Poezi nga Nikollë Loka

 
Poezi nga Nikollë Loka
 
 
Pengu i pafajësisë
 
Po e mbante mbi shpinë gurin para dymbëdhjetë portave,
në ditën e gjykimit,
peng për fajin që ia kishin lënë në derë!
Përbaltet drejtësia, i futen shkopinj nën rrota,
kur për qejf e godasin në fytyrë dymbëdhjetë herë.
E ai pret, sa të vetëdijësohet bota,
se atë fajin, ai kurrë nuk e kishte bërë.
 
 
 
Anës e anës
 
Anës e anës,
trupit të vjeshtës plot ngjyra,
skuqje nga turpi dhe faji,
larje disa herë në ditë të fytyrës,
maska të hijëshme,
fytyra dalë boje
rënë kallaj.
 
Anës e anës,
vjeshtës së pyllit me pisha,
të gjelbrës së re dhe të vjetër,
duarve tinzare
që fshihen prapa pasqyrash,
dhe zgjaten si kërkim falje…
 
Anës e anës,
habisë dhe keqardhjes,
pse të jetohet kur vdes e mira,
pse të jetohet pa vjeshtë,
shkret֝ëtirës
ku lindin shtatë dimra!
 
 
 
Troku i kuajve të erës
 
Troku i kuajve të erës i lë gjurmët mbi kalldrëm,
atje ku s’kanë kaluar kuaj asnjëherë,
dhe era ka ecur më këmbë.
Thuhet se janë nisur kuaj ere prej Troje
e këndej kanë mbërritur mbrëmë,
por era kishte qenë e lodhur
e kishte dal prej loje,
për ta kaluar natën mbi mjegull,
mbi atë mjegull që në mëngjes kishte rënë.
Troku i erës,
ethe vjeshte, drithërimë,
këputje gjethesh pa dhimbje,
dhimbje e një lindje të vështirë.
 
 
 
Humnerë
 
Humbim në erë,
siç humbin përditë ca gjëra të shtrenjta,
kthyer në sekonda,
mbyllet në dryna kujtese vetë zemra,
e çfarë mbeti e jona,
jehona,
koha e ruajtur për vete,
që vjen e fundit
dhe fshin kujtime e tretet…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s