Adem ABDULLAHU (Maqedoni e Veriut)
International Poetry Meeting Saranda 2020 (Albania)
Takimi Ndërkombëtar Poetik, Sarandë 2020
U lind më 10.09.1964, në Shipkovicë të Tetovës. Punon mësues në vendlindje. Ka mbaruar Akademinë Pedagogjike në Shkup, Fakultetin Pedagogjik në Shkup dhe magjistraturën në Fakultetin Filozofik, Programi Studimor: Pedagogji në Tetovë.
Ka filluar të botojë që nga viti 1985 nëpër revista e gazeta të kohës. Është fitues i disa
çmimeve në Takimet Poetike në Maqedoninë e Veriut dhe jashtë saj. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve Shqiptarë në Maqedoni. Anëtar i klubit të shkrimtarëve “Oeneum“ në Tetovë.
Ka të botuara këto 18 libra; poezi, prozë, skica, tregime përralla, pjesë skenike për fëmijë, kallzime popullore she studime. Cikle me poezi të tij janë botuar në gjuhët ukrainisht, maqedonisht, bullgarisht, rumanisht, anglisht etj. Disa tregime dhe poezi të autorit janë të përfshira nëpër librat shkollore, kryesisht në Maqedoni, si dhe shumë poezi në festvale të këngës për fëmijë. Autori është përkthyes i gati të gjithë poetëve nga Bullgaria, pjesëmarrës në takimet poetike “Ditët e Naimit” në Tetovë dhe “Netët korçare të poezisë”, Korçë, Shqipëri. Përkthen nga gjuha kroate, bullgare, maqedone etj. Prej 15 vjetësh boton revistën “Ylberi plus”.
KËNDO BASHKË ME TË
Shpirti është një…
Si rriten drunjtë dhe lulet?!
Do bësh kopsht…
Në atë kopsht një lule,
një pemë…
Një çerdhe shpendi…
Po ta mësosh kopshtin
si të rrojë – do bësh mëkat.
Do ta zhdukësh,
se ai është origjinal,
nuk e duron torturën…
Po ta mësosh pemën
si të çelë e si të rritet,
do të thahet, do fiket.
Se nuk e duron torturën…
Po ta mësosh shpendin
– si të këndojë,
ai do heshtë…
Nuk do këndojë më.
Ai ia thotë një kënge
Këngës së lirisë!
Asnjë tjetre…
Po me poetin?
Poeti ia thotë të njejtës këngë…
Po të pëlqeu…,këndo bashkë me të.
As ai s’e duron torturën…
Është si shpendi…
PRITJA
Pritja…!
Kjo pjesë e madhe e jetës:
Pres kafenë e mëngjesit
Pres në radhë të blej gazetën
Pastaj ushqimet e ditës
Pres orën e fundit të mësimit
Pastaj drekën dhe pijen e pasdrekës
Pres mekanikun t’riparojë veturën
Dhe ca punë të tjera në zyrë
Pres po si jo
Pres shokët që masin kohën
Me “paradreke” dhe “mbasdreke”
E kjo mund të zgjasë me orë…
Pres dashamirët
Të më cingërrojnë në telefon
Borxhlinjtë e shumtë
Pres darkën dhe ca gjëra të tjera
Pres kompjuterin të kryej
Operacionin e dhënë…
Pres ditën e nesërme
Me pritje të shumta…
Antologji e takimit Trirema e Poezisë Joniane, Sarandë, Albania 2020