Poezi nga Sahit F. Osmani

Poezi nga Sahit F. Osmani

 

Fjalët

Fjalët ashtu siç më vijnë i hedh në letër
E bardhësia e letrës gjithçka nuk duron
Fjalët, dimë që duhet të kenë një rregull
Të lehtat me të rëndat duhet t’i veçojmë

Fusha e letrës nuk është arenë veprimi
Udhë që të kapërcehet gjithëçka e kotë
Si në komunikacion rregullat e shkrimit
Janë cenzurë për fjalën që ne na ndotë

Një shenjë e vogël e hedhur e pikësimit
Kërkon rregullin e duhur në çdo veprim
Janë vërejtje për gjuhën gjatë ligjërimit
Aty intonacioni i saj është me përçmim

Por gjuha shpesh merr zjarr e s’dëgjon
S’pyet për rregulla dhe as drejtëshkrim
Dhe djeg tërë letrën shkrum e hi e bën
Deri sa ta kuptojë që është nën nxitim

Fjalët ashtu siç më vijnë i hedh në letër
Germat si skelete dhe gjymtyrë të prera
Janë në dorën tonë për t’iu dhënë jetën
Të gjallojnë vetëm ato që na japin vlera.

 

Lirikë pranverore

Troket pranvera me agimin e blertë
Zgjohen kërcejtë e hapin gjethet
Zogjtë me fantazi i mbledhin rrezet
Me këngë të gëzuar ngritin çerdhet

Në shtratin e jetës lulet rrezore
Kullojnë dritë me vesën e diellit
Që çel në qiell dhe noton në tokë
Me magjinë e dritës veshin jetën

Pëlhurë e blertë hapet si dritare
Të hyjë drita e agimit në lulëzim
Ylberi si këmishë i hap krahët
Tokë e qiell i merr në përqafim

Në kaltërsinë e petkut qiellorë
Yjtë të pastër e shfaqin bukurinë
Të dashuruar e me tërë shkëlqim
Si trëndafila të kuq I hapin gjinjtë

Degë më degë puthen dhe lulet
Nē buzët e bletëve marrin flakë
Ia trazojnë shpirtin e pranverës
Duke e dehur me nektar e këngë.

 

Kufijve të kohës

Duke pritur të nesërmen si do që t’jetë
Kufijve të kohës kalon jeta dhe vdekja
Në dorë të njeriut është ai që ka lindur
Në dorë të zotit është ai që ka vdekur

Në degën ku qëndron ndërton folenë
Mashtrimit të kohës kalimthi i fshihet
Dhëmbët i ngulen me torturim shpirtit
Dhe i dorëzohet me lutje mëshiruesit

Jeta ka kufirin përtej arësyes së kohës
Kalojnë vetëm ata që janë për të lindur
Te porta e saj presin dashuritë e luleve
T’I përcjellin të vdekurit në dorë të zotit.

 

NISU

Asgjë mos dëgjo kur je shumë ngushtë
Rruga e së drejtës e vështirë të kalohet
Dëgjoje vetveten jo mashtrimet e tjerëve
Ata urrejtjen e kanë si ushqim të shpirtit

Të drejtën njihja atij që di të të vlerësojë
Jo atij që hiqet engjëll i dashurisē e vret
Veten tënde askush s’mund ta ndryshojë
Aty ku gjithçka fillon është rruga e drejtē

Fati nëse të ka mallkuar për dashurinë
Dhe goditjet t’i jep jeta si një bumerang
Ylberin e mendjes ti do ta kesh shpëtim
Si levë për ta kapërcyer vetveten tënde

Nisu, merre guximin, koha nuk të pret
Stacionet e pritjeve kanë përfunduar
Pakuptimësinë tënde s’do ta zbërthesh
Ku përtej kufijve asgjë s’ka ndryshuar.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s