Poezi nga Anjeza Dielli

Poezi nga Anjeza Dielli
 
 
KRITIKË PËR MODESTINË
 
Bëhu e bukur,
mos u bëj e marrë.
Liria i duhet atyre që guxojnë
e nuk vdesin pa dhënë shpirt,
por gjithë trupin e tyre e shartojnë mbi degët e gjalla
të kujtesave të humbura.
 
Bëhu e bukur,
mos u bëj e marrë.
U panë të gjitha gijotinat mbi trupin
e njerëzimit
e njëra sosh e mprehu tehun e saj
mbi mosdijen e errët.
Aty përgjysmoi lirinë
e solli atësinë e një skllavërie
që mbush barkun e verbohet.
 
Bëhu e bukur,
mos u bëj e marrë.
Ka kush sillet rreth mureve ndaluese
të historisë,
ka kush vetvritet
ka kush humbet nëpër llucën e dritave të kuqe.
Ka kush mban zi,
ka kush bën bukë e kush shoshit diellin,
ka kush lëshon burimet
e kush mat gurët kilometrikë.
Por ti ngrihu e bëje fjalën qilim për këmbët e së bukurës,
se vetëm ajo nanuris shpirtrat e shqetësuar…
 
Bëhu e bukur,
mos u bëj e marrë.
Tek Zoti ti mbërrin me intervalet e një çasti
që trimërohet për t’u bërë Gjithëkoha.
 
 
 
BRENDAKËQYRJE
 
I kam këtu të gjitha:
prerjen e dritës,
ankthin e madh të pagjumësisë,
zhurmën e një errësire,
të vërtetën e qenies,
shenjat mbi sendet e harruara,
rrugët brenda meje që fillojnë me shkallë të varrura në
tavan,
hamendësimin e një humbjeje,
hamendësimin e një gjetjeje,
praninë dërrmuese ,
mungesën dërrmuese,
 
O nënë që më linde njëherë
e nuk e pata ditur kur mund
të lindem sërish me vetdije të plotë?
 
Katër sytë e dy maceve të zeza
në një dritare buzë rrugës
nuhatnin fatet e kalimtarëve.
 
Kur kalova atypari përsërisja :
O nënë qe më linde njëherë
e nuk e pata ditur
kur mund
të lindem sërish me vetdije të plotë?
 
Fati me parapriu.
 
 
 
PARADHËNIE PASHKËSH
 
Harku i pranverës përthyhet
mbi dimrin që shkoi,
e purpurta e vdekjes shfaqet si një dallgë e re,
priftërinjtë e veshin dhe e presin Ngjalljen
e me ato petka të purpurta e ngjyrë ari psallin,
ndërsa abazhure të varura prej qiellit,
si fantazma
me drita të zbehta
lëkunden.
Ata që besojnë, thonë:
– Lëkunden prej engjëjve, prej kerubinave e serafinave.
 
Kisha – një anije e purpurt dhe e errët,
e mbuluar nga tym temiani e aromë mirre.
Ata që vdiqën e mbajnë mbi shpinë
e ajo rrëshqet mbi ashtin e shpinës se tyre si të ishte det
dhe, me kokën zhytur tek vdekja,
ata psherëtijnë
e imitojnë dallgët a erërat,
se velave u duhet një erë e mbrothtë lundrimi
drej Ringjalljes…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s