Poezi nga Sahit F. Osmani
DRITË SHEMBËLLIMI
Një gënjeshtër e bukur e lajthitë fëminë
por jo edhe zemrën nën kraharorin tënd
ajo,me trokitje thur ëndrrën më të bukur
të mos mungojë vetja që t’jesh e lumtur
Jeta është si deti të përqafon e t’përpin
shkëlqen si ylberi me harkun plot ngjyrë
mister që t’mrekullon e zhurmon tërbim
të shpupurit stinëve dhe të sfilit shpirtin
Kur ti me dashuri kalon harkun e ylberit
s’do t’i lëngosh jetës por vrapon pas saj
do t’i kalosh urat e urrejtjes e t’trishtimit
dritë shembëllimi prej nga terri arratiset.
DEHUR NGA MENDJA
Mendimi i lirë në kokë tjetër qëndron
ndërmjet nesh rrjedh fërkimi i urtive
sa herë që nisemi me nxitim notojmë
nëpër dallgë të turbullta nga padurimi
Zemra na tendoset veshë s’kemi për
të dëgjuar
i flakim urtitë tutje askujt nuk i bindemi
dehur nga mendja sillemi rreth e rrotull
për kundër dëshirës në vuajtje kridhemi.
Krekosje
Krekosen ata që duken
si bora majë kreshtave
pa begatinë e fushave
e freskinë e lumenjve
Prapaskenave gatuhen
në magje me brum të tyre
derisa të “sublimohen”
në të dëshirueshmën
Fushat i dhurojnë frutat
lumenjtë sjellin freskinë
ushqehen të krekosurit
mbi kreshta “shkëlqejnë.
Mbete i tillë
Të pash gjithë jetës duke aktruar
Zor se do të gjendej ndonjë tjetër
Nga klasikët e gjer në ditët tona
Aktor si ti s’gjeta në asnjë vepër
Si Prometeu “torturoheshe “
Lart e më lart që të qëndroje
Ferrit të Dantes doje t’zbrisje
N’peshkve t’zjarrit që të digjeshe
Shkallëve të jetës gurë më gurë
Floriri joshës të rrezatonte
Artificie që me lakmi verbon
Mashtrues intrigant i përsosur
Jagos ti ia kalove mjeshtrisht
Shekspirit i mungon në vepër
Dhe mbete i tillë çuditërisht
Zor se do të gjendet aktor tjetër.