirtin e poetit, koncertin do t’këndoja.
Le t’isha nën narkozë, do t’ngjallja veç besim.
Agimit të përgjumur një rreze dritë t’i shtoja,
Gjersa një pikë narkoze mos mbante brezi im.

 

Një SOS

Një SOS poeti besoj se ia vlen,
Është i sinqertë, nga ankthi shpërthen,
Kur dashuria nga shpirtrat nis-del,
Kur shkon kuturu, si varka pa vel
Atëherë dhe poeti s’arrin ta përmbajë,
Ndaj kërkon SOS-in tek ju ta shpërndajë.

Nuk jam asgjë e nuk jam askush,
Por gjithçka dua me zemrën prush.
Një lot dhe i vetëm, më robëron.
Një dritë pas hekurash gjumin ma zgjon.
Era me retë ka burgosur një qiell,
Ndaj SOS-in tim ju sjell e risjell.

Po s’qenka thënë të jem anonim,
Se poeti i ngjan një ylli në agim.
Dhe në luftofsha si Don Kishot
Dhe për armk, vet boshllëku më qoftë,
Prapë do të kthehem si një ylldritë
E nesër mëngjeset do t’jua përndritë.

Është SOS poeti, ndaj dhe ia vlen.
S’e ndjeni, o miq? Nga ankthi shpërthen!…
Se dashurinë çdo ditë që kalon,
Si varkë mes detit tufani largon.
Nga bregu ynë, nga ky djep i shenjtë,
E me vete po merr gjer edhe shpërgenjtë.

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s