KUSH E KA RADHËN? / Nga: Mihal Gjergji

 
Mihal Gjergji
 
 
 
KUSH E KA RADHËN?
 
Askush nuk e di të nesërmen e tij. Oguri i mirë apo i keq s’mund të parashihet në ëndrra. Është bërë sundues parimi; seicili për një shpirt dhe askush për të tjerët. Ballkani si provincë e largët i bën karshillëk civilizimit perëndimor. Ne jemi një lagje e kësaj province, ndoshta më e çuditshmja. Po kush është bartëse e vlerave të vërteta, ne kryeneçët, apo të bindurit, ata që dinë të dëgjojnë, që në shtratin e kërkesave të tyre vendosin arsyen? Egoizmi ynë na dëshmon frymën e lirisë, frytet e së cilës ende s’i kemi prekur. Anglezët kanë dhomën e lordëve të veshur me pushtet legjistativ, ne s’kemi dhomë të aristokracisë shqiptare, qoftë edhe me të drejta këshilluese për vendimmarrësit. Po cilët janë në të vërtetë aristokratët shqiptarë, nëse kemi të tillë? Ata që vinin si rrjedhojë e trashëgimisë gjenetike dhe pozitave të dikurshme shoqërore, u masakruan nga pushtuesit e huaj dhe sundimtarët vendas. Ndërsa ata që mundën të grumbullojnë kapitale financiare dhe që ende vazhdojnë, përmes grabitjes, zaptimit të pronave dhe rrugëve të errëta, përbëjnë një numur të konsiderueshëm. Pikërisht kjo kategori e shikojnë shoqërinë si viktimën e tyre dhe s’mund të ndikojnë në shëndetin e saj. Çuditërisht, ata kanë mundur të ngjiten në fronet e larta. Mbase është fuqia e dollarit. Ndërsa ajo që na duhet është aristokracia shpirtërore; njerëzit e artit dhe të kulturës, mendimtarët dhe filozofët. Ata ndjehen të braktisur. Shtratin e kulturës së trashëguar, brezat e rinj, të cilët prej tri dekadash i kanë qendruar larg arsimimit dhe edukimit, e shikojnë si të huaj. S’kanë faj. Vullneti i tyre pengohet, ëndrrat ua vrasin çdo ditë, kryesisht rinisë studentore. Këto ditë u pengua futja e tyre në auditoret e mësimdhënies, në ndryshim nga gjimnazistët dhe ata të ciklit më të ulët. Po cili është ndryshimi mes tyre? Asnjë ndryshim s’ekziston për të justifikuar këtë ndarje absurde. Padituria vret më shumë se viruset. Studentët kanë marrë banesa me qera, kanë bërë shpenzime, janë përgatitur shpirtërisht për të filluar udhëtimin e ëndërruar. Befas pengohen. Ata protestojnë, por zëri i tyre s’dëgjohet. Ata duhet t’i mësojmë të mendojnë, për vete dhe shoqërinë. Por jo vetëm kaq, edhe duhet ti fisnikërojmë. Programeve të huazuara të mësimdhënies duhet t’u shtojmë njohuri për historinë, artin, letërsinë, etikën, të drejtën. Vetëm kështu fisnikërohet njeriu. Edhe naftëtarët protestojnë, sepse s’u është paguar djersa e ballit, s’kanë me se ta blejnë bukën e gojës. Edhe të vdekurit protestojnë. Askush s’e di për vdekjet e reja që do njoftohen të nesërmen, si rrjedhojë e të ashtuquajturit virus vrastar. Dhe këto s’përbëjnë lajm, as kurreshtje. Tashmë ka humbur interesi të mësojmë se cili politikan do akuzohet për vjedhje, cila parti e re pritet të njoftojë zyrtarizimin e saj, cili i burgosur është liruar falë sjelljes së mirë. Kryetari i shtetit ndanë dekorata, ku dhe si mundet; sazexhinjtë dhe këngëtarët e kabareve vlerësohen “Mjeshtra të mëdhenj”. Kordhëtarët e djeshëm kujtohen me nga një shkresë zyrtare. Ndërkohë që studentët s’pranohen në ambjentet e universiteteve, vizitorë të këtyre të fundit bëhen drejtues të ministrive. Edhe ata ndajnë nga një titull honorifik vlerësimi, gjoja në emër të kulturës. Gjersa elektorati kënaqet, mirë bëjnë. Vetë ata do ti kafshojnë ato duar që sot i puthin. Heshtja e turmave është ushqimi i përditshëm i pushtetarëve. Çdo fuqi fillon si forcë morale dhe çdo humbje fillon si dështim moral. Të gjitha i kemi humbur; shëndetin, punën dhe pronën, pra jemi të lirë. Ndërsa vetë liria përherë mbetet në pranga. Liria nuk prodhon heronj, këta të fundit e sjellin lirinë. Jeta jonë është e vetmja pengesë që kemi, ajo na është bërë një barrë e rëndë. Vdekja do na çlirojë dhe nga kjo barrë. Atë jemi duke pritur, si një mysafire të largët. Seicili pyet; kush e ka radhën?

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s