Poezi nga Sokrat Habilaj

Poezi nga Sokrat Habilaj

 

HIMN PËR ATDHEUN E SËMURË

Atdheu im digjesh, digjesh në ethe,
E kafshon buzën të mos bësh:-Ah!
Zgjatem të të prek ballin në heshtje,
S’i matë termometri zjarret e mëdha!

Në zjarre të tjera nuk të ishim pranë,
Se sëmundja jote na dukej ca si tepër.
E të lamë të lëngosh i vetëm, o xhan,
Duke e kërkuar larg një Atdhe tjetër.

Në zjarre të tjerë të premë në besë,
Nga sytë këmbët, kemi ikur kuturu.
Po Atdheu?Atdheu edhe nëse vdesë,
Do gjendej një pllajë padjegur, diku.

Në zjarre të tjerë kemi shitur dëngla,
Se gjenë Atdhe të tjerë kur je i zoti.
Po ti shtrëngoje shaminë në tëmtha,
E në avuj zjarri, të kthehej dhe loti.

Tani që gjithë bota digjet nga ethet,
Dhe për ikanakët s’ka më asnjë skaj.
Është çasti të themi se ajo që mbetet,
Je ti i sëmuri im!Atdhe! Ti i pa faj!

Avion e tragete duket se nuk ka më,
Nga që s’ikim dot, ndihesh ngushtë.
Fisnik në dhimbje, pse loton pa zë.
Ta falem Atdhe që na zure në kurth!

Të falem ty Atdhe, ty i miri, fisniku,
Që na e tregove të gjithëve, së pari.
Këtu është e ardhmja, dhe ajo që iku,
Këtu është djepi, po këtu edhe varri!

Atdheu im që digjet, digjet në ethe,
E tani që me ty lëngojmë në shtrat.
Je ti që ballin tonë prekë në heshtje,
Të falem Atdhe, që dergjemi bashkë!

 

ATË DITË

Ditën që unë do dal nga ky çark,
Tek nëna ime do të vrapoj s’pari.
E do t’i them:-Nga që prite gjatë,
Si hark në portë, të ktheu malli.

Tek varri i babait do ulem në gur,
Pas kaq vitesh do dënesem në lot.
E do t’i them:-Ty ikja të pati nur,
Unë s’mund të vija tek ty si idiot!

Ata që më kanë borxhe të vjetra,
Do t’i marr në telefon, një nga një.
E do t’u them:-Grisni ato shkresa,
Në vijim nuk më detyroheni asgjë!

Lypësit të lagjes tej atje në kthesë,
Rrogën do ja jap pa pikë pa presje.
E do t’i them:-Të firmosa në pagesë,
Dritën e syve të tij drekoj për vete.

Në fund në pasqyrë, do rri më gjatë,
Deri në detaj veten time do të shoh.
E do t’i them:-Të pështyj në surrat,
Këto duhet t’i kishe bërë me kohë!

 

Dikur…

Unë mund të dashuroj ty, kur të dua,
Sot, nesër, a ndoshta njëherë tjetër.
Po ti mos më thuaj:-Tallesh me mua!?
S’ka pse lotët të të bien mbi mjekër.

Mund të dashuroj ty, vetëm i pari,
Pastaj të shikoj sytë e tu hutaq.
Ti mos më thuaj:-S’ndizet kështu zjarri,
Se ndoshta lëndohem dhe e lë me kaq.

Mund të dashuroj, a të pres edhe ca,
Sa të harkosh vetullat e habitur.
Nuk ndodhin kaq lehtë gjërat e mëdha,
Po ti mos thuaj se nuk më ke pritur!

Kur të kem në duar fytyrën tënde,
Do të pyes:-Të lodhi pritja e gjatë?
Mund të dashuroj si e kam në mendje,
Që ti të më duash, thjesht si një inat!

 

TI NUK SHKRUAJE VJERSHA

Unë doja të të bëja si veten, në rini,
Si unë të grimcoheshe në çdo rresht.
Dhe të lutesha që të shkruaje poezi,
Nëse ndihesh plotë, s’ke pse hesht.

Nëse ndihesh plotë, s’ke pse hesht,
Të përrallisja në atë kohë, e moshë.
Ndërsa të fshihja, faktin e thjeshtë,
Poetët shkruajnë kur ndihen bosh.

Poetët shkruajnë kur ndihen bosh,
E trilloja se vargjet rindezin flakët.
I ulur përball teje, ëmbël të të josh:
-Shkruaj e në grua, m’i kthe fjalët!

-Shkruaj e në grua, m’i kthe fjalët,
Po ti ishe ndryshe, nuk ishe si mua.
Ku dija se poetët janë ca të mangët,
Ç’dreqin kërkoja, të të ribëja grua?!

Ç’dreqin kërkoja, të të ribëja grua?!
Ti ishe frymë e të ktheja në rreshta?!
Në djall vjershurinat, tani më s’i dua,
S’të bëra dot si unë, më bëre si vetja.

S’të bëra dot si unë, më bëre si vetja,
E shpirtin ma mbushe pak nga pak.
Gratë e bukura, s’shkruajnë vjersha,
Vjersha shkruajnë burrat dështakë!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s