Poezi nga Iliaz Bobaj

Poezi nga Iliaz Bobaj

 

NË TOKË KANË ARDHUR SHPESH PËRBINDËSHA

Në tokë kanë ardhur shpesh përbindësha
dhe kanë bërë tmerre për hata,
me kosën e vdekjes në dorë,
i kanë sjellë kobe të mëdha.

Nga qielli si stuhi kanë zbritur,
nga barku i saj i ka nxjerrë toka,
nga deti si gjëmim kanë dalë
dhe pre-ja e tyre ka qenë bota.

Ndërkaq qëllim kishin njeriun,
ta zhduknin krejt deshën ata,
prandaj me të janë ndeshur ashpër,
si në legjendat e mëdha.

Në këto luftra kaq tragjike,
do kishte një fund, natyrisht,
si në çdo luftë, sado të rreptë,
veç një fitues do të kish.

Porse fitues doli njeriu,
e mposhti forcën, egërsinë,
sado të tmerrshëm qenë përbindëshat,
s’e gjunjëzuan dot njerinë.

Kështu do ndodhë dhe këtë herë,
me një përbindësh të paparë,
në këtë luftë për jetë a vdekje,
njeriu do dalë fitimtar.

Dhe jeta vdekjen si ta mundë,
do veshë një dritëzim lirie
e madhërisht do të shkëlqejë,
si dielli pas një stuhie.

 

TË PRISJA TË SILLJE PRANVERËN

Të prisja të sillje pranverën,
t’i hidhje aromë, bukuri,
se kjo tashmë është e zakonshme,
pranvera s’vjen, po s’erdhe ti.

Qenë bërë të gjitha përgatitjet,
të vinte hijshëm kjo pranverë,
asaj asgjë s’do t’i mungonte,
as flokët e tu nëpër erë.

Ndërsa ajo gatitej ngutshëm,
të hidhte përmbi supe veshjen,
të priste ty tek portë e marsit,
t’i bëje dhuratë buzëqeshjen.

Gjithë yjet tek ti mbanin sytë
dhe dilnin të prisnin çdo natë,
që ti me një vështrim të vetëm,
t’i ndizje yjet zjarr e flakë.

Ndaj ardhja jote mezi pritej,
ndoshta sivjet si asnjë vit,
kjo nuk është një formalitet,
kjo ardhje nuk është thjesht një rit.

Kjo ardhje është e domosdoshme,
si ardhja e foshnjës, si një fat,
ndaj pritet si një festë antike,
me ritual krejt të veçantë.

Por kjo pranvera e sivjetshme,
diçka pësoi, në shpirt është vrarë
dhe ne në shtëpi jemi mbyllur,
ngujuar si dy kështjellarë.

Pranvera hesht, se është plagosur,
ndaj rri e strukur, e hutuar,
unë edhe ti në shtëpitë tona,
rrimë si dy robër të vetmuar.

Por diçka ndodh, diçka gatitet,
të ndeshet rreptë me antijetën
dhe ti me pranverën do vini,
më hijshëm se çdo herë tjetër.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s