Poezi nga Marjeta Shatro- Rrapaj
Të tjera dëshira…!
Kur vdes dashuria, diçka thyhet
një shelg loton e pyjet mbyten nga psherëtimat.
Heshtja zbrazet nga fjalët e pathëna
rebus i fshehtë, shpirti i gruas.
Njerëz të çuditshëm krijuar nga natyra,
ndjekin instiktet si në vetëkrijim
I bren ankthi, dyshimi i pafund
tundohen përherë prej të tjera dëshirash
e harrojnë sa hyjnore është dashuria!
***
Harrohen mëritë,
ëndrrave të natës
e papritur rizgjohen ditës.
Zmadhohen largësitë,
zhduken fjalët,
Braktisur si hije,
pa dritë në sy,
pa jetë.
Flet pritja
e pret pajtimin heshtur.
Indiferencë
Indiferencë e pamotivuar
njerëzish,
Shkujdesje e programuar
fjalësh,
Mospërfillje e dhimbshme,
deri në braktisje…
Dashuroj…!
Dashuroj vërtet…
buzë detit përqafuar me erën
dhe ëndrrat e valëve trazim
rërës lagur shkumëzimesh të bardha
bregut ngritur lartësish.
Një zemër vizatoj shkujdesur,
fjalë të thjeshta krijoj,
melodi e zemrës sime
këngë e lindur e simfonisë së dashurisë.
***
Lotët ia fal natës,
që agimi të vijë i bardhë.
Ylberi i ëndrrave të ngrihet mbi yjet,
deri në takimin e hënës me diellin,
ku veç dashuri i japin njëri-tjetrit,
kaltërsisë së Qiellit,
qëndisur me rreze të arta.
Pendesa
Betejë e njohur
dashuria ime,
trazim ndjenjash
përhumbur ngjyrave që vishen në të kaltërt
përcjellë kthjellimeve
paqes njeri.
Dhimbjen e mallit
dua ta shkul prej shpirtit,
ta mbjell në një pemë trotuarit
që sa herë të kaloj
të të shikoj ty
pamjen e syve
ndoshta dhe një pikë loti
imazhit të shfaqur pa zë.
Fluturon çasti, asgjë nuk përsëritet
e të panjohurën e gjej
brenda shpirtit magjik të kohës.
Dëshirat…
Ndërthuren dëshirat,
shtyjnë njëra -tjetrën.
Rebelohen, lodhen,dremisin,
pastaj sërisht zgjohen.
Disa harrohen, fiken,
disa rilindin
e marrin rrjedhën e një lumi që përshkon luginat e shpirtit.
Evropës…!
Nga dritarja e avionit,
vështrimi tretet,
mbi retë e bardha,
mbi Evropën parajsore,
fantazisë aq të dëshiruar shqiptare,
nënkresave ajër,
ku fluturojnë pafundësisë,
shtratit të ëndrrave,
për të qenë aty,
për të ecur
e ringritur mbi vetminë shekullore!
Tercinë shpirti
Ky mall,
nuk është mall,
është ekzistencë.
Kjo dashuri,
nuk është dashuri,
është jetë.
Kjo jetë,
nuk është jetë,
është përjetësi.
***
Pamundësia na bën të vështrojmë me të tjerë sy
e mendime që fshehin dëshira të fjetura.
Joshemi nga mungesat tona,
verbohemi nga lotët e dëshpërimit,
kërkojmë gravitetin pas ndjenjave
dashurinë mes heshtjes,
për të ndier sërisht se jetojmë
e në çdo rrahje zemre të rrjedhë më e bukur jeta!
Faleminderit Agron Shele!