Poezi nga Vasil Çuklla
Frymojnë gurëlidhurat
Besoj… i kini parë, se si rrëzohen muret…
Gurëlidhurat në radhë, si zhbëhen, sërë – sërë
Kur gurët s’mbajnë dot barrën, ngarkuar prej vetmive.
Kur “gjaku” ju është prishur dhe mbetet vetëm rërë
Aherë nisin, shkoqiten… dhe mbesin, vetëm hije!
Besoj… i kini parë, se ç’nur meiti marrin
Gjatë kohës që bëjnë bark, pak para se të bien
Si klithin ëndërrvrara, kujtimesh bërë “dje”
Kujtimeve vrastare, plaguar, por nuk ndihen…
Madje rrëzohen çartur, a thua bjen rrufe!
Frymojnë, gurëlidhurat, nuk kam ditur kurrë
Lumohen, mes gëzimesh e trishten, mes vetmish…
Kur lidhen gurët bashkë, kur bëhen gurët, murë
S’ka forcë të zgjidhë lidhjen, vetëm këtë të dish!
Vetmia i vesh gri… dhe mbesin muret, gurë.
Katër Stinët
Të pashë,
kur bulonin bisqet ndër degë
(Arromëzoje… Pranverë!)
Pas të rashë,
në valën e shkumë, kur puthej me bregë.
(Ti quheshe… Verë.)
Të thashë: “të dua!”
dhe ti krejt papritur,
(u “veshe”… Vjeshtnajë!)
Të panë Dimrat krah meje,
tani “çupëz” të rritur.
(Të zbardhën… pafaj!)
Hijet
Hije,
gabimisht,
përcaktuam nënhijet
Hijen, pra, të hijes,
çfarë tjetër t’ju them?…
Hijen e njeriut, që s’është njeri,
por hije
Hije mbinjeriu,
të një Njeriu suprem.
Hija e hijes sonë,
a s’duhet thënë nënhije?!
Hijet dashurojmë…
duke qënë vetë hije
Hije ëndërrtare,
ditëdiellit, në ditëllohë…
Hije riprodhojmë,
gjithjetë, më besoni!
Hije do të vdesim, në kohë të pakohë.
Lexoni pra, Minkovskin,
po s’ju pëlqen Platoni…
Besa
(Etyd)
Trrokon një trrokashkë, deriçkës trrokon.
Terrnatës së vuvët. Mesnatës së vonë.
Ti dorën s’e sheh. Trrokashkën dëgjon.
Trrokashka zgjon frikën, thellëshpirtit të honë!
Edhe ti, oh ti… mjerani Njeri…
Nga gjitë çfarë ndjen, veç veshët beson!…
E ka fajin terri?! Mesnata e vonë?!
Dorë-besë quhet dora, që trrokthesh hepon
Por ti, nuk ke Besë, andaj e përçmon!…
Pastaj bjen sipari. Kërcasin menteshat…
Kjo zhurmë e therr natën, por ti… s’e kupton
si hapet një derë, në Besë… dhe pse vonë!