Kalendari poetik: Friedrich Schiller (1759-1805) / Përgatiti materialin Maksim Rakipaj

 
Friedrich Schiller
 
 
Kalendari poetik: Friedrich Schiller (1759-1805)
 
Sot, më 10 nëntor, është data e lindjes së Shilerit, (emri i plotë është Johann Christoph Friedrich von Schiller), poet, filozof, dramaturg dhe historian gjerman. Nuk munda të sjell shqipërim të ri prej tij, prandaj risjell këtë të para tre viteve, këtë baladë gjermane, këtë hymn për besën:
 
PENGU (Die Bürgschaft)
 
U qas te Tirani Dionis
Damoni, thikën mes teshash fshehur,
Por shpejt, një grup rojesh e mbërtheu:
-Trego, pse këtu me këtë thikë!
Por Damoni u përgjigj pa frikë:
“Vendi prej Tiranit të çlirohet!”
-Ti vetë në kryq do të pendohesh!
 
“Gati jam të vdes, s’dua t’ja di,
Për jetën time nuk lyp mëshirë,
Por veç ju lutem për një të mirë,
Jepmëni kohë vetëm tri ditë,
Sa të martoj motrën dhe vi;
Ju lë mikun peng; në dalsha fjale,
Miku në vendin tim le të varet.
 
Nënqeshi Tirani djallëzisht
Dhe foli, si u mendua pak:
“Tri ditët e tua po t’i jap
Dhe të paralajmëroj, ta dish,
S’e po s’u ktheve këtu sërish,
Miku yt e paguan me jetë,
Veç edhe ty, vdekja në kryq të pret.
 
-Mbreti vendosi, -mikut i tha,
Unë në kryq kam për ta paguar
Përpjekjen time ca të nxituar,
Por gjithsesi, tri ditë m’i dha,
Të martoj motrën, pastaj të vi,
Me kusht të rrish peng në vendin tim,
Kthehem unë, ti fiton lirinë.
 
I heshtur rroku mikun me besë,
Që te Tirani u dorëzua,
Ndërsa miku ynë u largua.
Dhe përpara agimit të tretë,
Sapo martoi motrën e shkretë,
U nis të kthehej gjithë nxitim,
Të qe në kohë për mikun trim.
 
Kur nisi një rrebesh papritur,
Rrëketë nga mali tatëpjetë,
Zbrisnin e frynin lumin më tepër.
Kur arriti në breg i cfilitur,
Me çikrik urën e patën ngritur
Dhe valët godisnin gjithçka pat mbetur
Që shkundej e gati për t’u shembur.
 
Dhe mbeti buzë lumit pa fjalë,
Çakërriti sytë, gjë nuk dukej
Dhe thirri me zërin që po shuhej.
Gjëkund as lundër, as gjë e gjallë,
Që të shkonte si pat dhënë fjalën,
Nuk dukej shenjë as nga trageti,
Veç rrym’e egër me vrull drejt detit.
 
Ra më gjunjë, i bërë meit,
Zeusit iu fal me përgjërim:
Të lutem, ndale këtë tërbim!
Po të mos jem atje në mesditë,
Se duhet të më shohin të gjithë,
Pa vajtur dielli në perëndim,
Ndryshe do të vdesë miku im.
 
Por lumi rridhte më me tërbim,
Më e egër vala – valën ndiqte,
Me nxitim ora pas orës ikte,
Largoi frikën, mori guxim,
U hodh në lumin e furishëm
Dhe çau me krahët e fuqishëm,
Zoti u tregua i mëshirshëm.
 
Mori udhën sa doli në breg,
Falënderoi Zotin me gaz;
Por shpejt në ca grabitës u has,
Që para i dolën në një shteg,
Tjetër vonesë, një tjetër rreng,
Tjetër vonesë kjo prapësi,
Që sollën ca njerëz të këqij.
 
“Ç’doni prej meje?” -tha burr’i varfër,
Veç jetës s’kam gjë unë i shkreti
Dhe atë më duhet t’ia jap mbretit!”
Kapi kamën e atij më afër:
“Mëshirë për mikun tim të paktën!”
Goditi një, dy, tre, që pat pranë,
Të tjerët s’u panë nga vanë.
 
Dielli filloi digjte si zjarr’
Trimi nga e madhja kapitje,
Ndjeu beftas gjunjët t’i priten:
“Zot më shpëtove nga ca kusarë
Dhe në lum, Ti ishe shpëtimtar,
Përse tani nga lodhja të vdes,
Kur mik i dashur me ankth më pret?
 
Por ja! Se ç’vinte një gurgullimë,
Tingull i argjendtë, i gëzuar,
Mban këmbët ai për ta dëgjuar,
Sheh prej shkëmbit rrjedh e murmurin,
Ujët e kthjellët nga një burim,
U përkul mbi të dhe u freskua,
Lau këmb’e duar, u qetësua.
 
Dielli ja bën me sy hokatar,
Me hijet e pemëve lodron
Dhe hije të mëdha vizaton;
Pa atypari dy udhëtarë,
Desh të ikte fshehtaz, pa u parë,
Por fjalët që dëgjoi e mpinë:
“Pas pak kryqëzojnë ditëzinë.”
 
Dhe u bë shpuzë dhe kaluar shpuzës,
Largoi ankthin q’e pat mbërthyer,
Pa para perëndimit të shkëlqyer
Çatit’ e zeza të Sirakuzës,
Ja, i del para në mes të rrugës,
Filostrati, rojtar i tij besnik,
Që me tmerr, njohu të zotin e tij:
 
Kthehu! Tashmë s’e shpëton dot mikun,
Shiko veten tënde të shpëtosh!
Ai vdes, ti duhet të jetosh.
Gjithë kohën me besim ka pritur
Dhe asnjëherë nuk është frikur,
U tall Tirani me të sa mundi,
Ama besimin në ty s’e humbi.
 
“Qënka vonë pra dhe s’paska shpresë,
Por dhe miku në mos u shpëtoftë,
Mua vdekja me të më bashkoftë.
Nuk dua Tirani mend të shesë,
Se miku mikut ja theu besën.
Të dyve le të na kryqëzojë,
Se besë dhe dashuri besojmë!”
 
Pa rënë muzgu mbrriti te sheshi,
Vështroi përqark, kryqi qe ngritur
Dhe turmën që e pa e çuditur,
Mikun me litar po e tërheqin
Dhe klithi fort mes turmës që heshti:
“Mos xhelat! Atë s’ke pse e vret,
Vritmë mua, miku im qe peng!”
 
Shtangu turma, e nemitur mbeti,
Dy miqtë u përqafuan fort,
Nga gazi, dhëmbja qanë me lot.
Asnjë në shesh pa qarë nuk mbeti,
Shkuan i thanë se ç’ngjau mbretit;
Shpirt njerëzor brenda tij u ngjall,
Para tij i thirri, të dy në sallë.
 
I vështroi gjatë me habi;
Dhe tha: “Kjo është fitorja juaj,
Për zemrën time s’jeni të huaj,
Besa kuptoj, s’qenka marrëzi,
Ndaj ju ofrohem për miqësi
Dhe në më daçi mik të vërtetë,
Lutem më pranoni mik të tretë.”
 
 
 

© shqipëroi nga gjermanishtja Maksim Rakipaj

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s