Skica nga Rudina Muharremi Beja

 
Skica nga Rudina Muharremi Beja
 
 
 
Nënqeshje
 
Nisi bisedën, si për të vrarë heshtjen pritjes në stacionin e autobuzit, atij dimri i cili fërgëllonte thëllimin gjer në asht. Kokën e mbante mbështjellë me një shall të madh rozë që e ëma ia kishte qepur orëve të pagjuma të natës së fundit para se të nisej në një tokë të huaj drejt veriut. Vërtet kishte ndjerë aq ftohtë mbërritjes në atë qytet të bekuar e të bukur, ngulur mes malesh, kreshtat e të cilëve zbardhnin deri në fund të pranverës, ndërsa këmbëve të tij gjarpëronte një lumë herë herë i vrullshëm e herë i ngadaltë.
Anës tjetër shtrihej një liqen madhështor, i cili pasqyronte gjithë tapetin e yjtë dhe të një hëne që dukej se nga çasti në çast do të zhytej në të.
Sikur Zoti e kishte vizatuar e më pas aty gji malesh vënë me dorë.
Me vështrimin mjergulluar prej frymës së ngrohtë e të thyer grisë së murit ligavec me njolla myshku të një ndërtese të vjetër e braktisur fatit të vet, pa shumë fjalë pyeti shoqet, nëse dëshironin të fillonin edha ato kursin e patentës. Ishte e re në atë vend, e sapo ardhur, por mendonte se ishte shumë e nevojshme madje e domosdoshme në përditshmërinë e saj përdorimi i makinës.
Mendonte të pyeste dhe në dy tre autoshkolla të tjera për mënyrën e pagesës, por dhe të dinte se kush ishte më e lira.
Shoqet i shkelën syrin njëra – tjetrës dhe ia plasën gazit që u përzie me zhurmën e frenatës së autobuzit, që sakaq kishte mbërritur dhe ndërkohë ato kapërcenin shkallën për t’u ngjitur.
-Sapo ke ardhur, akoma s’ ke hapur sytë dhe tani do të bësh dhe patentë ti?! – tha njëra prej tyre.
Ndaloi në derë gjysëm e shtangur, zgjati dorën të vulosë biletën e më pas u ul aty në sedilen pranë që ishte bosh.
Dy miket kishin vajtur nga fundi, dëgjoheshin vetëm të qeshurat e tyre e në mbërritje kishin zbritur nga porta e pasme e s’i kishte parë më.
Në mbrëmje pyeti të shoqin:
-Përse s’e ke bërë patentën? Ke kohë që ke ardhur këtu?!
– S’ kam mundur ia priti ai menjëherë. Qeraja është e lartë, bëmë dasëm apo jo, gjeta shtëpi të të sillja ty.
Kaq ishin mundësitë!
Ajo uli vështrimin disi e turpëruar se mos e kishte tepruar me atë pyetje që tingëllonte më shumë si retorike dhe vijoi t’i tregoi s’e ç’kishte ngjarë në mëngjes në stacion.
Vajta të pyes- tha – bile luta edhe miket, por ato seç patën ca paragjykime, që s’i kuptova dhe as munda t’i pyesja më gjatë.
-Mos u mërzit. Çdo gjë do bëhet në kohën dhe mundësinë e duhur,
bile mund të fillojmë bashkë.
-Jo, gati brofi në këmbë ajo,
Ka plot autoshkolla, ti do të vesh në njërën e unë në tjetrën dhe në shtëpi do testojmë njëri – tjetrin.
-Mirë i tha ai, asnjë problem, doja vetëm të të ndihmoja, së bashku do mund të mësonim më mirë.
-E di, iu përgjigj ajo, por jo.
Ashtu u bë, të nesërmen secili filloi ditën e vet.
Ai ishte më i zoti dhe e mori patentën më përpara. Ajo e mori dy javë më pas.
Tre vjet më vonë kaloi t’ i përshëndeste ata të autoshkollës për Krishtlindje dhe ti bënte urimet për një vit të begatë siç bënte gjithnjë në shenjë mirënjohje, kur pa miket ulur në bankën e fundit.
Nënqeshi, tundi kokën dhe i përshëndeti përzemërsisht në ikje…!
 
 
 
***
 
Sa i mrekullueshëm ishte përëndimi i diellit tek tretej ngadalë horizontit në një tjetër mbrëmje e lëshonte një mijë shigjeta përmes yjeve të heshtur e të butë që vështronin dëshirueshëm.
Ishte bërë errësirë tashmë, e përqark
s’kishte asgjë mondane e as romanticitet të shtirur që udhëton binarëve të akullt, por vetëm një sobë e ngrohtë që digjte me ngut ca dru të thata mbetur nga punimet e sapopërfunduara të një çatie të vjetër.
Ai përpiqej të hiqte ca njolla boje mbi duar tek vijonin një shkëmbim të reciproktë mendimesh.
Mbaruan së ngrëni e ajo lau pjatat me nxitim për tu ulur më pas në karriken e rehatshme e për të shkruar diçka.
E nesërmja do të ishte një tjetër ditë e lodhshme.
Qeshi me vete, shpupuriti zjarrin dhe futi një dru tjetër, ndërsa memoria përhumbej në kutinë çudibërëse të telefonit kur pa kaluar shumë kohë porta e xhamtë u hap përsëri.
Ngriti sytë e ndeshi të tijët me të njëjtën ëmbëlsi që patën pak çaste më parë dhe në heshtje priti se ç’do ti thoshte;
-S’kam ngrënë ëmbëlsirën – tha, dhe i hodhi një vështrim drithërues,
por që kësaj radhe dyndte gjakun që flinte në vena …
 
 
 
Testament…!
 
Vështronte përherë me cep të syrit lëvizjet e të ëmës, thjeshtësia e së cilës i ishte dukur gjithmonë e më dlirë.
Kurmi i imët, fytyra e brishtë, gishtat eshtarakë e syri që gjithmonë kishte gati një lot për të rrokullisur ishin portreti ku gjente prehje paqja e saj.
Ajo ulte kokën e i dëgjonte përherë të gjithë me vëmendje nga më i madhi deri tek më i vogli e qenia e saj kaq delikate fshehur nën një petk madhështie, mbështillej me një vel të hollë misteri.
Herë herë pyesja veten:
“përse nuk flet, përse nuk reagon”,
ndërsa silueta e saj imcake merrte trajtat e një mbretëreshe
Më pas fillova ta vëzhgoj më imtësisht sjelljen e saj, vëmendje që ajo ndoshta e kishte kuptuar dhe duke veshur një buzëqeshje rrëzëllitëse një ditë m’u drejtua duke më parë në bebëz të syrit:
-Mos gjyko kurrë njeri bijë,
as gishtin mos vër në plagë të huaj.
Beso tek vetja dhe në Zot.”
…, por s’kishte qenë e nevojshme, pasi pa më folur m’i kishte mësuar të gjitha…
 
 
 
Tejdukshmëri…
 
Udha hapi krahët e ajo rendte të mbërrinte sa më parë në shtëpi, ku përqafimi i ngrohtë e i sinqertë i së bijës do t’ia shkulte krejt lodhjen e mërzinë në një frymë të vetme.
Trafikut, në të dy kahet e qarkullimit, dy punëtorë zbardhur prej pluhurit të punimeve rregullonin vijushmërinë me një tabelë dy faqëshe të kuqe e jeshile.
Kurioze hapi derën e makinës pasi pritja u bë e gjatë dhe pa se po vendosnin një xham të madh e të tejdukshëm që do të zvogëlonte nivelin e ndotjes akustike për shkak zhurmës së makinave..
Vërtet, sa mirë, ai xham kaq i pastër do të zgjidhte shqetësimin e banorëve të kahut tjetër, por befas entuziazmi u shua …
Dy dallëndyshe në shtegëtim thyen krahët përplasjes së pavëmendshme “trasparencës” së atij xhami,
e shtrinë pendët në asfalt.
Ngrysi vështrimin e i’ u drejtua punëtorëve:
-Vizatoni diçka mbi atë xham – e vijoi të zhvendosej akuarielit në lëvizje të asaj pasditeje bashkë me trafikun…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s