Poezi nga Nehat Jahiu

 
Poezi nga Nehat Jahiu
 
 
 
TEK TI…
 
Ëndrrat kur i nisa, i mora me vete
Me mallin e dashurisë që më treti
Lotët më mbetën të patharë në sy
Për ty u dogja, u bëra shkrumb e hi.
 
Seç u dogja e u treta për ty, o imi atdhe
Sot po nisem të vij, tek i yti i ëmbli dhe
Nuk do të vij sot të shoh si herët e tjera
Ta shoh nënën duke më pritur tek dera.
 
Po kthehem tek ti sot e imja vendlindje
Me shumë mall… dashuri… e kujtime
Me ëndrrat që i shihja për ty çdo natë
Me shpirtin tim që m’u dogj për ty flakë.
 
Dashurinë dhe mallin me vete po i marr
Po nisem për të ardhur tek i imi varr
E ti, i imi, i shtrenjti… i bukuri atdhe
Më mbulo me të ëmblin tëndin dhe.
 
Vuajtur e përmalluar vite të tëra në kurbet
Shpirti vendi im pak nga pak seç m’u tret
Sot kur tek ti po kthehem në arkivol shtrirë
Lotët e syve të mi kanë nisur të shkrijnë.
 
Eh, vendlindje kur sot varri po më përqafon
Shpirtin tim të një kurbetqari seç po e shëron
Dashurinë e mallin për ty këtu sot e gjej
Pranë varrit të babës e nënës, unë do të flej.
 
Aty tek këndojnë në pranverë zogjtë e malit
Aty ku nuk do më digjet shpirti prej mallit
Aty ku më asgjë nuk do ma shuaj zërin tim
Tek ti i qetë do të pushoj, i shtrenjti vendi im.
 
 
 
KËTU
 
Këtu kam lindur
Ku lulja e parë çel në pranverë
Ku dhe baltës si mjaltës i vjen erë.
 
Këtu kam lindur
Ku edhe ferrat të bukura janë
Ku baba dhe nëna varret i kanë.
 
Këtu kam lindur
Këtu ku dielli dhe hëna na gëzojnë
Ku gjyshit tim eshtrat i pushojnë.
 
 
 
TË KËRKOJ
 
Të kërkoj
Në djepin e ëndrrave të mia
Në ninullat e nënës
Në vatrën time të lyer me baltë.
Të kërkoj
Në këngën e lashtë të gjyshit
Në baltën e ëmbël të tokës sime
Në rrugët e fshatit të kërkoj
Të kërkoj
Në krojet e bjeshkëve
Në zemrën e kësaj toke të shtrenjtë
Në lojën time fëmijërore, të kërkoj
Edhe pse jam në kurbet, unë të kujtoj.
 
 
 
NJË KUJTIM
 
Shumë opinga në ferra kam lënë
Me vrap delet për t’i zënë.
 
Një trastë në shpinë kam mbajtur
Tufën e deleve shumë e kam dashur.
 
Shpesh kam bredhur shpat më shpat
Nën hije ahesh pushoja pak.
 
Kur ndonjëherë në mal më zinte nata
Ma shtrinte dorën nëna, e ngrata…
 
E tani jam larg teje vendlindja ime
Kurrë nuk do t’i harroj të tuat kujtime.
 
 
 
SHPIRTI MË DIGJET SI PRUSH
 
Jam rritur me kryet në gji të nënës
Me kafshatën e bukës në fund të magjes.
 
Buzën ma lagu molla e ruajtur në gji
Në djep druri u përkunda me ëmbëlsi.
 
Në atë djep druri që më përkundi
Me ninulla hyjnore më zinte gjumi.
 
E tani tretur në kurbet me shumë kujtime
O, e shtrenjta, e bukura vendlindja ime.
 
Sa herë që për ty mua më merrte malli
Shpirti më digjej për ty si prush zjarri.
 
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s