Fragment nga “Loja e syve – Histori e një jete” : ELIAS KANETI – Laureat i Çmimit Nobel / Përktheu nga orgjinali: Aristidh Ristani

Fragment nga “Loja e syve – Histori e një jete” 

 ELIAS KANETI – Laureat i Çmimit Nobel

Fragment nga “Loja e syve – Histori e një jete”
Vëllimi i tretë i veprës autobiografike në tri vëllime:

“Gjuha e shpëtuar – Histori e një rinie”
“Pishtari në veshin tim – Histori e një jete”
“Loja e syve – Histori e një jete”

“… Në Vjenë ishin disa njerëz me të cilët asokohe mbaja marrëdhënie, i takoja shpesh e nuk u shmangesha. Këta qenë ndarë në dy grupe kundërshtare ndaj njëri-tjetrit. Një palë, që ishin ndoshta nja shtatë a tetë veta, i admiroja për punën e tyre dhe për seriozitetin që tregonin ndaj saj. Qenë njerëz që ndiqnin secili rrugën e vet, që s’pranonin t’ua kthente mendjen askush, që urrenin çdolloj kompromisesh, që s’u pëlqenin sukseset në kuptimin vulgar të fjalës, që i kishin në Vjenë rrënjët e tyre, megjithëse nganjëherë relativisht të reja, njerëz që zor se mund t’i përfytyroje të jetonin diku gjetkë, por që Vjena s’i kishte korruptuar dot. Këta i admiroja dhe mësoja prej tyre si mund të arrihej diçka pa u tërhequr asnjë centimetër, edhe kur bota s’do t’ia dijë fare. Ç’është e vërteta, të gjithë ata shpresonin të vlerësoheshin në të gjallë të tyre, por ishin të zgjuar dhe e kuptonin sa e pasigurt qe kjo gjë, veçse ishin të vendosur të ngulnin këmbë në arritjen e synimeve të veta, edhe sikur shpotitë që breshëronin pareshtur mbi ta të mos u ndaheshin gjer në vdekje. Kjo mënyrë përshkrimi e qëndrimit të tyre mbase mund të ketë një ton disi heroik, dhe ata ishin të gjithë aq seriozë e aq mendjehollë, sa s’do të pranonin ta shihnin veten të paraqitur në dritë të tillë, por megjithatë kishin guxim, kishin edhe një durim që arrinte nganjëherë gjer në cakun e durimit mbinjerëzor.

Pastaj vinin të tjerët, ata që ishin tërësisht e kundërta e të parëve, të gatshëm për të bërë gjithçka në emër të parasë, të famës ose të pushtetit. Edhe këta më magjepsnin, por natyrisht në një mënyrë krejt tjetër. Doja t’i njihja thellë, doja të dija ç’ndodhte në shpirtin e tyre, t’i zhbiroja gjer në fijet më të holla, thua se shpëtimi im shpirtëror varej nga aftësia që do të kisha për t’i kuptuar e për t’i ndier si personazhe të plota. Me këta takohesha po aq shpesh sa edhe me të tjerët, kërshëria që më ngjallnin mund të ishte ndoshta më e madhe, sepse ato gjëra që shihja te këta s’i besoja dot plotësisht dhe prandaj kisha nevojë gjithnjë e më shumë për t’i vërtetuar. Por kjo s’do të thotë aspak që bëja ndonjë lëshim kur shoqërohesha me ta, as u vija pas qejfit dhe as përpiqesha të kishin simpati për mua, por ndërkaq nuk arrinin gjithmonë ta kuptonin menjëherë ç’mendoja në të vërtetë rreth tyre. Edhe në këtë grup bënin pjesë gjashtë a shtatë personazhe kryesore. Por më vështirë se për çdo gjë tjetër e kisha kur detyrohesha të duroja marrëdhëniet midis këtyre dy grupeve.”

(Elias Canetti: “Loja e syve – histori e nje jete”, Titulli i origjinalit:
“Das Augenspiel – Lebensgeschichte”, 380 faqe.)

 

Përktheu nga orgjinali: Aristidh Ristani

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s