Joumana Haddad
Kalendari poetik: Joumana Haddad 6 dhjetor 1970
Shkrimtare, gazetare dhe veprimtare libaneze, sot mbush 50 vjeç. Qysh nga viti 2014 është përzgjedhur çdo vit si njëra nga gratë arabe më me ndikim në botë për veprimtarinë e saj shoqërore dhe kulturore nga revista Arabian Business. Ka botuar libra të ndryshëm prozë dhe poezi, që edhe janë përkthyer në disa gjuhë të huaja.
Poliglote, flet e shkruan në shtatë gjuhë, ka botuar antologji të poezisë libaneze në spanjisht dhe një tjetër antologji me 150 poetë të vetëvrarë nga vende të ndryshëm.
Në 50 vjetorin e saj përzgjodha këtë shqipërim për miqtë e mi:
THOTË AI, THOTË AJO
Gratë duhet të gatuajnë, thotë ai
gatofsha mishin tënd, thotë ajo
gratë janë krijesa ferri, thotë ai
gjë e mirë kur ditke, thotë ajo
grave nuk mund t’u besosh, thotë ai
më pas do t’më falënderosh për këtë, thotë ajo
gratë llapin tepër, thotë ai
qepe dhe eja bëjmë dashuri, thotë ajo
gratë janë për t’u bërë qejfin dashnorëve, thotë ai
më thuaj “të lutem” dhe do mendohem, thotë ajo
gratë bien në dashuri menjëherë, thotë ai
si e kishe emrin ti? thotë ajo
gratë e kanë mendjen veç të martohen, thotë ai
të gënjen mendja, thotë ajo
gratë në timon, rrezik për të gjithë, thotë ai
kujtoje këtë kur të të zgërlaq me makinë, thotë ajo
gratë duhen zënë me shkelma bythëve kur sillen keq, thotë ai
pa hë njëherë, ç’pret, thotë ajo
gratë janë për t’u lidhur, thotë ai
ku e ke litarin? thotë ajo
gratë nuk i duan historitë sa për një natë, thotë ai
thuaje nesër, kur t’ia kem mbathur, thotë ajo
mos prit kurrë se do ta kesh përgjithmonë, thotë ai
premtim e ke këtë? thotë ajo.
© shqipëroi Maksim Rakipaj