Ç’është poezia ? / Gladiola JORBUS

 
Gladiola JORBUS
 
 
Ç’është poezia ?
 
Poezia, ashtu si letërsia dhe artet e tjera në përgjithësi, është e lidhur me kohën kur jetojmë. Ajo është lehtësisht e ndjeshme ndaj ideve, shijeve estetike, tendencave, vlerave dhe paragjykimeve të kontekstit bashkëkohor.
Interneti dhe teknologjia tejet e avancuar e kanë fundosur njerëzimin në honet e një adoleshence të pambarimtë, para së cilës poezia është strukur dhe i duhet të kalojë Golgotën që të konsiderohet një perëndeshë, ashtu siç është në të vërtetë nga lexuesi i sotëm.
Poezia mbetet e paparashikueshme, fantazma kapricioze e kujtesës në luftë me ëndrrën, të qenit simultanisht në disa vende. Poezia realizohet në vetvete duke pranuar përvojën jetësore të lexuesit, mbetet e vetmja që të ofron fjalën e lexuar dhe imazhin në parametrat e kuptimit intelektual, shqisor dhe emocional. Të gjitha ekspresionet metaforike të përmbajtjeve njerëzore që i korrespondojnë skemave të caktuara stilistike janë realisht poezi. Fjala e krijuar, e fabrikuar, e kompozuar që i jep dritë, kuptim e plotësi; ndjenjës, perceptimit, shqisës a ndjesisë.
Poezia luan kukafshehtas me ne, teksa lind fëmijët e saj, i mëson paksa të ecë dhe më pas zhduket; fluturon drejt qiellit a drejt thellësive të oqeaneve; dhe çastin sublim sa një pulitje sysh, e mbartim me vete si enigmë.
 
Kur shkruan poezi, lind dhe paradoksi i madh. Nuk shkruhet ajo që ti di, por ti fillon të dish, kur nis të shkruash. Poezia është vetëdije, zgjim,rikthim; ajo gëlon, formësohet, kërkon të flaës.ngarkesat emocionale kërkojnë vazhdimisht hapësira të reja për t’u shprehur. Ndjesitë e harruara, për të mos thënë të harruara, rikthehen në jetë, kur ne bëjmë pikërisht këtë udhëtim brenda vetes. Atëherë i rikthejmë lirinë, i heqim prangat shpirtit a esencës sonë më të përkryer, më afër hyjnores.
Poezia na bën më të ndjeshëm, më të dëlirë, më vulnerabël; është proces krijimi ku ti, një lloj perëndie krijues kompozon fjalë të unifikuara nga tingujt e muzikaliteti.
Poezia është liri, pavarësi, dashuri, nuk njeh limite; poeti misionar, poeti që shkrihet për të dhuruar dritë si qiriri naimjan, poeti që ushqen me gjakun krijues lasgushian – nositët e tij lexues.
Për të shkruar një poezi të çiltër, të bukur, të ndjerë nuk të shërbejnë as diplomat, as titujt shkencorë, as studimet akademike; mjafton thjesht të dish, të njohësh veten, (siç shprehej dhe Sokrati shekuj më parë) e më pas të deshifrosh sekretet e fshehura në meandret e shpirtit.
Vëllimet poetike femërore janë vetë dashuria, poezia që krijohet nga arketipi femëror. Lindja e çdo arti është bekim e shpëtim, por poezia mbetet zotëruese e emocioneve, strehëz dashurie, ku jeta vdes dhe ringjallet sërish. Poezia zbulon pentagramin intim, zërin vetjak, tek ajo spikat plotshmëria e imazheve të fuqishme bashkëkohore, poezia është natyra që flet, që zbulon ekzistencën e saj; pafundësinë e gjallesës që lëvrin në të…
Poezia nuk dorëzohet, s’përpëlitet, nuk regëtin/ ajo ushqehet veç me kurajo, besim, ëndrra e shpresë, me vetë shpirtin e atij që shkruan, sepse te secila syresh, pra poezi evidentojmë delirimin, fjalë, togfjalësha që i largohen tokësores e empirikes. Shpeshherë, krijimtaria mund të jetë një formë a mënyrë rebelimi kundër privimit, represionit e diskriminimit.
Poezia duhet konsideruar si një res communes i njerëzimit, emëruesi i përbashkët humanist, teksa me finesë e përmbyll fjalën e saj, ashtu si femrat e përmbyllin hijshëm jetën brenda mitrave të tyre.
 
“Par excellence” e përkufizojmë poezinë si një zhanër letrar, i cili manifeston bukurinë ose sentimentin estetik, përmes fjalës në vargje a prozë poetike. Poezia vjen nga greqishtja ποίησις / kjo merret apriori dhe përkthehet veprim, krijim, deri këtu biem të gjithë unanimisht dakord, por unë në pikëpamjen time a vetëdijen time, fjalën poezi e ndaj në tri rrokje /po – e – zi/, pra brenda kujtdo poeti diçka po zien, po bluhet, po mbarset, po ngjizet.
Poezia është një formë komunikim autor – lexues, ndonjeherë e krahasueshme me manikeizmin, rrymë në shekullin III pas Krishtit, e cila mbështetej mbi besimin radikalisht dualist të dy parimeve bazë: Drita dhe Errësira, sa të ndryshme aq dhe koherente, sa të pavarura aq dhe kontrastuese, që influencojnë e prekin çdo aspekt të sjelljes dhe të ekzistencës njerëzore.
Poeti rrëmon gjithçka, shfaqet shenjtor, profet, sheh me sytë e shpirtit, ka intuitë artistike, është një medium që frymëzon, shëron, rrëfen, parandjen, endet në hapësirat e lirizmit, mih fjalën, kadencën, vargun, vetë poezinë.
Çdo poet mbart gurgullimën e vendlindjes brenda zemrës dhe vargjeve të veta; poetët shqiptarë e endin poezinë në pëlhurën e çmueshme të gjuhës shqipe.
Trekëndëshi mendim – ndjesi – figurë stilistike na çon në një deduksion : ” Mjerimi fillon aty ku librat mbarojnë”.
Poezia është zëri i botës, një lashtësi pa kronologji apo siç shprehet Octavio Paz: “Meriton atë që ëndërron”, kurse unë do të deduktoja se “Duhet të shkruajmë bukur, që të ndihemi bukur, e kështu do të mund të jetojmë më bukur”.
Ndaj pyetjes madhore ç’është poezia i përgjigjem thjesht, se në këtë botë shifrash marramendëse, ku morali dhe vlerat vuajnë kriza identiteti, alegria e fjalës poetike është e vetmja puhizë e freskët që i sjell oksigjen shpirtit të munduar nga pikëllimet, shqetësimet, dyshimet dhe dilemat ekzistenciale.
 
Jam poezi
 
Jam kurora e hënës
Një perëndim i zhytyr thellësive.
Jam një lug i gjerë,
murrak e vrungullues.
Mes dhembjes e lumturisë,
mes mëkatit e shenjtërisë
Bëhem vello e gjatë
mbi ëndrra të bardha.
Ngjizur ndër tinguj,
mes vargjesh kreshpëruar.
Si pëshpëritje dashurie
Mbi buzën e nxehtë të gruas.
Jam fantazma binjake
E kupës qiellore
Kështjellë e fjalës krenare
E brishtë, e pamposhtur, idhnake.
Jam poezi.
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s