Poezi e mendimit dhe bukurisë artistike (Parathënie e vëllimit poetik “Lëndinat e qiejve të mi” të autorit Skënder Braka) / Nga: Agron Shele

 
Poezi e mendimit dhe bukurisë artistike
 
Oarathënie e vëllimit poetik “Lëndinat e qiejve të mi” të autorit Skënder Braka
 
“Lëndinat e qiejve të mi” është libri më i ri i poetit, prozatorit dhe publiçistit Skënder Braka, i cili jo vetëm duhet të lexohet me kujdes, por nga ana tjetër lipset të kesh njohur diçka edhe më nga afër për këtë krijues të talentuar. Duhet të kesh njohur shpirtin e tij, për të kuptuar më së miri se tërësia e tij nuk është veçse një qenie shoqërore e përkushtuar, por dhe një shëmbëlltyrë dhe aspirues i qëllimeve të shenjta dhe fisnike. Gjithmonë me një buzëqeshje të ëmbël dhe tepër korrekt, i kursyer dhe i kujdesshëm, ai shfaq karakterin dhe ndjeshmërinë estetike me elokuencë dhe thjeshtësi gjer në madhështi shpirtërore. Skënderin e kam njohur nga afër, në promovime të ndryshme letrare dhe gjatë gjithë diskutimeve e debateve letrare, referimi rreth poezisë për këtë autor ishte shprehishmëria dhe simbolika e gjithë kuptimeve dhe nëkuptimeve të estetikës fjalë artistike. Pas dy librave me poezi: “Qyteti im ” dhe “Kam njëmijë e një arsye për të dashur” autori na sjell një libër tjetër të ri, titulluar “Lëndinat e qiejve të mi”.
E si për të përforcuar këto mendime, për të kuptuar më së miri botën që e rrethon, le të ndalemi tek poezia, e cila titullon dhe gjithë vëllimin poetik:
 
“Lëndinat e qiejve të mi
 
Barit tuaj të njomë më lindën
dhe vdiqën dashuritë
Prej ngadhënjimit mbi vdekje
dhe të keqen,
ashti i trupit m’u bë
një mijë herë më i fortë.”
 
Natyralizimi i elementëve (lindje – dashuri) sjell atë përkorje të jetës e cila vjen me gjerbërimin e natyrës dhe mbruhet me përtëritjen dashuri, për t’ u përballur kohezinit kohë (ngadhënjim – vdekje) dhe metaforizuar ashtit që e ngre trupin një mijë herë më të fortë ne këmbë e shpirtin në kuptim figurativ një mijë here mbi palat e qiellit.
 
I gjithë vëllimi poetik është ndërtuar bukur në mënyre semantike dhe me një harmoni artistike, ku si redaktori ashtu edhe botuesi Osmani, kanë bërë një punë vërtet të kujdesëshme e me mjaft cilësi. Të 124 – poezitë vijnë të strukturuara në një bosht të vetëm, si afresk që i ngjan një galerie arti dhe përshkojnë një temp dhe një frymë krijuese.
Në këtë vëllim poeti e ngre siparin e poezive të tij me “Vargjet e mia”. Vargjet e poetit, janë vargje, të cilat përcjellin trazimin e shpirtit, bredhojnë ngado ku është jeta dhe njeriu. Ato janë; “Atje ku vetmia duket më e trishtë se vet braktisja e arave” e ndërsa je duke përsijatur vetvetiu të lind pyetja; se ku e gjen poeti muzën për shkrimet e tij dhe po kaq shpejt merr përgjigje: Si çdo qenie e ndërgjegjshme dhe reflektues i një qyteti bregdetar, poeti ka krijuar një lidhje të pazgjidhshme organike, si mishi me kockën me detin, bregun dhe njelmjen e pulebardhave mbi anijet e bardha. Në poezinë “I shtrenjti det” autori që tashmë e ka krijuar profilin e tij artistik dhe identitetin si “poeti i detit” e bën edhe më të qartë këtë lidhje:
 
“Sa vite kemi qëndruar këtu bashkë?
Këtu ku kemi lindur, jemi rritur e thinjur
Bashk, po këtu do vdesim në një ditë.
Si drita, lakuriqe shekuj kemi shkuar,
ngaherë të dy të lidhur
pas një lumturie të thjeshtëzuar”
 
Po kaq bukur ai i këndon qytetit të tij Durrësit, si një qytet i lashtë që veç bukurive të tij të mahnitëshme të afron dhe një mori atraksionesh të spikatura turistike.
 
“Mirmëngjes qyteti im!
 
Mbi fosile algash dhe drurët e tu të blertë.
Bredh ngjyrimi i mugët i rrugicave të tua,
dallgët dhe valët e errëta dhe kënga ime
që tretet me dashuri e nëpër qiell ngjitet….”
 
Në poezitë e tij Skënder Braka ka trajtuar me shume përgjegjësi edhe temën e figurave të spikatura kombëtare, duke u thurur lajmotiv për jetën por dhe veprën e tyre. Me nota tepër të dhimbshme poeti i jep lamtumirën njërit prej mjeshtërve të poezis dhe prozës tonë, Dritëro Agollit. Tek “Hazreti Dritëro, lamtumirë!” do të shkruajë :
 
“- Iku Dritëroi, iku !
Korifeu i belbëzimeve tona shekullore.
Shenjti që fjalës sonë i dha shenjtërimin.”
 
Poezia e Skenderit na sjell kujtime të largëta dhe të afërta, na sjell dhe copëza nga fshati, për të cilat ai ka aq dashuri e mall.
 
“ Më preku thellë shkëlqimi rrem i barit të vjeshtës,
balta e kthjellët e ugareve,
livadhet ku ende kullosin shqerrat,
shpezët e pazbutura, që bredhojnë malit.”
 
Një vend i rëndësishëm në këtë përmbledhje poetike i rezervohet edhe temës së atdheut, si një vend i begatë dhe trimërie, Ai shprehet hapur duke e quajtur “Oqean i shndërruar në shkëmb stralli”, “Asht i thatë mes shqotash e tramundanash të shfrenuara” , “Zhuri i ashpër ku lotoi e kokën mbështeti Ajkuna”, “ Zulma e heronjëve dhe lëngata e plagëve të pashëruara.”
Poetit nuk i ka shpëtuar pa trajtuar dhe temën e mprehtë social – shoqërore. Ai nuk mundet të qëndrojë indifirent përpara plagëve të thella të shoqërisë si dhe ndaj fenomeneve negative që e grryejn gjithnjë e më shumë këtë shoqëri. Shqetësimi i tij gjen shprehjen e vet në poezitë si: “Udhëhumburi”, “Si lulja e tharë mbi gur” etj. Ai e shpreh dhimbjen e tij me vargjet “Përkulur si petalja e një lule pa klorofilin e gjelbërimit”
 
“I kam qëndruar lëndinës së djegur
Shpesh përgjumur kam rrugëtuar
mbi yje të vdekur”
Prej diskriminimit përvuajtur
më tepër se prej kafshimit të urisë.”
 
Dhe këtë e shikon tek të pangopurit me pushtet, që majmen çdo ditë me pasuritë e grabitura të popullit, por harrojnë se tirania nuk mund të zgjatë përjetë, pasi fryma e revoltës dhe drejtësia njerëzore do triumfojë.
 
“Pushtet i degraduar
 
Makiazh i pështirë më dukshëm ka llangosur
Kostumin qesharak, prerakeqas e të zvenitur.”
 
Por autori shpreh bindjen se tragjikomedia e një kombi të tërë, një ditë do të marrë fund dhe paqja do të sundojë në zemrat dhe shpirtin e lirë të tyre.
 
“Me mirëbesim vrullshëm do të ngjitemi
atje ku errësira fare s’egziston.
Përgjithmonë të bindur
në kodet njerëzore të arsyetimit.”
 
Gjithashtu autori Skënder Braka nuk qëndron indiferent parpara masakrës së pashëmbullt që po i bëhet natyrës (mjedisit), si një tjetër plagë e madhe që i është hapur shoqërisë, pasojat e të cilave ne po i përjetojmë sot.
 
“Jetoj në një vend të çuditshëm.
Në vendin ku përditë bukuritë
përdhosen prej krimit. “
 
Një vend mjaftë të rëndësishëm në këtë vëllim poetik zë dhe tema e dashurisë. Thuajse në të gjitha poezitë me këtë temë, poeti motivin e saj e trajton me një mjeshtëri të rrallë aristike, si motivin e bukurisë dhe ripërtëritjes së jetës, duke i dhënë asaj jo vetëm freskinë, ndjenjën e hollë dhe harmoninë, por edhe impulsimin e jetës parë në vazhdimësinë e saj . Ai i këndon me tone të ëmbla kësaj ndjenje kaq të fuqishme, që ka lindur tek njeriur qysh me lindjen e tij. Në to ai evokon si kohën e djalërisë, atë kohë të shpërthimit të vrulleve të para rinore, ku shpesh ndjenja dominon mbi arsyen, ashtu edhe kohën e maturisë, ku dashuria merr vlera të tjera jetësore. Tek poezia “Merrëm, o dashuri bredharake” ai shkruan:
 
“Më vrit me shikimin tënd e dashur, më vrit!
Strehuar jam atje, në mes të tokës dhe qiellit.
Me ëmbëlsinë e rrushit të pjekur
pima mushtin e shpirtit!”
 
Në poezinë tjetër “Mos më humb” poeti lutet simbolikisht:
 
“Mos më humb tani që horizontet
e djegura përsëri po mbush me gjelbërim. “
 
 
Emocion të papërshkueshme të ngjallin edhe poezitë e tjera me këtë temë si:
“Zgjuar do të pres me shiun”, “Krahëve të mi eja dhe fli”, ”Lërma zemrën të fluturoj” apo poezia “Vajzë e druvarit të mëhallës.”
 
Duke studiuar librin me poezi të autorit Skënder Braka befasohesh me vargun dhe ndërthurjen e bukur si dhegjetjet e befta, duke iu larguar shablloneve të kohës dhe përafruar modernizimit.
 
Në përmbyllje dua të theksoj se përmes poezisë autori Skënder Braka i bën një shërbim tepër të çmuar letrave shqipe, duke sjellur në këtë fonetekë atë ornament dhe stil orgjinal që e identifikon si poet të shpresës, atdhedashurisë, lirikës dhe për më tepër poet i detit, pasi aty kristalizohen të gjitha trazimet dhe thellësitë e një shpirti të madh poetik.
 
 
 

Agron Shele, shkrimtar, poet

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s