Shtëpia Botuese “ADA” publikon vëllimin poetik “QIEJT E BRENGAVE…” të autorit Basir Bushkashi

Shtëpia Botuese “ADA” publikon vëllimin poetik “QIEJT E BRENGAVE…” të autorit Basir Bushkashi

Në krijimtarinë e mikut tim kam ndjerë prirjen romantike të poetëve, si Hajne, vargun elegant të Lermontovit dhe shpirtin e lirë të Eseninit. Kam rijetuar flladin dhe aromat pranverore të poezisë së Lasgushit të pavdekshëm, ngahera poet i poetëve.
Ajo e Basirit ashtë poezia e dashurisë njerëzore dhe e të vërtetës. Ashtë poezia e poetit gjithmonë në lulen e rinisë… kështu shkruan ndër të tjera në parathënien e librit “Qiejt e brengave”… Prof. Dr. Albert Frashëri, botim që vjen sërish nën logon e shtëpisë botuese “ADA”

Titulli: QIEJT E BRENGAVE…
Autor: Basir Bushkashi
Redaktor: Kujtim Stana
Recensent: Gegë Tusha
Kopertina: Agron Sejamini
Arti grafik: Artan Kurti

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë

Bushkashi, Basir
Qiejt e brengave… : poezi / Basir Bushkashi ;
red. Kujtim Stana. – Tiranë : Ada, 2020
144 f. ; 20 cm.
ISBN 978-9928-296-92-4

Botues: Roland Lushi
1.Letërsia shqipe 2.Poezia

821.18 -1


POETI I SË VËRTETËS
Mbi harmoninë mes lirisë dhe krijimtarisë njerëzore në veprën e Basir Bushkashit.

Në ditët e para të kësaj vjeshte të zymtë, trishtuar nga dy tërmete të pafajshëm, lexova vëllimin e fundit me poezi të poetit Basir Bushkashi. Ashtë libri i fundit në vargun e shumë e shumë vëllimeve poetike të këtij poeti tejet origjinal dhe një nga lirikët më të shquar të horizontit letrar të gjuhës shqipe. Vlera e tij nuk ashtë vetëm cilësia artistike e vargut, por edhe aftësia për të depërtuar pamjet më thelbësore të jetës njerëzore. Dhe këtë ai e ka bërë në saje të talentit, të ndjeshmërisë artistike dhe koherencës si qytetar patriot i një kombi të lashtë dhe bir i përunjur i njërës nga krahinat më interesante të vendit: Mati, ky thelb i shqiptarizmës, vatan i Kastriotëve dhe i humanistit të shquar të botës shqiptare, Pjetër Budit.
Pas leximit të librit “Zjarre dhe… Fllad” (Botues “Ada”, Tiranë, 2019) vendosa të shkruaj këtë përsiatje duke menduar për njerëz, rinia e të cilëve nuk perëndon kurrë. Për karaktere që nuk përkulen e nuk konformohen. Në këto raste kemi të bëjmë me qytetarë të veçantë, me individualitete që shpesh i mungojnë shoqërisë dhe, sidomos, me krijues të pashtershëm. Këto do të ishin modele që i japin dritë e nur jetës sonë, sepse krijimtaria, artistike apo shkencore, përbën një nga pamjet më sublime të ekzistencës së Njeriut. Shpesh herë mbizotëron prirja për të krijuar të ashtuquajturat vipa apo yje të faqeve të para të revistave e të ekranit. Në koridoret gjysëm të erreta e të heshtura pallatesh të ngjyrosur sajohen personazhe të suksesit për të befasuar vëmendjen e qytetarit me ngjarje dhe aventura që të shumtën e herëve nuk kanë vlera reale për shoqërinë. Një plak i urtë i shekullit të kaluar, kur e pyetën se ç’donte të bëhej kur të rritej, u përgjegj: “Nuk dua të jem simbol i suksesit, por thjesht Njeri me vlerë”. Ishte plaku Ajnshtajn, ky Qytetar i Madh i njerëzimit. Një njeri i ditur i lashtësisë, Konfuci, kur e pyetën se ç’ashtë dituria u përgjegj: “Të kuptosh të afërmin.”
Pyetjes se ç’ashtë virtyti iu kthye me dy fjalë: “Të duash të afërmin.”.
Në krijimtarinë e mikut tim kam ndjerë prirjen romantike të poetëve, si Hajne, vargun elegant të Lermontovit dhe shpirtin e lirë të Eseninit. Kam rijetuar flladin dhe aromat pranverore të poezisë së Lasgushit të pavdekshëm, ngahera poet i poetëve. Ajo e Basirit ashtë poezia e dashurisë njerëzore dhe e të vërtetës. Ashtë poezia e poetit gjithmonë në lulen e rinisë. Basir Bushkashi, poet i Matit, ka shkruar poezi që në bangat e shkollës, madje jo pak herë ato janë shndrruar në tekste këngësh fituese në festivalet kombëtare. Lirika e tij përqafon temat e randësishme të jetës. Nga ana tjetër ai ka shprehur pikëpamjen e vet jo vetëm në vargje, por edhe si qytetar, nga ata që rrallë herë gjejmë midis nesh. Nga pikëpamja qytetare do të konsideroja si kryevepër të tij letrën që ai i shkruajti me guxim dhe vetëdije të plotë diktatorit antikombëtar Hoxha në dhjetor 1981. Për atë letër e dënuan të shtynte vagonat në galeritë e minierave të kromit. Me atë letër Basiri denoncoi gjëndjen e rëndë, varfërinë e popullit dhe shprehu nevojën urgjente për reforma radikale në jetën e vendit. Ky zë i vetëm në një realitet që të zinte frymën, buronte jo vetëm nga logjika dhe morali i qytetarit patriot, por edhe nga zemra dhe ndjeshmëria e poetit. Ajo letër i kushtoi punë të detyruar në minierat e kromit, në të cilat ai njohu thellë vuajtjen njerëzore dhe njeriun e thjeshtë. Basiri e dinte fare mirë që pak vite më parë regjimi kishte pushkatuar dy poetë të rinj, sepse në intimitetin e ditareve të tyre kishin shprehur pesimizëm e pakënaqësi ndaj regjimit totalitar të asaj kohe. Ai i njihte mirë dy poetët e pushkatuar: Vilson Blloshmi e Genc Leka. Pas viteve ’90, Basiri nuk u josh nga tundime karrieriste për t’u bërë njeri i politikës, sikundër i ofruan, por rifilloi jetën normale të qytetarit me pasionin e mësuesit të brezit të ri, pa iu ndarë mallit për poezinë. Ai mbeti poet, ashtu siç kish lindur, i lirë, vëzhgues i rafinuar i ndryshimeve shoqërore, pa trazuar asnjëherë objektivitetin e artistit me interesa meskine të çfarëdo lloji.
Duarlidhur nga rutina e nga një lloj mediokriteti që shpesh herë errëson shumë pamje të jetës sonë, njerëzit heshtin dhe anashkalojnë virtytin që shpreh vepra e qytetarëve. Pikërisht, duke menduar për këtë heshtje të fajshme vendosa të shkruaj disa mendime për poetin matjan Basir Bushkashi. Poezia e tij ka si temë qëndrore dashurinë dhe rreth saj vëmendja e poetit vëzhgon natyrën, njerëzit, virtytin, miqësinë dhe mediokritetin. Por bukuria në filozofinë e poetit Bushkashi nuk ashtë ajo që duket së jashtmi, por diçka tjetër që buron nga shpirti, nga natyra njerëzore për të cilën ai ka një ndjeshmëri të madhe e të pashtershme. Kjo krijmtari i ngjan një piramide në krye të së cilës poeti ka kurorëzuar perëndeshën e bukurisë e të dashurisë, Afërditën, që popujt mesdhetarë adhuruan si pamjen më të vyer të jetës. Kështu edhe poeti ynë, lirika e të cilit nuk mund të bënte ndryshe. Edhe në këtë vëllim të fundit gjejmë pikërisht shpirtin poetik që ka karakterizuar krijimtarinë e tij që nga rinia e hershme. Nga kjo pikëpamje, mendoj, që edhe libri “Zjarre dhe… Fllad” konfirmon këtë karakter të një krijimtarie që prej kohësh ka konsoliduar identitetin tepër origjinal e thellësisht të freskët të saj. Fjala vjen, në poezinë shumë të ndjerë, “Hesht pylli” poeti shpreh me ndjenjë dhe elegancë trishtimin e pyllit, kur zogjtë shtegtarë me bilbilin mbret largohen:

“Ikën zogjtë shtegtarë
Ikën e bënë shteg…
Mbi të gjithë bilbili
Këngëtari mbret.
…Ndaj pylli i brengosur
Veç hesht e hesht…”

Janë të paharrueshme motivet e poezive si, fjala vjen, “Sa gjëra”, “Si nëpër erë”, “Më thërret pulëbardha”.
Stili i tij fjalëpak, elegant e thelbësor arrin të shprehë në pak vargje fenomene, ide dhe probleme të kohës sonë. Një e tillë është poezia “Kaltërsi dhe zjarre”, ku spikat pa mëdyshje logjika e matematicienit dhe vargu si fllad pranveror i artistit.
Poezia e Basirit, qëndisur me durimin e një gjysëm shekulli, ashtë e pashtershme, sepse buron nga njeriu që e do fort jetën e që mendon me kokën e vet. Pikërisht siç ashtë në natyrën e poetit, të artistit. Në këngët për tokën, për mikun e për dashurinë ai nuk humbet në gurrën e ndjenjave vetiake, sepse ka një vështrim të mprehët e kritik mbi të gjitha problemet e shoqërisë. Në togun e vargjeve “Syri i ditës”, gjejmë dhjetë fjalë të skalitura nga shpirti i poetit në pak vargje:

“U mvrenjt syri i ditës, u pikëllua.
Përpara një lypësi rrugës rrëzuar.
[Vërshimet e gjelbëra, faqe 49]”

Ky tog vargjesh krijon një imazh thellësisht realist e njerëzor. Përfytyroj një lypës të mjerë që gremiset dhe rrezja e dritës në dramën e tij shndërrohet në një hije që depërton thikshëm kalimtarët. Basirit i mjaftojnë dhjetë fjalë për të rrëfyer dhimbjen e madhe të varfërisë. Një dhimbje universale përpara të cilës drita humbet shkëlqimin e saj, sikur të ndjehej fajtore për vuajtjen njerëzore. Probleme të tilla dramatike të kohës sonë në vargun e Basirit shndrrohen në një urtësi kristaline për ditët tona. Poezia “Plagët e Lurës” denoncon shkatërrimin e pyjeve e të ambjentit dhe këtë e shpreh sikur Lura të ishtë një bijë e vetme. Vargu i poetit e tejkalon propagandën e politikës, sepse edukon te brezi i ri ndjeshmërinë përmes magjisë që krijon poezia. Mrekullisht, poezia e Basirit shpreh një thelb fizik natyror të mjaft problemeve të kohës sonë. Ai ndodhet në Çéçina (Toskana), në detin Tirren. Më befasoi mjeshtëria më të cilën ai shpreh një arsye të bashkësisë dhe harmonisë mes njerëzve. Ndërsa njerëzit shpesh ndërsehen njëri kundër tjetrit dhe shpikin absurditete për t’u fshehur pas diferencave të tyre, ai bën të kundërtën në vjershën “Në detin Tirren”. Vargu i kësaj poezie shpreh me një thjeshtësi befasuese mendimin e poetit. Kur noton në detin Tirren të Toskanës, ai ndjen edhe ujrat që Lusa, lumi i fshatit të tij të lindjes, ka derdhur në këtë det të Italisë. Ky det, në ndjeshmërinë e poetit, në madhështinë e vet bashkon në një qënie dhe harmoni të vetme ujrat e dhjetra lumejve të largët dhe njerëzit e tyre. Mendoj që kjo poezi na jep një gjetje gjeniale të autorit, sa reale, aq edhe filozofike.  Ajo shpreh me urtësi poetike një nga problemet e mprehta të shoqërive moderne. E kam fjalën për ato vende, që përjetojnë migracioniet njerëzore, shpeshherë me përçmim dhe me paragjykime të papranueshme…
Gjetje të tilla mund të jenë edhe spontane. Shkencëtari ka një përqasje racionale, të arsyetuar në zbulimin e të vërtetave. Artisti kur shkruan poezi, kur thur vargje, nuk bën një arsyetim e prej tij të
deduktojë vargun. Pra, aftësia krijuese, përqasja e artistit, ashtë më e pajtueshme me thelbin trashendental të Natyrës e të krijimtarisë njerëzore. Për këtë arsye vargu, melodia burojnë lirshëm prej shpirtit të poetit. Ato na fisnikërojnë e na përtërijnë si ujët e burimit pa deklarata e pa daulle. Këto dy përqasje, racionale njëra e trashendentale tjetra, janë dy kërkime alternative dhe komplementare të së vërtetës nga ana e Njeriut. Mendoj që kjo lloj aftësie e lindur karakterizon krijimtarinë dhe urtësinë e Basirit. Sa thashë më sipër do të meritonte një kuvendim të plotë. Por unë mendoj ta orientoj këtë meditim kah thelbi i vet, d.m.th. kah raporti mes lirisë së individit dhe aftësisë krijuese të tij. Sepse kjo e dyta ka nevojë për të parën. Për të qenë më të saktë duhet të konsiderojmë dialektikën mes lirisë dhe krijimtarisë apo instinktit krijues të Njeriut. Natyrisht liria i jep krahë krijimtarisë. Por kjo nuk do të thotë që pa lirinë Njeriu nuk mund të krijojë. Këtu ndërhyn një parametër tjetër: individualiteti, karakteri dhe pavarësia e artistit. A keni patur rast të shihni ndonjë lule në plasaritjet e shkëmbit? Aty kushtet që fara e sjellë nga era e malit, të mbijë e të krijojë lulen, janë minimale. Mungon dheu, drita dhe ngrohtësia. Megjithatë instinkti i jetës, i riprodhimit e tejkalon këtë rrethanë që i kundërvihet jetës dhe krijimtarisë. Fara edhe në prani të kushteve të rrepta, mund të krijojë një jetë të re. Dhe këtë e bën fara e zgjedhur, ajo që shpreh më mirë potencialet e species. Krijimtaria e Basirit, jo sot por ngahera, i ngjan asaj fare të zgjedhur, që mbin e lulëzon edhe kur era e akullt e vërvit në plasaritjet e pajetë të shkëmbinjve. Në kushtet e totalitarizmit komunist nuk mbeti poet pa i kënduar Oborrit. Basiri, përkundrazi, i këndoi jetës. Në të tilla raste, nga pikëpamja fizike, regjimi synon ta asfiksojë prirjen krijuese të artistit, kur ky kërkon të rrëfejë të Vërtetën. Por ka prej tyre që pranojnë dhimbjen fizike dhe ruajnë të paprekura bindjet e tyre. Një artist i tillë fiton ndaj të Keqes, e mposht atë sepse nuk tjetërson thelbin e vet. Ai vuan privacionin e lirisë nga pikëpamja fizike, por pa tjetërsuar idetë personale dhe krijon në përputhje me bindjet vetiake. Pra, forca e tyre e shndërron në pozitive dialektikën mes lirisë së individit dhe aftësive krijuese të tij. Pamja njerëzore, intelektuale, e një artisti të tillë fiton mbi të Keqen, edhe pse fizikisht ai vuan.
Në një poezi të tij, poeti Basir Bushkashi rrëfehet si një “Lis i vetmuar”, sikur të donte konfirmimin e lexuesit.
Na ishte një herë, aty nga fillimi i shek. XX, një matematikan dhe filozof i madh. Bertrand Rasëll e quanin. Ishte profesor, titullar, pikërisht i katedrës që kish patur Isak Njuton në Kembrixh. Rasëll, një shpirt i pavarur, nuk rreshti së kritikuari qëndrimet pak demokratike të fuqive te mëdha të asaj kohe.
Përfundimi? E dënuan me burgim si pacifist i bindur. Më pas e thirrën si profesor dhe, kur gjakrat në Angli ishin ftohur, i ofruan sërish katedrën në Kembrixh. Rasëll, vuajti fizikisht dënimin, por i mposhti me urtësine e vet ata që donin t’i privonin lirinë e mendimit. Abdyl Frashërin patriot, e dënuan me vdekje. Ai vdiq i sëmurë pa i mohuar bindjet e tij. Sami Frashëri, vitet e fundit të jetës, i dënuar nga perandoria turke të mos dilte nga shtëpia, vdiq pa tjetërsuar përmbajtjen e krijimtarisë së tij. Edhe ky ishte farë e zgjedhur dhe krijoi me koherencë deri ditën e fundit të jetës, jo sipas kanuneve të Oborrit, por sipas prirjes dhe bindjeve personale. Pjetër Budi, intelektuali i madh, më interesanti dhe më origjinali i humanizmit të hershëm shqiptar, thellësisht njeri dhe artist, dijetar e
patriot, përcaktoi gjuhën amtare për të kuvenduar me Zotin, edhe pse kjo bindje e çoi në një vdekje të papritun. Atë e mbytën, por nuk vdiq, sepse ideja e tij për liturgjinë në gjuhën amtare, parapriu deri edhe iluminizmin europian. Ky qytetar i madh i Arbërit dhe i të gjithë kombit shqiptar, përbën një nga parabolat më interesante e dramatike të lirisë e të pavarësisë individuale, nga një anë, dhe krijimtarisë njerëzore, nga ana tjetër. Përmenda disa emra qytetarësh të ndritun, simbole që dëshmojnë thelbin e lirisë, aftësitë krijuese të Njeriut dhe vendosmërinë e tij. Poeti ynë Basir Bushkashi i përket kësaj fare artistësh, që mbijetojnë, e mposhtin të keqen dhe krijojnë si njerëz të lirë edhe pse të papërkrahur nga sistemi, dje dhe sot. Shoqëria u detyrohet artistëve të tillë që janë të rrallë në panoramën e letrave shqiptare, njerëzve që sakrifikuan dhe krijuan si njerëz thellësisht të lirë e të pavarur.
E përfytyroj poetin të vetmuar në majën e një mali të lartë, ku mediton e kuvendon me horizontin e pafund të qiellit të kaltër, me erën dhe pyllin, me dritën dhe errësirën, pikërisht aty ku nuk e ndikon askush përveç se dashuria, lumturia, vuajtja apo mjerimi i njeriut të thjeshtë, aty ku nuk mund ta zdrugojë e as ta adaptojë mediokriteti i kohës sonë.
“Përse këtu?”, e pyes, “Përse i vetmuar?” “Sepse që këtu” – më thotë – “ndjej urtësinë që më rrëfen udhën, atë urtësi që më bën të vetëdijshëm për jetën dhe për të shprehur e gëzuar lirinë, timen e të sivëllezërve të mij.” Shkruajta me një frymë dhe me emocionin e leximit të librit “Zjarre dhe… Fllad” mbi çfarë mendoj për poezinë e poetit Basir Bushkashi, tashmë jo vetëm
të luginës së Matit. Janë mendime të një miku që u detyrohet shumë ish nxanësve të vet, mes të cilëve edhe Basiri, për mirësinë që i kanë dhuruar, gjysëm shekulli më parë. Ajo miqësi e mbikaloi largësinë që i ndan njerëzit së gjalli dhe u ripërtëri në këto vite të fundit me vizitën time në Mat. Ajo miqësi tani ndjehet më e vyer dhe…, Perëndia më ndjeftë, si rakia e zjerë dy herë.

Nga: Prof. dr. Albert Frashëri

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s