Gjekë MARINAJ (Albania -SHBA)
International Poetry Meeting Saranda 2020 (Albania)
Takimi Ndërkombëtar Poetik, Sarandë 2020
Studiues dhe përkthyes i letërsisë botërore, Dr. Gjekë Marinaj është poet, shkrimtar dhe kritik letrar shqiptaro-amerikan. Ai është themeluesi i Teorisë së Protonizmit, një formë e re e kritikës letrare që synon të promovojë paqen dhe mendimin pozitiv në letërsi. Marinaj ka botuar disa libra me poezi, prozë, gazetari, kritikë letrare dhe përkthime. Veprat e tij janë përkthyer dhe botuar në shumë gjuhë të huaja. Marinaj mban titullin “Ambasador i Kombit” nga Republika e Shqipërisë; titullin “Poeti i Botës” nga gazeta ndërkombëtare “Bota e Librit”; Çmimin “Poet Botëror” nga Shoqata “Letërsia e Nëndheshme” dhe revista letrare “Platform”; Çmimin “Autor Internacional” nga Italia, si shumë çmime e nderime të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare. Marinaj është drejtori i përgjithshëm i Mundus Artium Press dhe redaktori i revistës letrare Mundus Artium. Ai është pedagog i Komunikimeve Letrare dhe Letërsisë Botërore, në Kolegjin Richland, në Dallas. Marinaj jeton me gruan e tij Dusita, në McKinney, Texas.
DUART E NËNËS
Lexoj duart e nënës
Që fytyra ime të ketë vlerë.
Gjithka në vija të holla,
Ose brazda të thella…
Mozaikë hallesh
Duart e saj prej shenjti:
Porte ku vaporët e vuajtjeve
Ndalen për të kaluar natën.
LUTJET E SË DJELËS
Këtë të diel u luta për Republikën:
Kanibalët të shpërthejnë kthetra
e të bëhen kafshë.
Kafshët të zbuten
e të bëhen humanë.
Humanët të lëshojnë
e krahë të bëhen ëngjëj.
Ëngjërjt të zbresin nga parajsa
e të bëhen poetë.
Poetët të shkrihen në vargje
e të bëhen poezi.
Poezia të pësojë një tjetër metamorfozë
e të bëhet
Prova e së “vërtetës objektive” të Platonit.
24 ORË DASHURI
Muzgu ndjeu nevojën tonë të fshihemi diku
Gjithësinë rreth nesh e zbuti në bojëcokolatë
Fshehura qeshi me fytyrat tona të ndezura
Dhe u largua tinëzisht për ne duke folur uratë:
Natyrshëm, natyrisht, bëmë dashuri në natyrë.
Me livadhet para kohe djersimë vesën e parë
Me flokët e natës ia fshimë gjoksin mëngjesit.
Lendinën e shqyem në mes si një copë pëlhurë
Dhe zbuluam buzëqeshjen më të re të universit.
Natyrisht, bëmë dashuri në natyrë, natyrshëm.
Për dreq të gjithë banorët e erës e morën vesh.
Mërkuri u shkëput nga vendi dhe u zhyt në det.
Dielli vuri duart në bel dhe u lartësua plot ëndje
Dhe meshkujve të tokës u pëshpëriti nnjë sekret:
bëmë dasuri në natyrë, natyrshëm, natyrisht.
Pa ua qarë hallin kometave që luhateshin përtej
Mbrëmja e re erdhi si një luleëndërr plot nektar,
zbërtheu komcat e sipërme të këmishës së zezë
dhe për ne të dy vari në qafë hënën e larë me ar.
Antologji e takimit Trirema e Poezisë Joniane, Sarandë, Albania 2020