Nga themelet e kullës së Babelit / Poezi nga (Hamdi) Erjon Muça

 
Poezi nga (Hamdi) Erjon Muça
 
 
 
Nga themelet e kullës së Babelit
 
 
Pasqyrat e mia
 
Nuk ka mrekulli më të pamohueshme,
se sa pasqyrat e gjelbërta mbi të cilat
reflektohem çdo ditë; nuk më duhet
t’i drejtohem, ato më pasqyrojnë pa poza,
të qeshur, të mërzitur, të lodhur, të përgjumur,
sapo zgjuar, mendimeve krejt i dorëzuar,
shkëlqejnë në errësirë po aq sa në dritë.
 
Të mrekullueshmet pasqyrat e mia,
e më pasqyrojnë të qeshura, lozonjare,
të nxehura, me dashuri, më pasqyrojnë
të kristaltë, deri në më të imtën rudhë,
të vagullt, për shkak të lëngut të kripur,
sikur mbi mua rjedh një lum; ah
ky lëng i kripur, sikur të mos mjaftonte
kripa e detit apo ajo oqeanore, duhet
të ndoste edhe dy liqenet e mia akullnajore!
 
Liqene ku uji është i qielltë;
ato që ngjyrën e marrin nga universi,
yjet më të virgjër të hapësirës, në
mikrokristalet e tyre ngecin…
 
E më reflektojnë pasqyrat e mia,
pa pyetur për ndjesitë që më mbysin;
nën dirtën e tyre ndihem i fortë,
i pafuqishëm si sapo lindur, i madh
si univers, i papërfillshëm.
 
O pasqyrat e mia, reflektoni,
reflektomëni, jam i lumtur
nën dritën tuaj ndihem i gjallë,
i përjetëshëm, e do isha i lumtur,
sikur me reflektimin tuaj, lëngun
jetësor të ma shteroni…
 
 
 
Nuk vlen për asgjë tjetër
 
Kryqi i fundit u thye,
i vjetërsuar mbi peshën e vet.
Dy të tjerët nuk u mbajtën aq gjatë,
mbi ta rënduan deri vonë dy kufoma,
dy skeletë…
 
Kryqi mbeti ngrehur,
i kryqëzuari u ringjall…
Askush nuk u kujtua më për të,
e ajo vegël druri mbeti harruar,
mbi atë kodër-mal…
 
Nuk e di në bëri zhurmë,
apo u rrëzua në qetësi…
Askush nuk e priste,
patën harruar ta përgjonin;
as njerëz as qiri….
 
Kur u zgjuam,
gjetëm,
shpuar nga të gjitha anët,
tej për tej,
një pirg me dru të vjetër,
nuk u thanë as fjalë të shenjta,
as vajtime nuk pati.
U dëgjua veç një zë i vrazhdë:
merreni dhe digjeni këtë dru,
nuk vlen për asgjë tjetër…..
 
 
 
Drejt të ardhmes mekur
 
Nuk ka kalorës fisnikë,
as në ditë të kthjellëta,
e as nën stuhi.
Jemi një tufë këmbësorësh
që rropaten në llumin e gjenezës,
nga dita e parë,
e deri në pafundësi…
 
Jemi gënjeshtarë,
të vetëgënjyer matrapazë;
boshësi ëndrrash shesim.
E ndërsa merremi me ngritje
ose ulje çmimësh fiktive,
Fëmijët e të nesërmes vdesin.
 
…Vdesin…
Ndoshta ne i vrasim…
Ose kanë lindur të vdekur….
Mallëngjehemi gati siqerisht
kur përballemi me kufomën e ngrirë
vështrim zbardhur,
drejtë të ardhmes mekur….
 
 
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s